Kryesore

Zgjedhjet 2017/ Gara luhet mes PS-LSI, PD ka një bast për të ruajtur mandatin e dytë në Berat

12:26 - 23.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Tre parti janë në garë për të mos humbur një mandat që iu zbrit qarkut të Beratit për shkak të rënies së popullsisë, ndërsa banorët janë pesimistë për ekonominë dhe nuk presin shumë prej politikës.

“Berati është i majtë”, thotë një nga katër burrat që luajnë domino në një cep trotuari në lagjen Vakëf të qytetit, pak metra nga vendi ku kreu i opozitës, Lulzim Basha sapo kishte mbyllur një takim elektoral me dhjetra mbështetës. Dy të tjerët-njëri betohet se është i majtë i thekur dhe tjetri nuk i shpreh bindjet, lëshojnë dominotë të revoltuar në copën e kartonit që shërben si tavolinë.

“Ti respektoje këtë”, i thonë me mërzi, duke bërë me shenjë nga i katërti që qëndron i ulur e që tha se votonte djathtas. “Ka të majtë, ka të djathtë”, vijon një prej tyre që është ngritur në këmbë tashmë dhe kërcënon të braktisë lojën.

Pas ca fjalësh dhe lëvizjesh nervoze duarsh, burrat i rikthehen dominove dhe na thonë se nuk duan më të flitet për politikë.

Berati duket i përfshirë nga rutina, edhe pse fushata po numëron ditët e fundit dhe tre partitë kryesore po bëjnë llogaritë për mandatet e diskutueshme që mund të fitojnë apo humbin. Të premten e kaluar asgjë nuk të thoshte se qyteti ishte në fushatë, përveç një Fiati Panda i viteve 80-90, të cilit i kanë vënë mbi kabinë bokse të mëdha prej të cilave dëgjohet mesazhi i regjistruar se në 7 të darkës vinte kryeministri për mitingun përmbyllës në këtë qytet.

Megjithë qetësinë në dukje, pak njerëz duan të flasin për fushatën dhe shumica e banorëve i bëjnë bisht pyetjeve për politikë, sepse siç na thonë “nuk duan telashe”.

Në Berat, dy partitë e mëdha po luajnë në mbrojtje përballë LSI-së që gati i trefishoi votat e saj në 2013 duke i marrë vendin e dytë PD-së.

“PD ka një bast për të ruajtur mandatin e dytë në Berat, po ashtu të rikthehet forcë e dytë në qark”, i tha BIRN Namir Lapardhaja, sekretar i degës nr.2 të PD-së së qytetit.

Zyrtarisht PS pretendon të marrë mandatin e pestë, megjithatë një burim i angazhuar në fushatën pranë saj i tha BIRN se edhe me sondazhet optimiste të brendshme, ky ishte shumë larg. “Por të paktën nga sondazhet, PS e ka të “blinduar” mandatin e katërt,” shtoi ai.

LSI, e cila kontrollon bashkinë e qytetit të Beratit, atë të Çorovodës dhe të Kuçovës si dhe disa zyra të administratës lokale, e sheh qarkun si një prej pikave të saj më të forta. BIRN kontaktoi me një funksionar të kësaj force për Beratin dhe një prej kandidatëve për deputet, por ata thanë se nuk kishin mundësi të flisnin për shkak të angazhimeve.

Ndërkohë në një intervistë për Zërin e Amerikës, Nasip Naço që kryeson listën e LSI për Beratin përsëriti moton e forcës politike për të qenë parti e parë në Berat.

Paqja PS-PD dhe lufta me LSI

Të premten që shkoi, Edi Rama dhe Lulzim Basha ishin të dy në Berat. Kryeministri në mitingun përmbyllës, kreu i PD-së në dy takime në brendësi të qytetit.  Rama në sheshin kryesor, i rikonstruktuar së fundmi me pllaka në atë që ai e ka pagëzuar si “Rilindja Urbane”. Ndërsa Basha në lagjen Vakëf me shtëpi përdhese dhe pallate ku ka rënë suvaja në fund të Rrugës Rilindja.

