SPORT

Nga Elbasani në Haifa, ja si ndryshon Shqipëria kundër Izraelit më 11 qershor

11:06 - 07.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga humbja në “Elbasan Arena” që tronditi edicionin e kuqezinjve, te ndeshja e së dielës në Haifa, që do të vendosë për vendin e tretë në grup, por jo vetëm. Shqipëria e Xhani De Biazit mori një goditje të madhe më 12 nëntor të vitit të kaluar, teksa humbi në shtëpi me shifrat 0-3 ndaj Izraelit, në një ndeshje ku kuqezinjtë një pjesë të mirë të dështimit ia faturuan arbitrit gjerman, Deniz Ajtekin.

Kanë kaluar gjashtë muaj nga ai takim dhe tashmë më 11 qershor në stadiumin “Sammy Ofer Stadium”, vjen momenti i së vërtetës për Shqipërinë e post-Europianit, që ka zhgënjyer jo pak, jo thjesht me rezultate, por më së shumti me lojën që ka zhvilluar këtë edicion. Edhe pse ishte thjesht një miqësore, humbja e fundit ndaj Luksemburgut ka shtuar edhe më shumë hallet në shtëpinë kuqezi.

Skuadra nuk funksionon më si parë, e konfirmuar kjo nga vetë trajneri dhe lojtarët. Nëse për harmoninë në grup kuqezinjtë janë gati të përgënjeshtrojnë, e kundërta ndodh për atë që luhet në fushë. Një skuadër pa ide dhe me një skemë të dështuar 3-5-2, duke hasur vështirësi edhe ndaj modestëve të Luksemburgut, qoftë në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese.

Por, si vjen Shqipëria në ndeshjen e radhës? Përveç goditjes morale që mori nga humbja me Luksemburgun, kuqezinjtë në “finalen” për vendin e tretë do të luajnë pa portierin Etrit Berisha, kapitenin Ansi Agolli, mesfushorin Taulant Xhaka dhe sulmuesin Bekim Balaj, të katërt titullarë të padiskutueshëm në pjesën e parë të edicionit. Prova në miqësore ishte e dështuar dhe nuk vlejti për asgjë, prandaj dhe De Biazi po mendon të rikthejë skemën që i ka dhënë suksesin më të madh Shqipërisë.

Me 4-5-1, që bëhet 4-3-3 në fazën ofensive, trajneri kuqezi do të kërkojë të “hakmerret” ndaj Izraelit. Nga ndeshja e parë në Elbasan, deri te kjo e së dielës në Haifa, risitë do të jenë Strakosha në portë, Aliji në mbrojtje, Kaçe në mesfushë dhe Cikalleshi në sulm. Pjesa tjetër është e njëjtë dhe pritet të konfirmohet.

STËRVITJA

Kombëtarja ka nisur përgatitjet për anti-Izraelin nga qendra stërvitore e përfaqësueses turke në Stamboll. Skuadra është kompletuar, pasi grupit iu bashkua edhe Azdren Llullaku e Jahmir Hyka, që luajnë në Kazakistan dhe Amerikë. Pas shokimit në Luksemburg, dje në minutat e para të stërvitjes në Stamboll, De Biazi gjeti momentin edhe për ndonjë batutë me lojtarët. Trajneri pret një reagim të menjëhershëm në Izrael. /PanoramaSport


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.