SPORT

Efekti “Ze Maria” te Tirana, 10 euro gjobë për… 1 minutë

13:17 - 02.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ze Maria ka ardhur me “dorë të hekurt” te Tirana. Disiplina është prioriteti i trajnerit të bardhebluve, ndaj kërkon nga lojtarët e tij angazhim jo vetëm në fushë e lojës, por edhe jashtë saj. Që në ditën e parë ai shpalosi rregulloren e tij, e cila është në fakt edhe konform rregullores së brendshme të klubit.

Vonesat janë makthi i brazilianit dhe për këtë motiv ka paralajmëruar edhe masat. “Një minutë vonesë do t’ju kushtojë 10 euro gjobë”, mësohet t’u ketë thënë trajneri i ri lojtarëve. E megjithatë, kjo gjë nuk vlen vetëm për ekipin, por edhe për anëtarët e stafit teknik apo atij mjekësor. Pra, që të gjithë janë të barabartë, kur bëhet fjalë për disiplinën.

Dhe efekti “Ze Maria” është ndjerë direkt. Ai ka zyrtarisht dy javë që ka marrë drejtimin e kryeqytetasve dhe deri më tani lojtarët kanë qenë më shumë se të përpiktë, duke evituar rrjedhimisht edhe penalitetet financiare, që sigurisht do t’u mbahen nga rrogat mujore. E thënë ndryshe, deri më tani askush nuk është gjobitur.

Nëse stërvitja nis në orën 17:00, të gjithë futbollistët janë të detyruar që të jenë 30 minuta më herët, pra në orën 16:30 të jenë në dhomat e zhveshjes, duke u bërë gati për seancën e radhës. Nëse dikush vonohet, atëherë e pëson. Por ky “kusht” vlen edhe për drekën e darkën. Gjatë ditëve që ekipi ka qenë në grumbullim, lojtarët duhej të ishin në tavolinë që të gjithë të pranishëm dhe në orarin e përcaktuar.

Askush nuk mund t’i shkelë këto dy rregulla dhe përjashtim mund të bëjnë vetëm rastet kur ka mungesë të arsyetuar, por gjithnjë nëse lejen e ka dhënë vetë trajneri. Në fakt nuk është e para herë që te Tirana aplikohen gjoba të tilla për vonesat. Kështu ka vepruar edhe Gugash Magani apo Ilir Daja, madje në kohën e teknikut peqinas paratë që mblidheshin nga penalitetet përdoreshin nga e gjithë skuadra për të shtruar një drekë apo darkë. /PanoramaSport

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.