Dy takimet përkonin po ashtu edhe në kohë e për këtë, ndërsa i ngjiteshin rrugës Rilindja për të shkuar në takimin e Bashës, njerëzit shkëmbeheshin me ata që zbrisnin për të shkuar në mitingun e PS në qendër të qytetit.

Ndjekës të këtyre dy forcave i thanë BIRN se kjo ishte fushata më e qetë që kishin jetuar.  Një i moshuar që ruajti duke palosur me kujdes një fletëpalosje me foton e Lulzim Bashës dhe Donald Trump që u shpërnda në takimin elektoral, i cili nuk pranoi të identifikohej me emër duke thënë se  “ishte me zarar”, tha se ndryshimi në fushatë ishte i dukshëm për mirë.

Një okulist, me dyqanin në këmbë të kodrës ku ngrihet Kalaja e Beratit në fillimin e shëtitores, tha se fushata ishte “ndryshe nga të tjerat” dhe se dukej “mjaft më e qetë”. “Kjo është shumë mirë për Beratin, se ky qytet ka pasur trauma të mëdha nga 1997,” tha okulisti.

Megjithatë mes PS dhe LSI situata nuk është kaq e qetë. Prej muajsh, dy partitë që bashkëqeverisin qarkun dhe janë forca kryesore aty akuzojnë njëra tjetrën për presione mbi administratë dhe garë jo të ndershme.

“Përplasja elektorale (e PS) është me LSI-në dhe këtu është shumë e ndjeshme. Ata e konsiderojnë qarkun bastion të vetin”, tha Evis Plaku për BIRN, koordinator dixhital i fushatës së PS-së në qark. Të njëjtën situatë e pranon edhe Namir Lapardhaja i PD.

Këshilltar i PD-së në Këshillin Bashkiak, Lapardhaja thotë se konfliktet mes dy të majtave që synojnë të ndajnë votat në qytet dhe rrethina ishte bërë i dukshëm në nivel lokal prej muajsh.

Përplasje me LSI ka edhe PD, e cila kërkon që minimalisht të ruajë mandatin e dytë në qytet dhe për këtë i duhet të rimarrë edhe vendin e dytë në renditjen e partive në qark. Lapardhaja i tha BIRN se ishte e pamundur që PD të binte më poshtë se rezultati i 2013 dhe se e djtahta priste të rritej në qytet. “PD i merr këto vota [të 2013-s] edhe pa fushatë”, tha ai.

Menjëherë pas marrëveshjes Rama-Basha dhe instalimit të ministrave teknikë Drejtori i Spitalit të Beratit dhe Drejtoresha e Postës Shqiptare për këtë qytet, të cilët i përkisinin LSI u shkarkuan nga ministrat e PD dhe u dërguan për ndjekje penale,  për përfshirje të paligjshme në fushatë.

Ndërkohë, prej ditësh mes kandidates së dytë në listën e PS, Ermonela Felaj që drejton fushatën e kësaj partie në Kuçovë dhe kryesuesit të listës së LSI, Nasip Naço zhvillohet një “betejë” virtuale me statuse denoncuese për presione gjatë fushatës.

“Është ulëritëse se si një jurist dhe ish ministër Drejtësie merr në mbrojtje hapur në statusin e tij, mbledhjen e kartave të identitetit…”, shkruante Felaj, pasi Naço publikoi një mesazh të nisur nga telefoni i saj ku i thuhej një personi se mbledhja apo dhënia e kartave të identitetit dënohej me 5 burg.

Naço shkruante se “Ushtrimin e vullnetit të lirë të qytetarëve për ta mbështetur LSI në formën që ata e cilësojnë më oportune, nuk mund ta frenojë askush. Edhe në rastin kur bëhet fjalë për plotësimin e një formulari që përfshin deklarimin pa asnjë detyrim të numrit të kartës së identitetit”. Po aty ai akuzonte ministren e Shtetit, Felaj se ishte ajo që kishte kërcënuar votuesit.

