BLUETOOTH

Eli Fara: Nuk më pëlqen të ndryshoj, ja pse jam unike

16:00 - 27.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Një femër duhet të ndihet mirë me veten, të jetë e kujdesshme me ushqimin, të mos luaj me look-un e saj, por gjithçka të jetë brenda karakterit të vet… Duken si leksione të një estetisteje.. por në fakt është këngëtarja e njohur Eli Fara, e cila këtë herë na ka dhënë ca detaje nga vetja e saj… kujdesi që artistja e mirënjohur tregon ndaj pamjes dhe përpjekjet e saj për të qenë Eli në çdo gjë që bën.
Zakonisht jeni në udhëtim, kjo periudhë e vitit si është për ju?
Periudhë më e qetë për të menduar se çfarë do të bëhet në vazhdim, në dimër punohet më shumë besoj, janë Krishtlindjet, Viti i Ri dhe sigurisht që do të mundohem të bëj diçka të bukur për publikun.





Dhe keni parashikuar diçka aktualisht?
Jam duke menduar, duke biseduar dhe mendoj që të bëj ndonjë gjë të bukur për Krishtlindje, besoj se do të jetë një kolazh i bukur korçar.
Eli, keni një formë të mirë fizike. Cili është sekreti juaj?
Faleminderit për komplimentin, e vërteta është që unë ndihem konfident për paraqitjen time, kjo është e rëndësishme mendoj për çdo zonjë, për çdo grua, për çdo femër dhe nuk është se unë i kam kushtuar ndonjë vëmendje të veçantë, fare natyrshëm ndoshta pa e ditur unë, ndoshta mendoj se temperamenti apo karakteri, apo fuqia ime, kanë bërë të mundur mbajtjen e kësaj forme fizike.


Nuk keni marrë asnjë iniciativë për t’u kujdesur pak më tepër sesa e zakonshmja?
Nuk është se kam bërë ndonjë gjë deri më tani. Aktualisht kam filluar të tentoj për ndonjë masazh, ndonjë trajtim, ndonjë baltë për trupin, besoj se është e nevojshme.
Keni mbajtur ndonjëherë dietë?
Dietë kam tentuar, por e vërteta është se nuk i shkoj në fund.
Përse? Ju tundon shumë ushqimi?
Le të themi që jam e kujdesshme dhe vazhdoj pastaj me atë kujdesin që të jem tek sallatat, tek gjërat e lehta.
Ndërkaq, për sa i përket flokëve, Eli nuk mund të identifikohet ndryshe, veç me flokë të zeza. Nuk keni provuar t’i ndryshoni ndonjëherë?
Unë kam bërë prova të ndryshoj, por brenda karakterit dhe natyrës sime. Në fillim fare jam munduar të zbus pak ngjyrën, por brenda së errëtës kanë qenë gjithmonë, flokët kanë qenë të gjatë. Provova vetëm njëherë para dy vjetësh dhe i kam prerë me atë modelin që ishte edhe në modë, të shkurtra pas dhe më të gjata para.


Patët sukses?
Po kishte njerëz që më pëlqenin, nganjëherë edhe mua më pëlqente vetja, po unë nuk jam për ndryshime shumë, shumë të mëdha dhe unë mezi prisja të rrisja flokët dhe të dilja përsëri tek vetja. Mendoj që ndryshimi i stilit të bën të ndryshosh edhe mënyrën e të jetuarit, stilin e të veshurit, stilin e të menduarit, ndërsa mua më pëlqen të jem ajo që jam.
Nuk jeni pro ndryshimeve?
Nuk jam sepse duhet të ndryshosh komplet. Një prerje flokësh komplet ndryshe nga ajo që je brenda të detyron të sillesh ndryshe mendoj, për shembull nëse unë jam e veshur me një fustan elegant dhe me perla, sillem ndryshe nga kur jam e veshur me xhinse, kështu me veshjen përfiton një ndjesi tjetër me mënyrën e të menduarit, mënyrën e të veshurit dhe mënyrën e të jetuarit.
Cili është udhëtimi i ardhshëm?
Udhëtimi i ardhshëm është shumë shpejt, në një koncert në Greqi.
Çfarë nuk i mungon valixhes suaj të udhëtimit?
Valixhja ime shpeshherë ka gjëra që janë të tepërta nga ato që duhet të jenë. Por unë kur nisem, kam qejf t’i marr të tëra dhe këtë, edhe atë… ndoshta nuk do të më hyjnë në punë, por kur më mungon ndonjë gjë, them pse nuk e kam.
Sapo keni blerë një makinë të re. Makinat hyjnë tek hobet tuaja?
Unë kam mendimin që makinat hyjnë në jetën e çdo njeriu, si nevojë për jetën. Është një gjë që të shërben, nuk është një gjë për të shitur mend. Dhe unë nuk është se nuk kam pasur makina. Kam pasur, i kam ndërruar, nuk është se jam e flaktë apo i njoh shumë mirë, ose adhuruese e tyre, më intereson që makina të jetë në funksion të lëvizjes sime dhe me makinën e fundit që kam marrë, edhe për të qenë e fortë dhe e sigurt sepse të shpëton jetën.
Ky shkrim u botua më 17 tetor 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.