SPORT

Partizani në “Selman Stërmasi”, por do luajë pa drita dhe në vapë

14:30 - 07.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Partizani e nis sezonin e ri me pjesëmarrjen në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës, ndeshje të cilat luhen më 29 qershor dhe 6 korrik. Me shumë mundësi, të kuqtë do t’i zhvillojnë ndeshjet e para në Europë në kryeqytet, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Por kjo zgjedhje bën që “demat” të jenë të kushtëzuar në orarin e ndeshjes, pasi në këtë impiant është vendosur që takimet zyrtare në Europë të luhen pa dritat e projektorëve. Burime pranë klubit të kuq kanë bërë me dije se sistemi i ndriçimit të stadiumit “Selman Stërmasi” nuk i plotëson kriteret për ndeshjet zyrtare në Europë.

Në këto kushte, nëse Partizani do të vendosë që t’i luajë në kryeqytet ndeshjet e para të Ligës së Europës, orari i ndeshjeve do të jetë 17:00 ose 17:30, në mënyrë që takimi të zhvillohet me ndriçim natyral. Për këtë orar, problemi i vetëm mbeten temperaturat e larta, që mund të kushtëzojnë zhvillimin normal të sfidave.

Nëse do të kërkohet një orar më i vonë për ndeshjet e Europës, Partizani është i detyruar të shtegtojë drejt Elbasanit, ashtu si vitin e kaluar. “Selman Stërmasi” i favorizon të kuqtë në aspektin e tifozërisë, pasi mbështetja do të ishte më e madhe, por edhe më e leverdishme ekonomikisht për klubin, pasi nuk do të paguante autobusë për tifozët, si dhe do të eliminohej fatura e dritave.

“Elbasan Arena” rezervon kushte më komode, por Partizani mund të humbiste mbështetjen duke luajtur jashtë kryeqytetit. Për momentin, varianti “Selman Stërmasi” mbetet më i leverdishëm, por në ditët në vijim klubi do të jetë më i qartë dhe do të vendosë përfundimisht se ku do t’i zhvillojë ndeshjet e turit të parë paraeliminator të Ligës së Europës. /PanoramaSport


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.