PD që nuk është përfshirë publikisht në këtë përplasje synon të përfitojë. “Shiko djalë, këtu në Berat ishte ajo gruaja që tha nuk duam as bukë as ujë vetëm mos ndani partinë. Ka shumë si ajo këtu”, thotë i moshuari që takuam në mitingun e Bashës, duke iu referuar një episodi të përplasjeve mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës në fillimin e viteve 2000.

Të papunë, të painteresuar dhe të pakënaqur

Por megjithëse e sheh si “shumë të keqe” qeverisjen e PS-së, mbështetësi i PD-së nuk është i kënaqur as me partinë e tij. I moshuari thotë se Lulzim Basha- meqë nisi pastrimin e partisë duhej ta kishte çuar atë deri në fund. “Këtu nuk e duan Berishën”, thotë ai, ndërsa rendit disa arsye pse duhej që ky të ishte hequr nga lista për të shpresuar që PD të merrte vota në këtë zonë.

As okulisti nuk është fort i kënaqur me socialistët, që thotë se i ka votuar gjithmonë. “Këtë herë nuk votoj, kam prenotuar pushimet dhe nuk do jem për votime,” thotë ai edhe me një farë besimi se vota e tij nuk do e rëndojë shumë situatën e PS në qark, por edhe duke thënë se “…këto (partitë) njësoj janë”.

Një rropaqepëse në një dyqan të vogël pranë Urës së Goricës i tha BIRN se nuk e kishte ndjekur fushatën, por do të votonte majtas. Gruaja që ka jetuar disa vite në Durrës, por ishte martuar në qytetin e origjinës thotë se ndryshimi mes qyteve ndjehet. “Berati është shumë më i varfër, ka më pak punë”, thotë ajo.

Megjithëse raportohet numër në rritje i turistëve që vizitojnë lagjet e vjetra të qytetit, banorët nuk janë optimistë për ekonominë. Një burrë që e gjetëm duke peshkuar mbi Osum, na tha se kishte mbyllur prej 5 muajsh dyqanin e tij të mishit. “Jemi tre breza kasapë, por tani mbahem me lekët e djalit futbollist”, tha ai duke kërkuar të mos i përmendej emri, ndërsa ankohej se as peshqit nuk po e kapnin më grepin.

Nexhipi dhe Marjusi, dy të rinj rreth 22 vjeç, thonë se janë të papunë dhe se e shtyjnë kohën duke bërë xhiro e pirë kafe me lekë që i marrin nga familja. Asnjëri prej tyre nuk ka votuar më parë dhe Marjusi thotë se nuk do të votojë sërish. “Pse duhet të votoj, çfarë do na sjellë ne kjo”, thotë ai ndërsa shton se nuk janë të përfshirë fare në politikë.

Përndryshe Gaël, një 26 vjeçar nga Parisi që po vizitonte Beratin pasi kishte kaluar përmes Shqipërisë  me motor, thotë se ka parë shumë të rinj të angazhuar në fushatë. “Ajo që kam parë janë mitingjet e forcave politike. Më ka bërë përshtypje që shumë të rinj janë të angazhuar në politikë,” thotë ai.

Fushatë pa flamuj dhe pa premtime

Një vëzhgues i OSBE/ODIHR që BIRN e takoi ndërsa monitoronte mitingun e PS-së në qendër të qytetit, tha se fushata është më e mirë, por shtoi se “problemet ndodhin javën e fundit”. Këtë e pranon edhe Arta Dyrmishi, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës “Mbrojtja e të drejtave të gruas” në Berat. Ajo thotë se fushata është nga më të qetat edhe pse është e shqetësuar nga gjuha e liderëve të cilën ajo e sheh si shumë të dhunshme, ndërsa thotë se ka shumë paqartësi që nxisin ankthin. “Nuk ka më flamuj, por ka paqartësi, njerëzit janë në ankth,” thotë ajo.

