OPINION

Të padukshmit dhe realitetet virtuale

07:44 - 18.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Moikom ZEQO

 




Dikur kam lexuar një libër, “Të padukshmit”, të shkrimtares angleze Vivjen Ogilvi në shekullin XX. Flet për një koloni shkrimtarësh në Klignankartholl, një institucion i habitshëm dhe tmerrues. Pa dyshim një institucion i përvuajtur, bamirësie, por i papashëm në mekanizmin brutal të tregut kapitalist. Në këtë koloni janë punësuar afro njëqind shkrimtarë të vjetër dhe të rinj – kuptohet, me kontratë rigoroze. Kushti i parë i kontratës është zhdukja përfundimtare e emrave të tyre, të kotë dhe pa domethënie. Që kur nënshkruajnë kontratën, ata nuk kanë më emra, por personalizohen me numra, formula algjebrike, ose figura grafike si gjethja e palmës, merimanga, karkaleci dhe lloje të ndryshme peshqish dhe gjarpërinjsh, pa referenca njerëzore.

Talenti i këtyre shkrimtarëve me fat dhe të mjerë testohet nga një komision ekspertësh, që s’bëjnë asnjëherë kompromis – pra nuk kanë mëshirë. Të talentuarit e vërtetë pranohen, të tjerët i përzënë pa fjalë. Fitimtarët e konkursit të kobshëm paguhen, kanë një ndërtesë të stilit viktorian, në mes të një pylli larg rrugëve dhe kureshtjes së njerëzve të tjerë. Jetojnë në një ilegalitet të plotë, të izoluar nga bota, gati krejtësisht. Së bashku quhen ‘Të padukshmit’. Janë trupa konkretë, jetë të individualizuara, por pas pagëzimit kontraktor, në vend të emrit të dytë, kanë boshllëkun, mungesën, duke humbur me vetëdije dhe marrëzishëm edhe emrin e parë. U sigurojnë brenda ndërtesës apartamentet e fjetjes, mjedisin e ngrënies, ku ka edhe TV, dhe, vetëkuptohet, edhe dëshirat e seksit. Një grup prostitutash, gjithashtu të kontraktuara, që kanë hequr dorë edhe ato nga emrat, janë në dispozicion të tyre. Një model i përsosur platonik dhe mëkatar, por gjeometrikisht pa të meta dhe funksionues. Nën themelet e ndërtesës është një krematorium, ku u digjen trupat kur vdesin, hiri i të cilëve ruhet në disa vazo guri, që vendosen në një galeri të zymtë si librat në një bibliotekë. Kështu plotësohet cikli.

‘Të padukshmit’ kanë për detyrë të shkruajnë, vetëm të shkruajnë. Në fillim specializohen, studiojnë dhe perfeksionohen në stilin e shkrimtarëve të famshëm të botës. Biznesi është fantastik, tejet i suksesshëm. Agjentët e kësaj kolonie bredhin nëpër botë. Takojnë shkrimtarë dikur të famshëm, por që më pas kanë shteruar. Bëjnë marrëveshje në fshehtësi me këto qenie të brishta nga lavdidashja dhe narcizizmi i përjetshëm.

Befas shkrimtari i shteruar del në tregun e librit me një vepër të re. Atë e ka shkruar një nga ‘Të padukshmit’ në koloni. Zgjidhet një krijues që imiton subjekte të reja.

Ringjallet shkrimtari që ka humbur energjinë e mëparshme, kritikët habiten, shkruajnë se shkrimtari duke u pleksur është bërë më i fuqishëm, më konceptual dhe habitërisht më i ri. Natyrisht, ky shkrimtar i “ripërtërirë” i paguan administratës së kolonisë shuma marramendëse, nganjëherë tërë fitimet e librit; dihet, shkrimtarëve të tillë u mjafton vetëm lavdia. Kur vdes, ahere pjesa e klonuar e tij, krijuesi pa emër në koloni rrezikon të mbetet pa punë; vetëm nëse ai imiton ndonjë stil të ndonjë shkrimtari tjetër të ngjashëm, ende i gjallë.

