KULTURË

“Testamenti i Gjergj Kastriotit, në duart e një arkeologu rus?”

09:30 - 18.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Një studiues, midis dy opsioneve, interesit kombëtar dhe të vërtetës, dy opsione që bien ndesh me njëri-tjetrin, kë duhet të zgjedhë? Kjo është pyetja që Mustafa Nano i bëri profesor Xhevat Lloshit kohë më parë, një pyetje që i është orvatur dhe shpesh në mendje, teksa është marrë vitet e fundit me hulumtimin e historisë. Në Ballkan studiuesit kanë treguar se e kanë të vështirë të ndahen nga nacionalizmi. “Nëse një studiuesi të historisë i bie në dorë një dokument që është dhe unik, i vetmi i këtij lloji dhe që provon se shqiptarët kanë ardhur vonë në Ballkan rreth shekullit të 10-të apo të 11-të, çfarë duhet të bëjë një studiues shqiptar me këtë dokument, ta publikojë, apo në emër të interesit kombëtar ta fshehë apo edhe më keq ta gris? Kjo është pyetja që Mustafa Nano ngriti në një diskutim me librin e tij më të fundit organizuar tek instalacioni Reja. Nën drejtimin e Alda Bardhylit, në debat u përfshinë historianë dhe publicist. Sipas tij, “shpeshherë një numër i caktuar historianësh dhe studiuesish ndalen tek një ngjarje e caktuar, të cilës i bëjnë një përshkrim në mënyrën e tyre dhe po shpeshherë ata mundohen të stisin gjëra dhe çuditem se si mund t’i thonë, për shembull: Viset ilirike janë vise shqiptare dhe bëhet një kalim automatik nga viset ilire në ato shqiptare dhe që për mua aq automatik nuk mund të bëhet”. “Unë jam i sigurt që ata që e njohin historinë e Shqipërisë e dinë se këto nuk janë rezultate të gjetura nga dokumente. Por studiuesi në fjalë u ndal dhe tha se Shqipëria është shkelur nga Shën Pali dhe që është mbështetur nga shumë autorë, por që sipas meje është një tezë që nuk dokumentohet. Një tjetër tezë është që Shekspiri ka shkelur me mendjen e tij në Iliri, në fakt Shekspiri ka shkruar një dramë ku përmend brigjet e Ilirisë por vetëm kaq dhe këtë fakt studiuesit e paraqesin si diçka të madhe për kombin shqiptar. Dhe kjo lloj qasjeje ndonjëherë me duket edhe fëminore sidomos kur bëhet fjala për një studiues, i cili ka lexuar dhe studiuar me mijëra faqe e libra dhe të arrijë kaq kollaj në përfundime të tilla më duket e pa logjikshme.
Natyrisht jo të gjithë të huajt kanë shkruar jo mirë për shqiptarët dhe kemi rastin e Edit Durhamit, e cila mbërriti fillimisht në Mal të Zi, pati kontakt së pari me serbët dhe pastaj u mrekullua pas Shqiptarëve, dhe ju e dini se pas botimeve që ajo bëri për ta, ata e quajtën mbretëresha e pakurorëzuar e Shqipërisë. Por kur shkoi në Maqedoni, ajo ka shkruar shumë keq për maqedonasit.