Si anëtare e shoqërisë civile që ka monitoruar disa palë zgjedhje, Dyrmishi thotë se fushatës i mungojnë premtimet konkrete.  “Nuk shoh programe konkrete. Nuk premtojnë asgjë konkrete për banorët e një zone apo një tjetër. Nuk ka fare programe..[politikanët] flasin në ajër”, thotë ajo duke shtuar se shtresat në nevojë duan të dinë se çdo bëhet me ta.

 

Namir Lapardhaja thotë se PD ka një projekt konkret që e përshin dhe do e ndihmonte goxha Beratin. “Basha vjen në Berat me premtime konkrete për ekonominë dhe do rikthejë (në agjendë) “Boshtin e Jugut” që i jep një shpresë qytetit”, thotë Lapardhaja duke iu referuar faktit se qyteti mbetej një xhep dhe se rruga që do e lidhte me Elbasanin dhe Gjirokastrën mund ta ndryshonte këtë fakt.

Në anën tjetër, PS është duke kërkuar vota për të vijuar reformat që thotë se ka nisur këto katër vjet. Rama përsëriti në mitingun e Beratit batutat e “timonit dhe tepsisë”.  Evis Plaku thotë se në fushatën “derë më derë”, PS është fokusuar të kërkojë ndjesë për atë që nuk ka realizuar dhe të kërkojë votën për t’i bërë ato. “PS është përpjekur të krijojë lidhje me të gjitha shtresat. Kemi kandidatë që kanë ndikim në fshat, të tjerë që kanë ndikim në lagjet e qytetit”, thotë Plaku.

Prania e Lefter Maliqit- zyrtarisht i treti i listës së PD në tribunën e mitingut të PS-së si një prej fjalëmbajtësve është vetëm një prej anomalive të këtyre zgjedhjeve në Berat. Maliqi braktisi PD sepse pozicioni i tij në listë nuk ia garantonte vendin në kuvend dhe iu bashkua PS-së të cilës i premtoi nga tribuna se do i garantonte mandatin e pestë.

Por as në PD as në PS nuk mund të thonë se cili mund të jetë ndikimi i tij në elektorat. “Ka njerëz që mendojnë se ka vota, por ka të tjerë që janë të kënaqur që u largua nga PD,” thotë Lapardhaja i PD-së. Ndërsa Evis Plaku mendon se Maliqi ka ndikim në komunën e Otllakut, të cilën e drejtoi për disa vite, por nuk dihet sa i madh do të jetë ky ndikim.

Ndërkohë edhe vetë PS i trembet tradhëtive, sidomos të drejtuesve lokalë që kanë vende pune në zyrat e bashkive të kontrolluara nga LSI. Llogaritë politike në Berat palët i bëjnë mbi rreth dy mijë vota që mund t’i duhen secilës forcë për të ruajtuar apo fituar mandat, ndërsa asnjëra nuk duket se ruan shpresa për përmbysje të mëdha. Praktikisht, nëse ndryshimet nuk do jenë të mëdha,  një mandat deputeti për një grusht votash mund të lëvizë nga një forcë në tjetrën.  PS që thotë se synon 5 mandate, duhet të sigurojë të katërtin, PD-së i duhet të përmbysë rezultatin e 2013 për të mbërritur mandatin e dytë, ndërsa LSI mund të humbasë të dytin nëse nuk shton apo ruan votat e marra para katër vjetësh.

Për shkak se qarku i Beratit ka pësuar një rënie të madhe të popullsisë sipas INSTAT, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i zbriti një mandat. Partitë po luajnë për t’ia ngecur njëra-tjetrës, si “dopiogjashtë” vendin e lënë bosh!

BIRN

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.