Ky është mekanizmi i mbijetesës së këtij institucioni të fshehur mrekullisht. Përveç librave, në këtë koloni porositen edhe ese, artikuj gazetash të mëdha, skenarë (kuptohet, për llogari të skenaristëve me emër të Hollivudit), histori arti, studime sipas ideologjive të djathta dhe të majta, idealiste apo materialiste, ditarë apokrile të Napolonit, të Hitlerit, të Panxho Vilës, apo të Montezumës, a të perandorit romak Kaligutës dhe të Rasputinit, të papëve të avinjonit, letra të panjohura më parë të Zhan D’Arkës, të Karl Topisë, të Jan Husit, Ajnshtajnit, të Esad Pashë Toptanit, Ahmet Zogut, Pinoçetit, Mao Ce Dunit, Greta Garbos, Marinetit, Ezra Paundit, Allen Ginsbergut etj. Pra përsosmëria është gati absolute dhe utilitare.

Ky është palimpsesti më i guximshëm dhe ambicioz, që vërteton se letërsia nuk është aspak “dhunti hyjnore”, por biznes i vërtetë. Ideja e krijimit të kësaj kolonie është gjeniale dhe e thjeshtë në thelb, një sfidë ndaj mitizimeve, që s’i hyjnë në punë askujt, madje as shkrimtarëve dinozaurikë të Famës së Përjetshme.

Subjekti i mësipërm është megjithatë prapë primitiv, por gjithmonë plot mundësi modernizimi pa skaj. Shërbimet sekrete të mëdha të botës janë thelluar profesionalisht te kjo ide universale. Dihet se agjentët sekretë kanë shpesh talent letrar të mahnitshëm, sepse edhe letërsia i ngjan në substancë hetimeve. Çdo shkrimtar është një lloj agjenti sekret, derisa fut hundët në jetët e të tjerëve. Janë përbindësha të kuriozitetit, vampirë që thithin gjakun e njerëzve të gjallë, duke i kthyer në fantazma personazhesh. Ata përfitojnë edhe nga arritjet e teknologjisë. Sistemi spiun i quajtur “Echelon” ka 50 vjet që përgjon telefonatat, teletekstin, faksin, email-in dhe radiokomunikimin. Më parë ky sistem u shërbente qëllimeve ushtarake, ndërsa sot përgjon njerëzit privatë dhe shoqëritë. “Echelon” është një sistem botëror përgjimi i komunikimit elektronik. Nuk kanë kaluar as disa javë që kur u paraqit përpara Parlamentit Europian një raport mbi mënyrën se si stacionet e përgjimit përqark krejt botës thithin me miliona mesazhe për çdo orë. Teknikisht është më se e mundur të përgjosh çdo lloj komunikimi, pavarësisht nëse dërgohet përmes satelitit, radiovalëve apo kabllos. Për shkaqe praktike është akoma e pamundur të kryhet lidhje me çdo kabllo apo të përgjohet çdo mesazh i dërguar.

Por ne nuk kemi nga ta dimë nëse sistemi është duke përgjuar apo jo për të komunikuar pa u shqetësuar. Kur ngremë dorezën e telefonit, flasim në celular, dërgojmë një faks apo marrim email, mund të jenë duke na kontrolluar. Të dhënat ngarkohen dhe përpunohen në kompjuter të fuqishëm. Me anë të programeve të veçanta kërkuese kërkohet për disa fjalë kyçe të zgjedhura. Këto mund të jenë emra njerëzish, ndërmarrjesh apo organizatash, apo edhe adresa ose fusha të caktuara. Kur haset në gjërat e kërkuara, mesazhi veçohet dhe shqyrtohet më tutje.

