SPORT

Shtyrja e vendimit të Etikës, 6 klube mbeten pezull. Shqipëria rrezikon të humbë një ekip në Europë

10:29 - 09.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Komisioni i Etikës pranë FSHF-së lë sërish pa vendim dosjen “Skënderbeu”. Pas dy mbledhjesh dhe rreth 120 minutash diskutime, komisioni vendosi dje shtyrjen e gjykimit të çështjes.

“Komisioni i Etikës i mbledhur sot (dje) pranë FSHF-së ka vendosur të shtyjë gjykimin e çështjes ‘Skënderbeu’ për të përfshirë në proces edhe materiale të tjera të nevojshme për hetimin. Seanca e radhës është planifikuar për t’u zhvilluar në datën 23 qershor, ora 13:00”, thuhej në vendimin e djeshëm të FSHF-së. Shtyrja e tij po ngre dyshime të mëdha, në një kohë që mban peng një pjesë të skuadrave të Superiores dhe të së Parës.

ÇFARË NUK SHKON

Megjithëse UEFA dhe KAS kanë dhënë vendimin e tyre të argumentuar për Skënderbeun, FSHF-ja dhe Komisioni i Etikës nuk janë në gjendje të marrin një vendim në lidhje me këtë çështje. Një mungesë e theksuar serioziteti karshi vetë institucionit, futbollit shqiptar në tërësi dhe një klubi si Skënderbeu, që mund të ketë mëkate të mëdha për të larë, por që kurrsesi nuk meriton as korçarët apo çdo klub tjetër që t’i krijohet një trysni e tillë për një çështje që është lehtësisht e zgjidhshme.

Në gjithë këtë vorbull trysnie, ankthi, paniku dhe pasigurie që po krijohet nga FSHF-ja dhe Komisioni i Etikës nuk është vetëm Skënderbeu, por edhe Tirana, Luftëtari, Teuta, Bylis apo Besëlidhja, të cilat presin vendimin. Një çështje që mban peng praktikisht një pjesë të mirë të ekipeve të Superiores dhe disa të Kategorisë së Parë.

Në situatën në të cilën ndodhemi, është frika se Shqipëria mund të humbasë sërish një ekip në përfaqësimin e saj në Kupat e Europës për këtë sezon. Një vit më parë, Shqipëria e humbi një vend pas dënimit të Skënderbeut, në një kohë që nuk humbet vetëm kampionati dhe klubet, pasi cenohet koeficienti që ka Superiorja në UEFA.

Luftëtari apo Teuta janë në pritje të vendimit për të ndërtuar më pas ekipet për sezonin e ri. Ndërsa Tirana shpreson ende se mund të luajë në Superiore sezonin tjetër. E gjitha është e mbështjellë me mister, pasi nuk ka asnjë informacion se çfarë hetimesh po bën Etika, në një kohë që vendimi i UEFA-s është i qartë dhe i argumentuar në një dosje të plotë.

Etika mund të presë prokurorinë

Shtyrja e djeshme për Skënderbeun nga Komisioni i Etikës mund të ketë lidhje me faktin që dosja për klubin korçar ndodhet në prokurori. Organi i akuzës shqiptare ka administruar dosjen e Skënderbeut dhe po heton për këtë çështje.

Kujtojmë se gjatë javëve të fundit, presidenti Ardjan Takaj, ish-trajneri Mirel Josa apo titullarë të ekipit si Shehi, Jashanica apo Radas, janë thirrur për të dhënë shpjegimet e tyre në Prokurori. Ekziston mundësia që Etika të presë organin e akuzës për të mësuar ndonjë detaj më shumë.

Data “e çuditshme”

Ajo që bie menjëherë në sy pas vendimit të djeshëm të Komisionit të Etikës për të shtyrë sërish dosjen “Skënderbeu” është data e caktuar për mbledhjen e radhës. Është vendosur që mbledhja e tretë e Komisionit të Etikës për këtë çështje të zhvillohet më 23 qershor, pikërisht dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Gjithçka mund të jetë një koincidencë pa asnjë lidhje, por në një vend si Shqipëria ku një pjesë e mirë e vendimeve lidhen me politikën, kanë nisur hamendësimet e para./PanoramaSport

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.