Intervista

Nga humbja e zgjedhjeve te gara për kreun në PD, Boçi: Basha favorit. Sulmet të mos degradojnë në inate personale

10:45 - 11.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Valentina MADANI

Luçiano Boçi, deputet i PD-së në qarkun e Elbasanit, ka bindjen se më 25 qershor, nuk ka fitues dhe humbës klasikë. Sipas tij ka vetëm përfitues dhe të mundur nga paraja. Nisur nga kjo, z. Boçi thotë për “Gazeta Shqiptare” se rezultati i këtij procesi është totalisht i deformuar. Anëtari i kryesisë së PD-së shtron pyetjen: “Dakord për të kërkuar shkaqet e humbjes së PD-së, por a ka shkaqe për fitoren e PS-së sipas parimit të ballafaqimit?” Lidhur me përplasjet brenda PD-së, ai shprehet se ato kurrsesi nuk duhet të degradojnë në inate e qëndrime personale dhe nuk mund e nuk duhet të kenë ekzistencë të gjithëkohëshme. Sipas Boçit, ato kanë një periudhë të caktuar të ndodhjes së tyre, dhe para hyrjes në një betejë politike, siç janë zgjedhjet, duhet të fashiten. “Ai që duhet të dominojë në situata të tilla, është solidariteti politik dhe njerëzor”, – theksoi deputeti i PD-së.

Z.Boçi, përse kaq e thellë humbja e PD-së? Cilat janë shkaqet që çuan në rezultatin e 25 qershorit?

Kur ka një humbje, të gjithë vrapojnë të gjejnë shkaqet ose shkakun sipas “opinioneve” të tyre, për të gjetur aty “prehrin” më të besueshëm për t’i lënë atij “fajin”, por dhe që njëkohësisht duhet shënjestruar sa më mirë. Nisen më së shumti nga elementë periferikë dhe u japin atyre vlerë absolute, pa i shtrirë argumentet as në dinamikën e ngjarjeve e as në faktin e domosdoshmërisë së ndodhjes së tyre, siç ishte p.sh. “Marrëveshja”. Ose u mëshojnë fort atyre faktorëve që konsiderohen në fjalorin politik si “fajtorët e përjetshëm” të çdo humbjeje, të çdo force politike, në çdo kohë, për të qenë sa më brenda, duke mos thënë kështu asgjë të re e të qëndrueshme. Përmendin “strukturën”, “listën”, “mosthirrjen” e më the të thashë, vetëm e vetëm për të shkuar te shënjestra. Sigurisht, këto kanë vlerën e tyre relative dhe gjithmonë u nënshtrohen analizave partiake, edhe në rast humbjeje, edhe në rast fitoreje. Vlera e tyre do ishte absolute vetëm nëse ato do të vepronin në një sistem zgjedhor me norma e parime demokratike të konsoliduara, në një fushëbetejë ku luftohet me program, me vizion, me ide, me arritje dhe jo me kanosje, me para, me falanga e me ligje xhungle. E vërteta jonë e madhe, e cila duhet ulëritur fort dhe jo thjesht shkruar, është se sot në Shqipëri sistemi zgjedhor është rrëzuar plotësisht. Këtu janë arsyet thelbësore të rezultatit. Tanimë nuk ka fitues dhe humbës klasikë. Ka vetëm përfitues dhe të mundur nga paraja. Kanë rënë tashmë kodet morale, apo ligjore të konkurrimit politik, dhe ato janë zëvendësuar me shpejtësi nga kodet e rrugës. Vota nuk është më votë, por një mall ose aksion i bursueshëm, me vlerë të lëvizshme në euro ose lek, sipas ditës së afërt të zgjedhjeve, ose sipas orës dhe minutës. Partitë politike (të mazhorancës) u ngjajnë gjithnjë e më pak organizmave ideologjikë dhe kanë adaptuar strukturën, frymën dhe përbërjen e organizatave kriminalo-ekonomike që prodhojnë pushtet dhe para.

