SPORT

Plas te Turqia para ndeshjes me Kosovën, kapiteni Arda Turan kap për fyti gazetarin në avion: Bir k*rve!

14:59 - 06.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Një skandal i madh ka ndodhur në kombëtaren turke të futbollit vetëm një javë para ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Kosovës, e cila do të luhet në mbrëmjen e së dielës në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Pas përfundimit të miqësores ndaj Maqedonisë në Shkup, e përfunduar në barazim 0-0, kombëtarja turke shkoi me avion drejt Triestes në Itali, nga ku udhëtuan më tej me autobus drejt Sllovenisë ku do të qëndrojnë të grumbulluar për të përgatitur ndeshjen kundër Kosovës.

Gjatë udhëtimit me avion, kapiteni i Turqisë, Arda Turan, sulmoi ashpër fizikisht dhe verbalisht gazetarin e gazetës turke “Milijet”, Bilal Meshe, për shkak të një artikulli të shkruar nga ky i fundit pas përfundimit të Kampionatit Europian “Francë 2016”, ku zbardhej një përçarje e madhe brenda grupit të futbollistëve të kombëtares.

Përçarja e futbollistëve turq kishte si shkak ndarjen e premios prej 500 mijë eurosh të kualifikimit në Europian. Ajo u nda në mënyrë të barabartë për të gjithë lojtarët e kombëtares, përveç sulmuesit Burak Jëllmaz të cilit nuk iu dha pjesë prej mungesave të shpeshta në grumbullime si pasojë e dëmtimeve.

Jëllmazi u ndie i fyer nga trajneri Fatih Terim pas përjashtimit nga premioja dhe në krah të tij doli mesfushori i Barcelonës, njëkohësisht kapiteni i kombëtares turke, Arda Turan. Ky i fundit i kërkoi llogari trajnerit dhe mes tyre pati përplasje të forta, të cilat u cilësuan nga media turke si shkaktare për paraqitjen e dobët të përfaqësueses në Europian, ku Turqia u eliminua që në fazën e grupeve.

Sapo filloi fluturimi nga Shkupi drejt Triestes, kapiteni iu sul gazetarit me ofendime tepër të rënda dhe banale. Turan u afrua te vendi ku ishte ulur Meshe dhe e kapi atë për fyti duke i kërkuar llogari për shkrimin e bërë pas Europianit.

“Bilal Meshe, fol tani, aty ishe ti? Bashkë me ne ishe që shkruajte çështjen e premios? Kujt i kemi kërkuar para ne? Kujt i kemi kërkuar premio? Fol tani, fol! Jepi, të gjithë janë këtu. Kush të detyroi ta shkruaje atë artikull? Kush ta tregoi ty ngjarjen?”, tha si fillim kapiteni ndaj gazetarit.

“Kështu është ky shtet. Të marrin ty në këtë avion. Patjetër që të marrin. Po ua them dhe atyre që të marrin ty këtu, ta dëgjojnë. Më kujtove dhe mua si të tjerët. Fol tani ta shohim. Unë e lë futbollin dhe nuk lejoj të më cënojë askush imazhin. Bir k*rve. Nuk mund të shkruash lajme të tilla. Ti punon te gazeta e presidentit të Federatës. Atij që të merr ty në këtë avion do ia…”, vazhdoi me ofendime Turan.

Por gjatë përplasjes fizike futbollistët dhe gazetarët e tjerë ndërhynë duke larguar kapitenin dhe arritën të shmangnin që ta godiste me grusht Bilal Meshenë. Për çudi, trajneri Fatih Terim i cili ishte i ulur pak më larg vendit të sherrit, nuk reagoi fare.

Më pas Arda Turan bëri një sqarim në profilin e tij në Instagram duke pranuar ngjarjen dhe duke thënë mes të tjerash: “Nuk po shkruaj për t’u mbrojtur, thjesht për t’iu informuar para se ta lexoni në media. Nuk e di sa i drejtë është veprimi që bëra, por unë jam gati të lë futbollin dhe të mos lejoj askënd të më prishë imazhin me shpifje. Unë nuk ia punoj njeri pas krahëve, veprimet i bëj si burrat sy më sy!” /PanoramaSport

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.