SPORT

Kukësi në telashe, UEFA konfirmon hetimin. Kampionët në gjurmët e… Skënderbeut

14:09 - 12.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




“Jemi të hapur për hetim”, deklaruan drejtuesit e Kukësit pas ngjarjes në Vjenë, ku 7 futbollistë dhe trajneri u morën në pyetje, pasi dyshohet se kampionët kanë trukuar në disa ndeshje miqësore. Dhe ka shumë të ngjarë që të nisë një hetim edhe nga vetë UEFA…

Situata, përtej efektit mediatik, bëhet serioze kur në mes hyjnë kompani si “Sportradar”-i që janë të kontraktuara nga vetë UEFA. Kompania e monitorimit të basteve ka njoftuar dje në mesditë se po punohet intensivisht me policinë dhe autoritetet e tjera (përfshi UEFA-n) që të zbardhet situata rreth Kukësit.

Faksimile e njoftimit të kompanisë “Sportradar”, ku citohet se po punohet intensivisht me policinë dhe autoritetet e tjera (përfshi UEFA-n) që të zbardhet situata rreth Kukësit.

JEHONA MEDIATIKE

Disa media nga vende të ndryshme europiane i kanë dhënë një hapësirë të konsiderueshme rastit të Kukësit. Madje, ndonjë syresh në Rumani e tepronte duke përmendur edhe arrestime. E gjithë kjo sigurisht që nuk i ka bërë mirë as Kukësit dhe as futbollit shqiptar. Por, mbi të gjitha, kjo jehonë mediatike mund të përkthehet edhe në një nxitje më shumë për UEFA-n që të hapë hetim zyrtar.

PRECEDENTI

Kukësi nuk është i pari që përfundon në zyrat hetimore të UEFA-s. Vetëm një vit më parë, institucioni europian i futbollit dënoi Skënderbeun të mos merrte pjesë në Ligën e Kampioneve. UEFA ka shpresuar që shqiptarët të reflektonin dhe të mos përmendeshin më për dyshime për trukime, por ja që ndodhi e kundërta, madje shumë shpejt… Hetimet e policisë austriake, sigurisht që do të rikthejnë vëmendjen e UEFA-s te klubet shqiptare dhe me siguri jo për mirë…

LETRA “FATALE”

Kukësi i bëri një letër UEFA-s pas akuzave të “Federbet”-it që të hiqej nga kompanitë e basteve. Por zyrtarët e FSHF-së, shumë më ekspertë se sa drejtuesit e Kukësit në kësi rastesh, nuk e pritën mirë këtë iniciativë. Ata e përkthyen atë si një gjest naiv, që nuk bënte gjë tjetër veçse e detyronte UEFA-n të merrej seriozisht me Kukësin.

E gjitha kjo ndodhi para se ekipi ynë kampion të ndalohej nga policia austriake pikërisht për trukime. Burime pranë FSHF-së bëjnë me dije se ka shumë shanse që pas ngjarjeve të fundit UEFA të nisë një hetim qoftë edhe paraprak. Përfundimi më pas mbetet për t’u parë…/PanoramaSport

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.