Rezultati i këtij procesi është totalisht i deformuar, një monstruozitet politik, që për tradicion quhet “qeveri”, por që prodhon vetëm neveri. Tek i cili askush nuk ka më besim, askush nuk kërkon më asgjë e ndaj së cilit askush nuk revoltohet. Pajtimi me të keqen te ne është një fakt tronditës. Për kuriozitet, mund të shtoj këtu një të dhënë të thjeshtë: çmimin më të lartë vota e 2017-ës e arriti në orën e shtuar “çuditërisht” nga KQZ, 19:00-20:00. Vota në Shqipëri blihet me ndihmë ekonomike familjarisht, trysnohet me vend pune me emër e mbiemër, shitet për interes në atë masë që sa vjen e shtohet, e cila ndikon drejtpërdrejt në rezultat. Normal, jo të gjithë votuesit “bien pre” e ofertës së çmendur politike. Qeveria i ka paracaktuar “parcelat” e saj të blerjes. I ka mbjellë ato me varfëri, papunësi, kanabis e krim. E këto nuk janë pak. Para këtyre, çfarë vlere ka struktura e përkushtuar, lista, puna derë më derë, apo tjetër e tjetër?! Kurrfarë vlere! Ç’vlerë ka programi ekonomik, punësimi, ulja e taksave, subvencioni i fermerëve, çmimi i energjisë e i naftës, arsimimi e shëndetësia cilësore, rritja e ndihmës ekonomike, e pensioneve, e pagave? Zero vlerë! Askush nuk dëgjon para mbylljes së veshëve me para. Po lidershipi?! Më mirë një njeri i përkushtuar, serioz, i vetërealizuar, apo një tallavist, tepsixhi, sahanxhi, sehirxhi, batutaxhi? Më mirë ky i dyti, thotë paraja! Është “gjymëshlluk”, “mesybetlluk” e “hajdutlluk” pa hesap. Orientalizëm total estetik. Dakord për të kërkuar shkaqet e humbjes së PD-së, por a ka shkaqe për fitoren e PS-së sipas parimit të ballafaqimit? Në 2013-ën, PD-ja u largua për shkak se e akuzuan për “keqqeverisje”! Po PS-ja, çfarë bëri në katër vite? A mbajti ndonjë premtim? Jo. A punësoi? Jo. A varfëroi njerëzit? Po. A i mbyti me taksa, korrupsion e çmime? Po. A kriminalizoi politikën e administratën? Po. A e mbolli vendin me drogë? Po. A pati program? Jo. Në një logjikë të thjeshtë: A duhej të fitonte? Sigurisht që jo! Por logjika prishet sapo vota “hidhet përpjetë” nga ajo që dhe “ujin e hedh përpjetë”: paraja.

Thënë ndryshe, vota te ne shkon sipas parimit të fyellit: “Kush dha lekët, i ra fyellit”; kush dha lekët, mori votën. E thjeshtë dhe tronditëse. Të gjithë e dimë, por të gjithë ende vazhdojmë të bëjmë pyetje. E në të gjithë këtë tollovi PD-ja mbetet një parti me shumë ideale, e vërtetë dhe e sinqertë, ndërkohë që idealizmi është shpallur politikisht për turpin tonë si shoqëri e politikë, një vlerë e dalë mode. PD-ja i ngjason atij njeriut i cili beson ende te vlerat dhe shpërndan vlera, por që turma e batakçinjve që e rrethon e tregon me gisht për këtë arsye dhe para të cilit megjithatë batakçinjtë kompleksohen para se t’i vijë dorëzimi.

Megjithatë, a e dëmtuan PD-në përplasjet brenda partisë?