TESTAMENTI I
SKENDERBEUT
Historiania Nevila Nika duke u ndalur në rëndësinë e një dokumenti u shpreh: “Unë vij nga bota e dokumenteve dhe dua të ndaj me ju diçka që kam lexuar disa vite përpara në lidhje me një dokument, ditari i një prifti dhe që ishte i pabotuar, një ditar dhe një libër historie i jashtëzakonshëm, por që ka përshtypje për fqinjët tanë, por edhe për ne sigurisht dhe në ditar ka një shënim të tillë. Prifti i Manastirit të Shën Vladimirit gjatë vizitës së një arkeologu rus, i ka dhuruar testamentin e Gjergj Kastriotit. Nuk e di se sa është e vërtetë. Ishte viti 1924. Jemi munduar të zbulojmë se kush është ky personazh që ka ardhur nga Rusia dhe i dhurohet ky testament dhe nuk e kemi gjetur deri tani. Këtu është fjala për dokumente të rralla që nëse nuk ekzistojnë më, na prishin shumë punë”. Nika vërejti se është dakord që të botohen ose të bëhen publike disa gjëra sepse ne kemi nevojë të dimë dhe realisht në 50 vjet diktaturë, nuk është se morëm vesh shumë, se çfarë kanë thënë të tjerët për ne, për veç pjesëve që ne na pëlqenin dhe që duheshin thënë, të tjerat duheshin përjashtuar. “Që të dimë se çfarë thonë të tjerët për ne, e mirë apo e keqe, që ta dimë është gjë e mirë. E njëjta gjë është edhe për dokumentet. Ju përmendët Bismarkun, për herë të parë i gjithë materiali i kongresit të Berlinit është disa vite më parë para 100-vjetorit të pavarësisë nga një gazetar Jusuf Buxholli, i cili e ka marrë nga arkivi u Ministrisë së Jashtme në Bon, e ka botuar të gjithin dhe është dhe në gjermanisht, por edhe në shqip dhe kanë bërë komentin përkatës”, tha ajo. Historiania vërejti se nuk është aq e thjeshtë shprehja e Bismarkut Shqipëria një shprehje gjeografike dhe nuk ka asgjë për ta kundërshtuar, por ka qenë shumë komplekse në Kongresin e Berlinit trajtimi i çështjes shqiptare. “Për hir të së vërtetës, osmanët dhe nuk po them turqit, ndaj nesh janë sjellë në mënyrë hakmarrëse dhe ndoshta është pak! Ndarja e shqiptarëve në katër vilajete ku ishin të përzierë dhe gegë dhe toskë, sepse Shqipëria e mesme është gegëri, pra dhe ndarja administrative ishte përça dhe sundo. Në të gjithë këtë mund të them se Shqipëria u zbraz nga truri dhe shpirti i saj. Që do të thotë se pas vdekjes së Gjergj Kastriotit iku nga vendi e gjithë elita apo ajka e këtij vendi”, shtoi Nevila Nika. Ish-drejtorja e Arkivit të Shtetit, pohoi se në këtë aspekt arkivi i Shqipërisë është relativisht i pasur, por vizitohet pak ose aspak nga historianët. “Si arkiviste kam ndjerë dhimbje kur shoh që nuk vinë që ta shfrytëzojnë këtë arkiv”, tha Nika. Sipas saj, përsa u përket marrëdhënieve me fqinjët dhe veçanërisht me grekët, jemi fqinj aq të vjetër sa që periudha e pas krijimit të shtetit shqiptarë është krejt tjetër në krahasim me atë kur ne kemi pasur një marrëdhënie krejt tjetër, natyrisht kjo e kushtëzuar nga kisha apo nga patriarkana e Stambollit bënte të vetën. Ndryshe ka qenë me fqinjët tanë veriorë. Këtë e them sepse e vërtetuar nga dokumente që nga fillimi i shekullit të 18 ka dëshmi pa fund, çfarë bëjnë? Martesa me dhunë! Rrëmbime vajzash, grash, prishja e varreve, dhe kjo është një nga gjërat e para që bënin fqinjët tanë veriorë. “Futja e tyre në kishat katolike në tentativën për ti asimiluar, dhe ka pasur kërkesa drejtuar Papës, në të cilat thuhej se serbët po përpiqen të na asimilojnë dhe ndoshta edhe kjo mund të jetë një nga arsyet e konvertimit në mysliman. Botimi dhe leximi i dokumentacionit është një nga gjërat më të vyera që mund ti bëjmë shqiptarëve”. “Unë kam ndjerë dhimbje më besoni kur kuptoj se Shqiptarët dinë kaq pak për vendin e tyre, për fshatin apo qytetin e tyre. Dhe dinë aq pak sa ju nuk mund ta besoni dhe të shkolluarit jo vetëm ata që janë pa shkollë. E kundërta të ndodh nëse shkon në Plavë apo Guci, ku ata për pak minuta të rrëfejnë historinë e shtatë apo tetë brezave të mëparshëm”, tha Nika. Botuesi Henri Çili tha se, “Mustafa Nano nuk është një njohës i mirë i historisë dhe prandaj ne na intereson, si një kategori e ndërmjetme për ta sjellë në vëmendjen publike të jo historianëve dhe të historianëve, për ta sjellë në mënyrë elegante një nga çështjet tona, më të rëndësishme të kulturës”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.