SPORT

Takim para “shtëpisë” bardheblu, Skënderbeu synon të rrëmbejë talentin Albi Doka

15:18 - 11.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Skënderbeu nuk heq dorë nga Albi Doka. Klubi korçar prej kohësh është vënë në “gjurmët” e talentit bardheblu dhe do të bëjë çmos për ta marrë. Sigurisht që e lehtë nuk është pasi Tirana po planifikon që ta shesë jashtë vendit, për të përfituar sa më shumë financiarisht. Megjithatë, ky fakt nuk i ka penguar drejtuesit bardhekuq që të lëvizin gurët për ta bindur.

Burime për “Panorama Sport” konfirmojnë se pak ditë më parë palët kanë zhvilluar bisedën e radhës. Fill pasi është mbyllur ndeshja e Shpresave kuqezi me Francën, jashtë stadiumit “Selman Stërmasi”, 19-vjeçari është parë me menaxherin e Skënderbeut, Gerhard Takaj.

Djali i presidentit ka qëndruar për disa minuta me mbrojtësin e linjës së djathtë, duke u munduar që ta bindë të transferohet në Korçë. Sigurisht që i riu nuk ka dhënë dot një përgjigje, pasi vendimi i takon vetëm Tiranës. Kontrata 3-vjeçare që lojtari nënshkroi pak muaj më parë me bardheblutë, e kushtëzojnë që të presë.

Gjithçka mbetet në dorën e drejtuesve kryeqytetas. Dhe këtu qëndron “kleçka” më e madhe. Këta të fundit po planifikojnë që ta transferojnë jashtë vendit dhe kundrejt një vlere të majme financiare. Në të tilla kushte, prioritet mbeten vetëm pistat e huaja dhe duket më shumë se e vështirë që Refik Halili të japë “OK”-in që zbulimi i këtij sezoni t’u bëhet “dhuratë” korçarëve.

Megjithatë prej ditës së hënë, pritet që të vendoset e ardhmja e Albi Dokës, fill pasi të mbyllë edhe grumbullimin me Kombëtaren e drejtuar nga Alban Bushi. Tirana në bashkëpunim me menaxherin e lojtarit, do të nisin shqyrtimin e ofertave dhe vetëm më pas do të përcaktojnë se ku do të luajë sezonin tjetër.

Kujtojmë që deri më tani janë hedhur në “sulm” për ta përvetësuar një sërë klubesh të huaja. Talenti dhe aftësitë që ka shfaqur në fushën e lojës si bardheblu kanë kaluar kufijtë. Disa “skaut” e kanë ndjekur në ndeshjet e fundit me Shpresat, ndërsa deri më tani mësohet se Lugano, Grasshoper, Jang Bojs, Hajduku i Splitit dhe Gent e duan. Nuk përjashtohet as mundësia që ai të qëndrojë te Tirana, megjithatë vështirë se klubi do ta “djegë” një element kaq cilësor duke e aktivizuar në Kategorinë e Parë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.