AKTUALITET

I vranë xhaxhain për pazare droge në Greqi, nipi: Jemi ngujuar prej 2 vitesh

09:38 - 08.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Lediona XHELADINAJ

Që prej dy vitesh, unë, familja ime dhe të afërm të tjerë jetojmë të ngujuar në banesë, pasi persona të panjohur na kërcënojnë me jetë. Ky ferr nisi pas vrasjes së xhaxhait tim, Shkëlqim Alimuçi në Greqi. Ata që na marrin në telefon na kërkojnë të paguajmë borxhet e xhaxhait, për të cilin përflitet se është ekzekutuar për prishje të pazareve të drogës. I bëjmë apel shtetit që të na mbrojë që të mos jetojmë çdo ditë me frikë, pasi ne nuk kemi lidhje me ngjarjen e ndodhur në vendin fqinj”. Kështu deklaroi dje 23-vjeçari Donald Alimuçi nga Vlora. I riu u shpreh se, ndonëse ka kaluar kohë nga ngjarja e ndodhur në Greqi dhe pavarësisht dhimbjes që kanë për humbjen e të afërmit të tyre, persona që janë përfshirë në ngjarjen e ndodhur në vitin 2015 vazhdojnë t’i terrorizojnë.

Në gjendje të rënduar psikologjike, Alimuçi pohoi se jeta e tij dhe e familjes është në rrezik. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai tha se personat që u telefonojnë i kërcënojnë duke u kërkuar që të shlyejnë të gjitha borxhet, pasi në të kundërt do të hakmerren tek ata. Ndërkohë, nipi i viktimës deklaroi se përjetojnë ferrin dhe se nga frika qëndron i fshehur me familjen e tij.

Prej sa kohësh qëndroni i fshehur?

Prej dy vitesh, unë, familja ime, por edhe të afërm të tjerë e kalojmë çdo ditë të jetës me frikë. Jemi ngujuar dhe nuk guxojmë të dalim jashtë shtëpisë, pasi kemi marrë kërcënime të vazhdueshme nga persona të panjohur. Sa herë bie telefoni ose troket dera, ne tmerrohemi. Jetojmë me frikën se dikush nga ne mund të vritet në çdo moment.

Pse kërcënoheni?

Ende nuk e dimë me saktësi se çfarë ndodhi me xhaxhain tim në Greqi dhe arsyen e vërtetë të vrasjes së tij. Na është thënë që kishte të bënte me pazare të prishura droge. Ne nuk kemi lidhje me ngjarjen, ndërsa po përballemi me këtë situatë që vazhdon prej dy vitesh. Unë jam kërcënuar, prindërit e mi gjithashtu.

Ku është vrarë daja juaj?

Ka ndodhur në Greqi, dhe ne dimë shumë pak në lidhje me ngjarjen. Ajo që dimë është se po përjetojmë çdo ditë tmerr, po jetojmë me frikë dhe të ngujuar. Dalim shumë rrallë nga shtëpia dhe me merak se dikush mund të na marrë jetën. Nuk e dimë se çfarë kishte xhaxhai im me personat që e vranë, por problemi është që ata tani merren me ne, nuk u mjaftoi jeta e tij. Na kërkojnë që të shlyejmë gjithë borxhet e tij, por ne jo vetëm që nuk kemi lidhje me këtë histori, por edhe nuk kemi ku t’i gjejmë paratë.

Cili është apeli juaj?

Duam mbrojtjen e shtetit. E përsëris, ne nuk dimë asgjë dhe nuk kemi lidhje me asnjë histori droge. Duam të mos jetojmë me frikë dhe të vazhdojmë normalisht jetën tonë të qetë. Xhaxhai im është tretur në dhé, ndërsa ne po na tret të gjallë ky tmerr dhe ankth që na shoqëron çdo ditë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.