BLUETOOTH

Ja si do të votojnë VIP-at shqiptarë, të zhgënjyerit, të pavendosurit dhe militantët e showbizzit shqiptar

10:00 - 17.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pamela Aliaj

Duke qenë se na ndan vetëm një javë nga zgjedhjet e 25 qershorit, të shumta kanë qenë edhe përfshirjet e VIP-ave në fushatat zgjedhore të partive të ndryshme. Mund të përmendim humoristin e mirënjohur Besart Kallaku, i cili ka zgjedhur të mbështesë Partinë Lëvizja për Integrim, ndërsa Gazmend Paja, humoristi tjetër i “Portokallisë” ka zgjedhur të mbështesë Partinë Socialiste. Në spotin e tij publicitar ai mundohet të bëjë edhe batuta, duke u përfshirë në rolin e tij në “Portokalli”. Nga ana tjetër kemi Oni Pustinën, modelin dhe postierin e njohur të ekranit italian, i cili shfaqej në emisionin e Maria de Filipi, “C’e posta per te”, i cili ka zgjedhur të jetë pjesë e fushatës së LSI. Me ftesën e kryetarëve të partive apo duke trokitur vete ne dyert e tyre personazhe te njohur te artit shqiptar janë prekur nga ethet e fushatës. Ata janë të famshëm në fushën e tyre, por kur ndryshohen pushtetet herë shfaqen masivisht në ekran e herë zhduken fare si me magji. Kush për qejf apo për bindje të pastra politike e kush për ndonjë interes nën siglën e logove të partive, artistë e sportistë janë përfshirë në fushatën zgjedhore. Gjithsesi mund të themi se shumica e VIP-ave tanë nuk janë ende të bindur se për kë do të votojnë dhe këtë e shohim edhe në mos përfshirjen e tyre në lobime apo në fushata zgjedhore. “Bluetooth” ka zgjedhur të kontaktojë disa prej VIP-ave për të ditur se cila është zgjedhja e tyre në 25 qershor. Ja si janë shprehur ata:

Jonida Maliqi

Këngëtarja e mirënjohur bukuroshe e kontaktuar nga “Bluetooth” nuk ka qenë e hapur në përgjigjen e saj. Ajo ka zgjedhur të mos prononcohet lidhur me zgjedhjen që do të bëjë në 25 qershor. Mesa duket bukuroshja brune nuk dëshiron që një përgjigje e tillë të ndikojë në karrierën e saj artistike dhe ka vendosur të zgjedhë heshtjen. “Nuk mund të them se për kë do të votoj se do të ndikoj në karrierën time prej këngëtareje. Nëse do ta thosha do më duhet të loboja për atë parti. Por mund të them se do të votoj për një Shqipëri më të mirë.”

Inis Gjoni

Regjisorja dhe showgirl-i, Inis Gjoni, ka qenë tepër e prerë në përgjigjen e saj lidhur me pyetjen se me kë do të votojë në 25 qershor. Për të, vota qëndron e fshehtë dhe nuk ka arsye përse të shprehet. Edhe pse regjisorja nuk ka dashur të thotë se për cilën parti do të votojë, ajo në fund të bisedës thotë se do të votojë për një Shqipëri më të mirë. Mos nënkupton kjo sloganin e Partisë Demokratike, ku kryefjala është Republika e Re dhe një Shqipëri më e mirë se kjo? “Nuk mund të them aspak se për kë do të votoj se s’do të quhej vota e fshehtë në të kundërt. Ata VIP-a që kanë thënë se me kë do të votojnë janë më shumë vip-a se unë. Mund të them që do të votoj për një Shqipëri më të mirë.”

Olta Gixhari

Aktorja bukuroshe Olta Gixhari nuk ka preferuar të tregojë se cila do të jetë zgjedhja e saj për 25 qershor. Ajo ka thënë për “Bluetooth” se është e rëndësishme që të gjithë shqiptarët të ngrihen e të votojnë, thirrje kjo që të bën të mendosh që për Oltën vota është më se e rëndësishme dhe vendimi i shqiptarëve për të votuar për një të nesërme më të mirë është një slogan i njohur nga shumë parti. Gjithsesi, bukuroshja bionde e ka lënë të fshehtë vendimin e saj. “Nuk mund të them absolutisht se për kë do të votoj, por mund të them që u bëj thirrje shqiptarëve për të votuar të gjithë.”