Përplasjet e dukshme apo të padukshme brenda një partie janë fenomene normale, madje dhe të domosdoshme për mbajtjen në tonus të nervit politik, por ato kurrsesi nuk duhet të degradojnë në inate e qëndrime personale dhe nuk mund e nuk duhet të kenë ekzistencë të gjithëkohëshme. Ato kanë një periudhë të caktuar të ndodhjes së tyre, dhe para hyrjes në një betejë politike, siç janë zgjedhjet, duhet të fashiten. Ai që duhet të dominojë në situata të tilla, është solidariteti politik dhe njerëzor. Një gjë e tillë nuk ndodhi, për fat të keq, e kushtëzuar kjo edhe nga situata komplekse e kushteve tona të drejta e të paekuivok ndaj zgjedhjeve dhe të diferencave të shumta të opinionit ndërkombëtar. Ndarja midis atyre që kërkonin një qëndrim sublim për hir zgjedhjeve të lira dhe atyre që kërkonin hyrje pa kushte në zgjedhje, me arsyetimin e parashtruar si të sinqertë për frikën e shuarjes së PD-së, për mënyrën se si u artikulua, krijoi një hendek të panevojshëm brenda nesh. Pakënaqësitë e listës në prag të zgjedhjeve më pas, të shprehura publikisht në formën e nismave pa sens politik, e dëmtuan disi klimën e brendshme të komunikimit dhe gërvishtën pak vlerën e solidaritetit të domosdoshëm.

A u ftuan të bënin fushatë figurat kryesore të PD-së që u lanë jashtë listës së 25 qershorit dhe a ishte vendim i drejtë ndërprerja e karrierës së tyre në parti?

Po nisem nga Qarku i Elbasanit për ta vërtetuar. Ish-deputetët e tij, të cilët normal që aspironin megjithëse nuk u gjendën në listë, u ftuan por dhe u vetëofruan. Ata dhanë një kontribut me vlerë në zonat ku u caktuan për të realizuar angazhimin e tyre zgjedhor. Kjo ftesë besoj të ketë ndodhur me të gjithë. Ndërsa vetëofrimi është një standard politik, quajeni dhe ndërkombëtar po deshët, që politika ta mëson sapo ke futur këmbën brenda saj. Përcaktimi “ndërprerje karriere për arsye liste” nuk është i saktë. Salla e vogël e parlamentit nuk është fusha e vetme e politikës dhe karrierat politike shpesh shumë të suksesshme janë zhvilluar dhe rritur jashtë kësaj salle. Nga ajo një ditë mund të hysh, ose mund të dalësh, por dhe të rihysh. Kjo nuk përcakton thelbësisht as cilësinë e as vetë karrierën politike të individit. Është një oportunitet i mirë që mund të jetë pedanë ose thjesht një stad, por asnjëherë fundor. Në këtë pikë, vendimi i marrë nga Basha nuk mund të hyjë në diskutimin, i drejtë apo i padrejtë, për sa kohë që çdo vendim politik i tij si lider, synoi maksimizimin e rezultatit të forcës politike dhe aspak marrjen me karrierën e individëve të caktuar. Në rast fitoreje, askush nuk mund të mohonte faktin se këto karriera do të mund të lëviznin në korridore akoma më të vlefshme se thjesht parlamenti.

Ka akuza nga vetë PD-ja që ata të cilët u lanë jashtë listave u kërkuan mbështetësve të tyre që të mos dilnin në votime më 25 qershor për të dëmtuar PD-së. Si është e vërteta?

