SPORT

Salihi tregon Izraelin dhe bën parashikimin: Kujdes Zahavin, duhet të jemi të kënaqur me një pikë

12:24 - 11.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Hamdi Salihi parashikon një barazim me gola sot në Izrael-Shqipëri. Ish-sulmuesi i Kombëtares, që për dy sezone ka luajtur në kampionatin izraelit, mendon se kuqezinjtë do ta kenë shumë të vështirë për të përballuar kundërshtarin direkt për vendin e tretë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, shkodrani mundohet të analizojë disa arsye pse Shqipëria nuk ka funksionuar në këtë edicion. Sipas bomberit, motivimi jo i duhur, rivalët e fortë në grup dhe forma jo e mirë e disa lojtarëve ka bërë që kuqezinjtë të zhgënjejnë.

Për Salihin, problem në ndeshjen e sotme për Kombëtaren do të bëhet edhe ambientimi me temperaturat në Haifa. Në rrëfimin për gazetën, sulmuesi konfirmon se nuk do të luajë më në Kategorinë Superiore, teksa thekson se karriera e tij mund të vijojë në kampionatin austriak.

Hamdi, keni mbyllur sezonin me Skënderbeun dhe pa asnjë trofe. Vijoni të jeni i mendimit se nuk do të vazhdoni të luani në Shqipëri?

Po, vendimi i vetëm që kam marrë për momentin është që të mos e vazhdoj më karrierën në kampionatin shqiptar.

Cila është arsyeja që ju bëri të vendosni të mos luani më në Superiore?

Nuk ka ndonjë arsye të veçantë, por besoj që koha që kalova ishte e mjaftueshme. Mendoj se është koha për të provuar diçka tjetër.

Është e vërtetë që do të vijoni karrierën në Austri?

Do të ishte më e favorshme për mua të vazhdoj në Austri, meqenëse jetoj këtu familjarisht, por kjo s’do të thotë që nuk do shqyrtoj edhe opsione të tjera që do të kem gjatë kësaj kohe.

Të kalojmë pak te zhvillimet e fundit. E keni ndjekur Kombëtaren?

Po, patjetër që e kam ndjekur.

Ka pësuar pesë humbje radhazi, duke u kthyer 14 vite pas. Si e shpjegoni?

Jam i mendimit që si ekipi, ashtu edhe opinioni publik nuk ka ditur ta menaxhojë si duhet euforinë që shkaktoi kualifikimi në Kampionatin Europian.

Mendoni se ka pasur vetëkënaqësi të tepruar të lojtarëve me atë që u arrit…?

Jam i mendimit që nuk është faji vetëm i lojtarëve, por është më komplekse situata, pasi janë edhe faktorë të tjerë që ndikojnë te kjo paraqitje.

Cilëve faktorë u referoheni?

Them që motivimi i duhur, shorti i vështirë që nuk të lejon të shpresosh shumë, forma e lojtarëve, si dhe pritshmëria e lartë që u krijua pas Europianit, e cila e vendosi ekipin edhe më shumë nën presion.

Sipas jush, a është mbyllur një cikël në Kombëtare pas Europianit?

Nuk besoj se mund të flitet për këtë, sepse mirë apo keq, ne këta lojtarë kemi. Nuk është se ka shumë opsione dhe këta i kanë zënë rrugën dikujt tjetër që është më i ri…

Po situatën e trajnerit si e keni parë gjatë kësaj periudhe…?

Situata besoj se duhet të shihet me qetësi dhe në fund të eliminatoreve them se do të jetë shumë më e qartë në qoftë se trajneri duhet të vazhdojë apo t’i besohet dikujt tjetër.

A mendoni se duhet të largohet?

Nuk besoj se ndërrimi i trajnerit në këto momente mund të ndryshojë shumë.

Para ndeshjes së kaluar me Izraelin, keni qenë ndër të paktët që keni parashikuar si do të dilte. Po këtë herë si e mendoni?

Them se do të jetë akoma më e vështirë, duke parë që Izraeli e ka ekipin shumë të stabilizuar tani dhe kanë më shumë vetëbesim.

Me çfarë vështirësish mendoni se do të përballet Kombëtarja në Izrael?

Ajo që do të jetë shumë e vështirë për ekipin tonë, besoj se do të jetë ambientimi me temperaturat atje dhe ajrin tepër humid, me lagështirë. Kjo do t’i favorizojë shumë lojtarët izraelitë.

Çfarë kujtoni nga Haifa, qyteti, por edhe stadiumi ku do të luhet ndeshja?

Stadiumi është perfekt, pasi ka 2-3 vite që është ndërtuar komplet i ri. Haifa është një qytet që e do shumë futbollin dhe prodhon shumë futbollistë. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe dashamirës për lojtarët. Besoj se do të jetë atmosferë shumë e bukur për një ndeshje futbolli.

Në përballjen e zhvilluar në Elbasan, ishte Zahavi personazhi i Izraelit, po këtë herë ndaj kujt mendoni se duhet të ketë kujdes Shqipëria?

Zahavi mbetet përsëri pika e tyre e fortë, por edhe dy lojtarët anësorë ofensivë duhen pasur kujdes, sepse janë shumë të shpejtë dhe ata dalin mirë në situata goli.

Sa e vështirë është që një sulmues të luajë i vetëm në Kombëtaren tonë? A i penalizon skema lojtarë si Cikalleshi apo Sadiku?

Sulmuesin normalisht që e penalizon, por në të njëjtën kohë forcon një tjetër repart dhe këtu pastaj duhet trajneri ta vendosë se cili repart do të ketë më shumë forca gjatë ndeshjes.

Po fakti që ne po luajmë me një sulmues, por së fundmi s’kemi forcuar as mbrojtjen, pasi jemi mundur 5 ndeshje radhazi dhe kemi pësuar gola gjithmonë?

Kjo do të thotë se si ekip nuk kemi vepruar mirë në fazën mbrojtëse. Nuk është e thënë që të luash me një sulmues ose pa sulmues dhe nuk do të pësosh gol në një ndeshje.

Mendoj se trajneri është munduar të forcojë më shumë një repart të caktuar, por siç duket nuk ka funksionuar aq sa duhet.

Si e parashikoni këtë ndeshje?

Kam mendimin se do të dalë barazim 1-1.

Keni një parandjenjë se kush mund të jenë autorët e golave?

Jo, nuk e di. Nuk mund të shkoj aq larg me parashikimin.

Sipas jush, a mjafton një pikë ndaj Izraelit?

Them që duhet të jemi të kënaqur me këtë rezultat. /PanoramaSport

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.