Dorina Mema

Një nga VIP-at, e cila ka zgjedhur të jetë e hapur me Bluetooth ka qenë sportistja e mirënjohur edhe në arenën ndërkombëtare, Dorina Mema. Ajo ka qenë shumë e qartë dhe e sigurt në përgjigjen e dhënë për gazetën. Vendimi i saj për zgjedhjet e 25 qershorit është më se i qartë pavarësisht bindjeve politike të sportistes. Ajo vendos që këtë herë votën ta jap për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe shton se është mirënjohëse për ndryshimet që i ka sjellë Shqipërisë. Ndërkohë që në një intervistë të bërë më parë për Gazetën Shqiptare, Dorina ka shprehur dëshirën për t’i shërbyer njerëzve të saj në politikë, duke nënkuptuar këtu, vendlindjen e saj, Krujën. “Unë e kam thënë që më parë që jam demokrate, por do t’i jap një mundësi Edi Ramës. Dhe i jam mirënjohëse për frymën e re dhe ndryshimin që ka sjellë.”

Ilda Bejleri

Moderatorja bukuroshe e SuperSport, gjithashtu, nuk ka qenë e hapur në përgjigjen e saj. Ilda Bejleri e kontaktuar për “Bluetooth” nuk ka dashur të shpreh bindjen e saj politike duke thënë se një votë mbetet e fshehtë dhe se nuk dëshiron të përfshihet me politikën. Kjo është paksa e çuditshme edhe pse bukuroshja brune ka mbaruar shkollën për shkenca politike, edhe pse është drejtuese e një emisioni të sportit, ajo duhet të jetë më se e informuar dhe e përfshirë me politikën. Asnjëherë si dihet! “Nuk mund të them se për kë do të votoj.”

Soni Malaj

Këngëtarja bukuroshe Soni Malaj nuk ka qenë shumë e sigurt në përgjigjen për “Bluetooth”. E kontaktuar, Soni nuk ishte ende e vendosur se për kë do të votonte, dhe përgjigjja e saj nuk ishte e vulosur. Ajo nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e lobimeve të ndonjë partie, por edhe bindjet e saj politike nuk ka dashur t’i shprehë ndonjëherë hapur për publikun. “Nuk mund ta them se për kë do të votoj, sepse nuk e di ende për kë do të votoj me siguri.”

Aurela Hoxha

Blogeria superseksi Aurela Hoxha, ka qenë një nga VIP-at, e cila ka qenë gjithnjë e njohur për drejtimin e saj politik. Edhe kësaj radhe, e kontaktuar nga “Bluetooth”, ajo e ka shprehur hapur bindjen e saj politike. Aurela ka qenë dhe mbetet e djathtë edhe pse nuk ka qenë pjesëmarrëse e ndonjërës prej fushatave të Partisë Demokratike. Disa VIP-a nuk e kanë problem të shprehen, sepse s’kanë arsye përse! “Do të votoj për Partinë Demokratike, dihet, sepse e kam thënë dhe më parë.”

Orgesa Zaimi

Këngëtarja e njohur e muzikës live, Orgesa Zaimi ka qenë e vetmja e kontaktuar, e cila ishte e bindur në zgjedhjen e saj kategorike. E pyetur për “Bluetooth”, Orgesa është shprehur se nuk do të votojë këto zgjedhje të 25 qershorit. Mesa duket këngëtares së mirënjohur nuk i pëlqejnë kandidatët ose edhe më keq, mund të ketë qenë pjesë e ndonjë zhgënjimi në të shkuarën, ose edhe në të tashmen, nuk sheh asnjë parti të denjë për votën e saj. “Nuk mund të them se për kë do të votoj, sepse nuk do të votoj më 25 qershor.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.