E vërteta është që pati një horizont pritës goxha të gjerë nga shumë individë, me dhe pa përvojë politike. Kjo pritshmëri lindi dhe u krijua nga bashkëveprimi i shumë faktorëve dhe risive që solli Basha në PD, siç ishin hapja e PD, thirrja e “të ikurve”, angazhimi i shumë figurave nga shoqëria civile, procesi pre-eleminar me propozime të gjera nga baza dhe qytetarët, qëndresa epike në çadër, ku u investuan shumë njerëz e shumë energji politike. Në finale, e gjitha kjo dëshirë e mirë dhe e gjithsecilit për të rrokur parlamentin, prodhoi një lumë pakënaqësie individuale të pamenduar, të panevojshëm dhe të pandodhur kurrë më parë. Unë nuk mund të pranoj kurrsesi akuzat për thirrje të supozuara individuale bërë mbështetësve të tyre. Megjithatë, njëkohësisht pranoj që politika në tërësi është komunikim që realizohet jo vetëm nëpërmjet fjalëve, por dhe akteve e gjesteve politike. Madje ndonjëherë këto shpërndajnë mesazhe më të forta se dhe vetë thirrjet. Çdo akt i tillë, apo gjest i yni, kalon në filtrin e mendjes së çdo votuesi. Është ai të cilit nuk i shpëton asgjë, dhe që dekodon sjelljen tonë politike dhe që thotë të vërtetën.

Mendoni se z. Berisha duhet të ndërhyjë për të qetësuar konfliktin brenda PD-së?

Ne nuk jemi brenda një konflikti, por brenda një gare në PD. Berisha, pa dyshim hyn tek “etërit fondatorë” të PD-së dhe sjellja e tij me të ka qenë gjithnjë si sjellja e çdonjërit me krijesën e tij, plot dashuri e dhembshuri, por si askush tjetër, gjithmonë brenda një logjike të ftohtë e të hekurt politike. Thirrjet e tij për bashkim në emër të ringritjes nuk kanë nevojë për koment. Ato synojnë një garë të qetë e dinjitoze për vlerat e historinë e PD-së dhe janë zëri i arsyes në mes të zhegut të emocioneve të kuptueshme për momentin, që duket se po shkojnë drejt fashitjes.

Si e konsideroni sulmin ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha? Cila është përgjegjësia e tij në humbjen e PD-së?

Sulmet ndaj Bashës i konsideroj si shfaqje ekstreme emocionaliteti i një rivaliteti normal logjik brenda një force politike. Rivaliteti është një realitet politik i çdo force dhe mishërohet në një garë dhe jo në deklarata. Emocionaliteti është një momentum politik lehtësisht i kapërcyeshëm, i shkaktuar nga subjektiviteti individual. Jam i çuditur më shumë nga paralelizmat midis kërkesës së Bashës për dorëheqjen e kryeministrit për zgjedhje të lira e të ndershme për shkak të kanabisit, krimit dhe shitblerjes së votës, dhe kërkesës për dorëheqje domosdo të Bashës. Këto tre shkaqe që argumentonin saktë kërkesën e Bashës për Ramën, janë nul në rastin e garës brenda PD-së, dhe “ngrirja” e tij është më se e mjaftueshme për të garantuar proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë statutor, brenda familjes sonë të lirisë, siç dhe po ndodh. Përgjegjësinë në raport me humbjen Basha i ka demonstruar në aktin e tij dhe njëkohësisht është duke i trajtuar sy më sy me anëtarësinë e partisë në takimet e tij ballafaquese për zgjedhjet për kreun e PD-së, bashkë me rivalin e tij.

Sa favorit është z. Basha përballë Selamit në garën për kreun e ri të PD-së?

Basha është favorit. Favorit je ose nuk je, dhe nuk është çështje sasie.

Si anëtar i kryesisë, cili është mendimi juaj për ndarjen në dy pjesë të këtij forumi, ku njëra pjesë mbështet z. Basha dhe tjetra e sulmon duke kërkuar dorëheqjen e tij?

