SPORT

Pas rënies nga kategoria Tirana fiton Kupën e Shqipërisë, shkon në Europa League

09:57 - 01.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Jeton SELIMI

Tirana është fituesja e Kupës së Shqipërisë! Bardheblutë që pak ditë më parë përjetuan momentin më të keq të historisë së tyre duke rënë nga kategoria për herë të parë në këto 78 vite kampionat, kanë arritur të thyejnë Skënderbeun në finalen e “Elbasan Arenës”, duke triumfuar 3-1 dhe duke siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Takimi është ndjekur nga një numër i vogël tifozësh, ndërsa ultrasit bardheblu kanë braktisur takimin në minutën e 20-të në shenjë proteste ndaj presidentit Refik Halili.

Ata madje kanë refuzuar të festojnë edhe golin e parë me Edeh, ndërsa kanë shpalosur dhe koreografi e mesazhe për premtimet e pambajtura të presidentit Halili, duke e krahasuar këtë të fundit me Pinokun. Goli i Edeh në minutën e 20-të bëri që Skënderbeu të kërkonte barazimin në pjesën e parë, por korçarët u treguan të pasaktë para porte. Në pjesën e dytë nuk pati shumë raste shënimi, ndërsa kur të gjithë menduan se Tirana e siguroi suksesin, një krosim i Radasit në zonë në të 86-ën nuk devijohet nga askush dhe përfundon në rrjetë duke befasuar Ilion Likën. Nevojiten kështu shtesat nga 15 minuta, dhe këtu Tirana bën diferencën duke shënuar dy herë, fillimisht me Moise në të 103-tën dhe me anë të Mervej në të 114-ën pas ekzekutimit të saktë të një penalltie të fituar nga Daja. Mbyllet 3-1 në “Elbasan Arena” me bardheblutë që ngrenë lart Kupën e 16-të të historisë së tyre, më shumë se çdo ekip tjetër, por qartazi në fytyrat e lojtarëve ishte e skalitur dhimbja e rënies nga kategoria.

(Jo)Festa

Tirana ka festuar në mënyrë të çuditshme suksesin në Kupën e Shqipërisë, pasi në momentin e dhënies së medaljeve të fituesit nga zëvendëspresidenti i FSHF-së, Libohova dhe sekretari Shulku, pak prej bardhebluve dukeshin të lumtur. Vetë trajneri Mirel Josa nuk ka pranuar as të vërë në qafë medaljen e fituesit. Më pas, edhe në dorëzimin e trofeut, kapiteni Karabeci thjesht “bëri adetin”, duke e ngritur lart atë thuajse me detyrim, ndërsa pakkush festoi me trofeun. Të vetmit që bënin foto entuziaste me të ishin futbollistët afrikanë.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.