SPORT

Muça: De Biazi po ndjen ftohtësinë e ambientit që e rrethon, pas Izraelit mund të marrë një vendim

11:12 - 05.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Trajneri Shkëlqim Muça ka analizuar gjithçka ndodh në skuadrën Kombëtare. Sipas trajnerit, situata aktuale e kuqezinjve ka një sërë shkaqesh, por tekniku aktual është në qendër të gjithçkaje. Në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, Muça është shprehur se ftohja e raporteve mes trajnerit dhe lojtarëve, largimet e disa futbollistëve për një kohë të gjatë si dhe ftohja e raporteve të tij me Federatën sjellin këtë atmosferë aspak pozitive në ekipin Kombëtar.

“Jemi shumë hapa mbrapa nga Europiani. Nuk kemi paraqitur atë grintë që na çoi atje. Ka rënie në shumë drejtime. Shumë lojtarë janë jashtë formës dhe është e vështirë të caktosh një 11-she”, deklaroi fillimisht Muça. Më pas, ai u është përgjigjur pyetjeve të moderatores Hygerta Sako.

Goli i dytë?

Janë goditje standarde dhe mund ta bëjë kushdo. Është i favorizuar ai që sulmon. Ndeshja miqësore ka problem dhe të gënjen. Nuk ka motivimin e duhur. Trajneri edhe çorientohet nga kjo. Sheh edhe lojtarë që nuk kanë bërë mirë.

Strategji për të vënë në “gjumë” Izraelin?

Do të ishte mirë që ta vinim në gjumë. Trajneri nuk e ka vendosur ende një 11-she stabël për Izraelin me atë çfarë u pa.

Nënvlerësim?

Nuk mund ta them. Ndeshja miqësore e tillë është dhe lojtarët nuk gjejnë motivimin e duhur. Ekipi mbase nuk i përgjigjet më këtij trajneri. Ka ardhur koha që të ndryshojë. Lidhja mes federatës, trajnerit dhe lojtarëve nuk është njësoj. Ka ftohje mes lojtarëve me trajnerin apo edhe lidhja me Federatën. Pas Izraelit, besoj që do të ndryshojë diçka.

Pësojmë lehtësisht gola…

Pas mbylljes së Europianit, federata dhe trajneri duhet të nisnin një strategji të re. Ky trajner kishte dhënë prova me arritjen e kulmit dhe pas tij duhet të kishte një diskutim për të vendosur piketa të reja ose të ndryshonte diçka.

Mungesa e lojtarëve të kampionatit?

Normal që mund të kishte, për vetë faktin se në ndeshje miqësore mund t’i japësh mundësinë ndonjë lojtari që ka bërë mirë gjatë gjithë kampionatit. De Biazi e ka në kokë dhe në kampionat nuk ka dashur asnjëherë të marrë. E ka shprehur edhe vetë. E ka në kokë që kampionati ka nivel të ulët dhe është bazuar gjithmonë te lojtarët jashtë vendit.

A do të ndikojë humbja në moralin për Izraelin?

Nuk besoj sepse nganjëherë humbje të tilla me ekipe të dobëta të motivojnë më shumë. Një fitore mund të sillte edhe vetëkënaqësi. Ndeshjet ndryshojnë gjithmonë, ndryshon fryma, ndryshon gjithçka. Do të jetë ndeshje tjetër me një ekip shumë të fortë. Pritej që ekipi të bënte edhe ndonjë hap fals.

Të gjitha, që nga problemet mes trajnerit dhe lojtarit ndikojnë shumë. Edhe trajneri e ftoh situatën dhe nganjëherë krijon distancë me lojtarët dhe janë gjëra që ndihen menjëherë. Nuk është më e njëjta frymë entuziaste që ka qenë. Ishte ekip i paorganizuar. Duke parë Kukelin në atë pozicion, shoh që ka problem.

A prisni që të luajmë me katër mbrojtës në Izrael apo sërish me tre?

Luksemburgun e ka parë me ekipin e dytë dhe i është përshtatur ekipit që priste. Edhe ndaj Izraelit kemi luajtur me tre mbrojtës. Ka mundësi të jetë kjo vendosje. Nëse Izraeli është me tre, edhe ne do të luajmë me tre mbrojtës.

Si e patë rikthimin e disa lojtarëve?

Ishin tre lojtarë pothuajse të zhdukur prej tre muajsh: Cikalleshi, Kaçe dhe Lenjani. Harmonizimi nuk është kaq i lehtë në futboll. Koha e gjatë e largimit të tyre bën që ekipi të mos ketë harmonizimin e duhur. Pres thuajse të njëjtën skemë dhe lojtarë, me përjashtim të Lenjanit që zëvendësohet nga Aliji dhe Kaçen e pashë jo mirë dhe në vend të tij mund të luajë Basha.

10 minuta i ulur pas ndeshjes dhe ka vonuar konferencën, duke e shtyrë për në hotel…

Është moment shumë i vështirë i trajnerit, pasi ndien edhe ftohtësinë nga Federata dhe të gjithë atmosferën rreth tij dhe rreth skuadrës.

Mund të mos ketë shkuar askush nga Federata…

Më mirë se ai nuk e di askush se çfarë po ndodh. Besoj që do të marrë një vendim, por nuk mund ta braktisë ekipin para ndeshjes së radhës. Pas Izraelit, mund të marrë një vendim.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.