Ka një minorancë brenda kryesisë, për hir të së vërtetës, dhe prania e saj më duket një situatë normaliteti që dëshmon mendimin ndryshe në parti dhe nxit demokracinë e brendshme. Kjo nuk do të thotë të vëmë alarmin se jemi ndarë në dy pjesë. Kjo tregon që kryesia është dinamike dhe debatuese e fortë dhe që transmeton vlera. Kërkesat e tyre u votuan dhe u rrëzuan ndershmërisht. Nuk më takon mua personalisht të përjashtoj ekzistencën e arsyeve parimore brenda tyre, mbi bazën e të cilave ata kërkuan dorëheqjen e Bashës, por në gjykimin tim, një pjesë e tyre ndihen të frustruar nga fakti i moskandidimit. Është një lloj përjetimi që mund t’i ndodhë secilit prej nesh në një situatë të tillë dhe nuk duhet keqkuptuar apo keqinterpretuar. Për mua, sikurse edhe për Bashën, secili nga ata do të ishte një vlerë e shtuar në listën e PD-së, për shkak të cilësive që kanë dhe rolit që kanë luajtur në pozicionet e tyre, sikurse vlerë janë dhe emrat aktualë. Por listat aq janë. Ruajnë shumë balanca e përfaqësime, nga të cilat rastësisht mund të gjendesh edhe jashtë. Kjo nuk vë në dyshim vlerën e tyre absolute si anëtarë kryesie. Këtë vlerë nuk e ul as debati i bërë nga ata në kryesi. Rruga jonë politike është e gjatë dhe fokusimi te kundërshtari real politik do na çojë bashkërisht drejt konvergimit të energjive tona politike për të arritur ngritjen e PD-së në nivelin e forcës qeverisëse të vendit.

Si mund të ringrihet PD-ja, duke marrë parasysh se në çfarë situate është ajo aktualisht?

Ka debat në PD. Ka garë në PD. Ka qëndrime. Ka mendime të kundërta. Ka kritika në PD. Ka refleksion. Ka angazhim. Ka nerv. Do ketë analizë kapilare. Pikërisht këto i duhen një force politike për t’u ringritur. Ne jemi duke e bërë.

A duhet t’i njohë PD-ja zgjedhjet e 25 qershorit dhe a disponon PD-ja fakte konkrete për blerjen e votave nga PS-ja?

Fakti i pyetjes suaj të sinqertë dëshmon, midis shumë të tjerave, faktin e ekzistencës së shitblerjes së votës. Ne e dimë që votat janë blerë. Ju e dini shumë mirë si media që kjo ka ndodhur masivisht. Qytetarët e dinë. Të gjithë e dinë, në çdo klub e cep të Shqipërisë, një fakt të tillë. OSBE-ja e di shumë mirë dhe e ka “qëndisur” në raport. Ndërkohë, të gjithë sillen sikur s’ka ndodhur asgjë. Argumentet janë po me aq thasë sa edhe thasët e parave. Faktet janë shfaqur dhe ka procese penale për këtë. PD-ja ka bërë denoncimet e saj. Nuk e kupton askush pse nuk mjaftojnë dhe që gjithçka mbetet në nivelin e pyetjeve. Nuk ka nevojë më për pyetje! Ka ikur koha e pyetjeve për këtë çështje. Në Shqipëri shitblerja e votës është një fenomen frekuent, i pandalshëm, që rrezikon të fitojë statusin i të qenit i moralshëm, sepse i pranueshëm tashmë është bërë. Shitblerja e votës është baza e shitblerjes së gjithçkaje në vendin tonë: e drejtësisë, e ekonomisë, e moralit, e historisë etj. Deri kur do vazhdojë?! E pse duhet të jenë të pranueshme zgjedhje të tilla?! Dhe, sa moral ka një qeverisje të qëndrojë në këmbë me zgjedhje të tilla?!

Si e shikoni Grupin e ri Parlamentar të PD-së, në përbërjen e të cilit 80 për qind e tyre hyjnë për herë të parë në Kuvend?

Grup me pasion të fortë politik. Me ndjenjë të pakursyer opozitarizmi të vërtetë dhe i pandikuar nga njohjet vertikale, i cili nuk “do të kafshojë gjuhën” për arsye të të qenit “i mençur” politikisht. I cili do të bëjë beteja mbresëlënëse e të pjekura politike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.