“Echelon”, që në shqip do të thotë “skalion” (njësi ushtarake), është përshkruar shpesh si një fryt i luftës së ftohtë. Sistemi u krijua nga shërbimi amerikan i gjurmimit National Security Agency, NSA. Prej disa vitesh marrin pjesë në këtë sistem edhe Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re. Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë merr pjesë edhe Gjermania, duke lënë që instalime përgjuese të “Echelon”-it të vendosen në tokën e saj. Meqenëse “Echelon” ka qenë pjesë e shërbimit të fshehtë, deri vonë nuk është ditur mbi të. Për herë të parë ky sistem u zbulua në një artikull gazete në vitin 1980.

Por lajmi u përhap vetëm në vitin 1998, pas një raporti të BE-së. Zyrtarisht nuk është pranuar kurrë që ka një sistem të tillë. Pas hetimesh më të gjera, kuvendimesh me shkencëtarë, ekspertë, gazetarë hetues dhe dezertorë nga shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme, Parlamenti Europian ka marrë guximin të pranojë në raport se ka një “Echelon”. Provat e mbledhura janë të pakundërshtueshme. Hetuesit mendojnë se shumë vende të tjera duhet të kenë sisteme të tilla të ngjashme, para së gjithash Rusia. Me marrjen fund të luftës së ftohtë, “Echelon” është shndërruar, nga një sistem në shërbim të ushtrisë, në një sistem përgjimi që drejtohet në radhë të parë ndaj personave privatë dhe ndërmarrjeve. Hetuesit e BE-së vënë në dukje se ka shumë mundësi që SHBA-ja përgjon edhe komunikacionin midis ndërmarrjeve. Zyrtarisht, qëllimi pas “Echelor” sot është luftimi i korrupsionit. Por ka kohë që flitet se të dhënat shfrytëzohen për të vënë në dijeni ndërmarrjet amerikane mbi ofertat e konkurrentëve në raste pazaresh të mëdha. Megjithëse për shkaqe praktike është e pamundur të kryhet lidhje me çdo kabllo apo të përgjohet çdo mesazh i dërguar, gjurmuesit e BE-së u bëjnë thirrje si personave privatë, ashtu edhe ndërmarrjeve, të bëjnë kujdes dhe të mbrohen, midis të tjerash duke kriptuar mesazhet email.

Tani sistemi “Echelon” është në epiqendër të vëmendjes së shkrimtarëve, madje edhe të nobelistëve, që mbasi kanë arritur zenitin e lavdisë janë ende të pangopur për të fituar përsëri para. Tregu lëviz në një pangopësi të humnershme. Teknologjia gjithashtu. Vëzhgimi universal i bën të gatshme subjektet për shkrimtarët. Kjo mrekulli i çliron nga bibliotekat e dikurshme, nga mungesa e erudicionit dhe profkës së frymëzimit. Por shkenca që ka arritur të transplantojë zemrën, veshkat, organet seksuale etj., mund të arrijë edhe te transplantimi i trurit. Mjeshtrit e kompjuterave nuk e mohojnë se edhe truri biologjik mund të zëvendësohet nga truri elektronik. Imagjinoni shkrimtarë me tru të tillë elektronikë!

Në një të ardhme të afërt do të jetë shumë e lehtë të mposhtet vdekja, madje shumë thjesht, vetëm duke shkarkuar kujtesën e një individi në një kompjuter, sikur të ishte një file.

Nga fanta-shkenca në realitet. Aventura më e fundit e fanta-shkencës së Paycheck, në të cilën një burrë fshin dhe rikrijon kujtesën e tij, është shumë e thjeshtë dhe e realizueshme, pasi kujtesa nuk është gjë tjetër veçse një file i ruajtur në tru, ndoshta nuk është vetëm fryt i imagjinatës së shkrimtarit gjenial Philip K. Dick. Ideja se një ditë të gjitha kujtimet e një qenieje njerëzore mund të shkarkohen direkt në një kompjuter, nuk është më vetëm një ëndërr, por një e ardhme e afërt. Ai që e mbron këtë ide optimiste është Ian Pearson, shef i grupit të kërkimeve teknologjike të së ardhmes në Telekomin Britanik. Sipas Pearson, pas 40 vjetësh vdekja do të ketë koncept tërësisht të ndryshëm nga ai aktual dhe do të jetë pikërisht kompjuteri që do t’u dhurojë njerëzve pavdekësinë.

