BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Blushi komplot me të vetët. Vasilika nuk i preferon kostumet

16:00 - 10.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Blushi komplot me të vetët, Vasilika nuk i preferon kostumet





Blushi komplot me të vetët
Një ditë pas Asamblesë së Partisë Socialiste, ku u votua rezoluta e kryetarit të saj, Edi Rama, Ben Blushi ka rënë pre e paparacit tonë. Humbës në këtë fazë të parë në Asamblenë e PS-së, Blushi ka mbledhur të vetët dhe është drejtuar në një nga lokalet periferike të kryeqytetit për të diskutuar rreth mbledhjes së PS-së dhe për të përgatitur platformën e re me të cilën do të shkojë në Kongresin e PS-së në 29 Gusht. Në fotot e kapura nga paparaci ynë në ‘Lion Park’, të bien në sy edhe dy anëtarët e tjerë të PS-së, mbështetës të Blushit dhe kundërshtarë të fortë të Ramës, Eva Allushi dhe Marko Bello, ndërsa në tavolinë kanë qenë edhe të tjerë besnikë të Blushit. A do të kandidojë Blushi në zgjedhjet për kryetar partie dhe a do të mbështetet ai nga të vetët, këtë do ta shohim vetëm pas një muaji. Kohë e mjaftueshme kjo për Benin, për të mobilizuar dhe afruar sa më shumë anëtarë të PS-së rreth vetes.


Vasilika nuk i preferon kostumet
Vapë është, temperaturat janë tejet të larta. Në fund të fundit, ç’i do kostumet. Dhe, ka bërë mirë zonja Vasilika me veshjen. Një bluzë me mëngë të shkurtra të bardhë, fund lino rozë, shkurt, një veshje shumë komode për një ditë të gjatë e të ngjeshur me angazhime. Ndryshe nga ajo, zonja Leskaj, si gjithmonë seriozitetin e ka në maksimum. Kostum të zi dhe një këmishë të bardhë poshtë tij. Ndoshta zonja Hysi duhet të fillojë të mësojë pak nga pak të veshë edhe kostumet. Të qenit në parlament e imponon një gjë të tillë. Ndaj, dhe ne presim ta shohim ndryshe.


Malaj,  i qeshur me femrat
E ka pasur vërtet në terezi. Nuk është përfshirë shumë në debate dhe diskutime gjatë asamblesë, ama momentet e pushimit i ka shijuar. Vëreheni zotin Malaj sa i qeshur është. Një buzëqeshje për të gjitha koleget që gjendeshin aty pranë. Më shumë ka dashur të jetë në lëvizje, sesa të ulet tek kafeneja. Kështu i ka pëlqyer më shumë zotit Malaj, për të cilin nuk ka zgjatur momenti i pauzës, por i është dashur të futet përsëri në mbledhjen e Asamblesë. Zhvillime interesante priteshin.


Rama pret në qetësi
Ishte i sigurt që rezoluta e tij do të votohej dhe nuk ka treguar asnjë shenjë nervozizmi. Edi Rama ka pritur me shumë optimizëm vendimin e Asamblesë, ndërsa pranë i qëndronin kolegët dhe miqtë e tij. Një prej tyre është edhe deputeti i ri i Kuvendit të Shqipërisë, tashmë i konfirmuar, Fidel Ylli, me të cilin ka pirë disa herë kafe gjatë ditës së Asamblesë. Nuk e kanë bezdisur aspak Ramën zërat, nëse duhet apo jo që ai të ikë nga drejtimi i Partisë Socialiste, dhe për kuriozët ai ka pasur vetëm një përgjigje: “Pa komente, gjithçka do të mësohet në Kongresin e jashtëzakonshëm”.

Ky shkrim u botua më 1 gusht 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.