Kryesore

Kreditë e buta, Paskali: Deri tani janë shqyrtuar 800 dosje. Ja kur shpallen fituesit

10:38 - 23.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

Bashkia e Tiranës është duke shqyrtuar të gjitha aplikimet e bëra për të përfituar nga programi për subvencionimin e interesave të kredisë, apo siç njihet ndryshe, programi i kredive të buta, dhe aktualisht janë analizuar rreth 800 dosje”. Deklarata për “Gazeta Shqiptare” është bërë nga nënkryetarja e bashkisë, Brunilda Paskali, e cila shtoi se nëse do të vazhdohet me këtë ritëm, shpallja e fituesve do të bëhet në fillim të muajit korrik. “Paraprakisht u mendua se procesi i shqyrtimit do të mbyllej këtë javë, por duke qenë se dosjet po shihen me kujdes për të shmangur gabime apo përfitues që mund të penalizohen nga bankat, kërkoi më shumë kohë. Në total janë rreth 2400 aplikime, ndërsa po punohet edhe në fundjavë për të përshpejtuar përfundimin e shqyrtimit dhe për të shpallur listën e fituesve”, – u shpreh Paskali.

Përzgjedhja

Ashtu sikurse është bërë e ditur më herët, Bashkia e Tiranës do të subvencionojë 1000 kredi, ndërkohë që procesi do të finalizohet me zbardhjen e procesverbalit përkatës, pjesë e të cilit është edhe lista përfundimtare e aplikantëve dhe përfituesve. Për përcaktimin e familjeve fituese do të përdoret një formulë pikëzimi, të cilën e gjeni bashkëngjitur shkrimit. Sa i takon procedurës që do të ndiqet pas mbylljes së fazës së aplikimeve, Komisioni i Strehimit do t’i vendosë në dispozicion Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale procesverbalin së bashku me listën përfundimtare të përfituesve. Njëkohësisht, Komisioni i Strehimit do të hartojë raportin përmbledhës, i cili do t’i paraqitet për miratim kryetarit të bashkisë. Ndërkohë që, mbi bazën e raportit përmbledhës, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale do të marrë masa për hartimin e listës përfundimtare të përfituesve dhe projektvendimit për miratimin e saj në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak. Pas miratimit të listës përfundimtare nga Këshilli Bashkiak, ajo do të bëhet publike (në stendën e buletineve, faqen e internetit të bashkisë dhe vende të tjera publike) si dhe një kopje e saj do t’i dërgohet zyrtarisht bankës së përzgjedhur për vazhdimin e procedurave. Ndërkaq, përfituesit e miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak, të cilëve rezultojnë përfitues në një program të ndryshëm strehimi në momentin që i akordohet kredia hipotekore nga banka, duhet të paraqesin një deklaratë për heqjen dorë nga njëri prej këtyre programeve. Nëse kjo deklaratë nuk paraqitet brenda një afati 10-ditor, përfituesi i kredituar nga banka humbet të drejtën e përfitimit nga programi tjetër i strehimit. Shpallja e fituesve do të bëhet përmes një Vendimi të Këshillit Bashkiak. Bashkia e Tiranës për këtë vit ka vënë në dispozicion një buxhet prej 97 milionë lekësh apo rreth 1 milion dollarë, për financimin e interesave të kredisë.

Subvencionimi

Masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga ky program do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar me bankën, me interesin prej 3% që paguan familja mbi principalin e kredisë. Sa u takon përfituesve, bazuar në të dhënat historike të përfituesve për vitet 2009-2013, është supozuar, për efekt përllogaritjesh, se pesha specifike për çdo tipologji apartamenti do të jetë në: rreth 51% përfitues për garsoniere; 22% për apartamente 1+1; 20% për apartamente 2+1 dhe 8% për apartamente 3+1. Periudha e shlyerjes së kredisë është supozuar 20 vjet.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.