SPORT

Vjen rinovimi i parë te Tirana, qëndron veterani Ilion Lika. “Mesazh” për të rinjtë

10:03 - 10.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Tirana “blindon” portën. Ilion Lika mbetet zyrtarisht bardheblu dhe në këtë formë jep një “mesazh” për të rinjtë, të cilët pas rënies janë futur në dyshime për të ardhmen. 37-vjeçari ka nënshkruar kontratën e re me klubin, duke ofruar kësisoj besnikëri edhe në Kategorinë e Parë.

Në fakt, gardiani pati garantuar drejtuesit se nuk kishte në plan të largohej, edhe pse skuadra ra në një kategori më poshtë. Sezoni i fundit ishte një dështim i plotë për 24 herë kampionët e vendit, megjithatë portieri dalloi me paraqitjen e tij, duke qenë një nga pikat më të forta. Me pritjet e tij shpeshherë evitoi gola të sigurt, duke qenë edhe lojtari më i mirë i ndeshjes, por i vetëm më shumë se kaq nuk mund të bënte dhe rënia nuk u evitua dot.

Gjithsesi, projekti i ri i klubit po nis ashtu siç duhet. Vetë presidenti Refik Halili deklaroi se do ta ruajë grupin edhe në inferiore për të synuar ngjitjen e shpejtë, ndërsa Ze Maria vendosi si “kusht” që baza e skuadrës europiane të mos ndryshojë.

Pas Ilion Likës, tashmë radha është e kapitenit. Erando Karabeci firmosi një kontratë vetëm për Ligën e Europës dhe pritet që shumë shpejt ai të ulet me klubin që të diskutojë për zgjatjen e marrëveshjes, për të paktën dy vite. Megjithatë, vetëm pasi të diskutohen disa terma kontraktualë mund të vijë zyrtarizmi, raporton PanoramaSport.

Karabeci e pranoi publikisht se dëshiron që të mbetet bardheblu dhe nëse kjo ndodh, Tirana nuk do të humbasë as eksperiencën e 28-vjeçarit në mesfushë. Nëse në ekip mbetet Asion Daja (që ka kontratë edhe për një tjetër sezon) dhe Ruben Akuah, atëherë llogaritë me mesin e fushës mund të quhen të mbyllura për bardheblutë. Nëse plani që klubi dhe stafi teknik kanë në letër përmbushet me sukses, atëherë rikthimi në Superiore do të jetë vetëm 26 ndeshje larg.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.