Po si? Thjesht duke ruajtur të gjitha informacionet që një njeri ka ruajtur në mendjen e tij gjatë rrjedhës së jetës.

“Nëse do të shohim me realizëm zhvillimin e teknologjisë së këtyre viteve, mund të jemi të bindur se brenda vitit 2050 do të mundim ta shkarkojmë mendjen në një makinë, kështu në këtë mënyrë vdekja nuk do të jetë më një problem për karrierën”, ka ironizuar shkencëtari. Kështu, duke menduar, brezat e ardhshëm nuk do ta njohin vdekjen. Por ndërkohë, kjo teknologji fillimisht do të jetë e shfrytëzueshme vetëm për të pasurit, ndërsa ata që nuk kanë mundësi ekonomike të mjaftueshme do të duhet të presin vitin 2075 apo 2080, kohë në të cilën shkarkimi i informacion human do të jetë kthyer në rutinë. Por ndërkohë, gjithçka do të jetë në varësi të shpejtësisë së zhvillimit të teknologjisë. 45 vjet janë shumë kohë për Teknologjinë Informatike.

Ndërsa, nga kjo pikë e zhvillimit deri në mundësinë e rikrijimit të një qenieje që mendon dhe është e pajisur me ndërgjegje është ende herët. Në fakt, nëse shkarkimi i kujtesës së një qenieje humane nuk do të thotë ruajtja e të gjithë informacionit emocional të jetuar, Pearson tregon se “po studiohet se si mund të transformohet struktura e një kompjuteri në një ndërgjegje. Disa mendojnë se mund të jetë e realizueshme”.

Në thelb: kompjuterat e së ardhmes, madje shumë më shpejt nga sa imagjinohet, pasi Pearson flet edhe për vitin 2020, mund të ndiejnë emocione dhe të jenë inteligjentë, madje edhe më shumë se qeniet njerëzore. Këtu Pearson kujton edhe librin dhe filmin “Unë, robot”. Për shembull, tani mund të përdoret ADN-ja për të realizuar qarqe elektronike, kështu që është e mundur të mendosh edhe për një kos frutash në vitin 2020 apo në vitin 2025 të ketë në çdo qelizë shumë teknologji. Në të ardhmen mund të arrijmë të flasim me kutinë tonë të kosit të frutave, sigurisht para se ta konsumojmë atë. E çuditshme? Mos t’ju duket aspak kështu, pasi për teknologjinë e së ardhmes duket se gjithçka është e realizueshme.

*    *    *

Libri “Të padukshmit” të Vivjen Ogilvit është epokal. Shkatërron mitin e gjenive letrarë dhe të krejt letërsisë në përgjithësi. Oferta dhe tregu e rregulluan këtë gjë, teknologjia e zëvendësoi procesin ngatërrimtar dhe tragjik. Tani poetët dhe prozatorët s’kanë pse të torturohen nga ndjeshmëritë e tepërta, as të vetëvriten. Saktësia është organizim, organizimi është zëvendësim, profesionet unifikohen, humbet ndarja, veçoria dalluese, krejtësisht e dëmshme dhe aspak funksionale.

Të shkruarit e librave do të bëhet si rritja e drurëve në parqe, kibernetika do të natyralizohet, natyra e dytë e intelektit bëhet natyra e parë, domethënë natyrë fillestare, plotësohet pambarimisht kuptimi i shumëfishtë i palimpsestit, thjeshtësohet drejt një zanafille parake.

Mijëvjeçari i tretë na rikthen te mijëvjeçari i parë, kur qeniet prehistorike ende nuk kishin emra, pra edhe dallime hierarkike groteske dhe të hiperbolizuara, kur arti qe natyror si vetë ngrënia, akti seksual dhe sidomos vdekja, ah vdekja!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.