SPORT

Milani “përbindësh” në merkato, tani synohet edhe mesfushori që i shënoi supergol Shqipërisë

10:13 - 28.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pas lajmit se Milani po përpiqet të gjejë një marrëveshje me Bajer Leverkusenin për turkun Xhalhanoglu, vijnë lajmet e para pozitive për popullin kuqezi. Fillimisht të patundur në pretendimet e tyre, drejtuesit gjermanë kanë pranuar të diskutojnë çmimin e futbollistit që pas kërkesës për 25 milionë euro duket se mund të pranojnë edhe më pak.

23-vjeçari do të ishte xholi ideal në aspektin ofensiv pasi mund të mbulojë disa pozicione në mesfushë dhe sulm. Mbetet ende shumë punë përpara se të mbyllet marrëveshja mes palëve, por drejtuesit e “Djallit” mbeten optimistë mbi suksesin e këtij operacioni merkatoje.

KAMPL – Sipas ESPN, misioni kuqezi në Gjermani nuk ka të bëjë vetëm me mëngjarashin turk. Një tjetër objektiv në skuadrën e “Aspirinave” raportohet të jetë edhe Kevin Kampl. Mesfushori slloven i ditëlindjes 1990 është një lojtar polivalent, i cili mund të përdoret në disa pozicione, pavarësisht preferencës së tij për të luajtur në qendër të fushës.

Për tifozët kuqezi, jo vetëm të Milanit, por edhe të Shqipërisë, Kampl është shkaktari i një disfate të ishekipit të drejtuar nga Xhani De Biazi. Në fakt, me 6 shtator 2013 ishte pikërisht objektivi i ri i Milanit që i shënonte golin e fitores së Sllovenisë së tij ndaj ekipit tonë kombëtar.

Duke u rikthyer te transferimi i tij, Kampl ashtu si bashkëlojtari Xhalhanoglu, ka kërkuar largimin nga Leverkuseni, por në rastin e tij kjo kërkesë vjen si pasojë e largimit të trajnerit Roxher Shmid, i cili, pasi u pushua nga puna, emigroi drejt Kinës ku aktualisht drejton Pekin Guoan e ku mund të përfundojë edhe mesfushori slloven në rast se Milani nuk nxiton të bëjë ofertën e duhur.

Drejtuesit e “Aspirinave” edhe në këtë rast pretendojnë 25 milionë euro dhe janë të hapur për bisedime, ndaj “Djallit” i duhet të shpenzojë 55 milionë për ta marrë dy mesfushorët. Lojtarët janë miq të ngushtë, ndaj ardhja e njërit mund të ishte ura për transferimin e tjetrit.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.