SPORT

Zbulohet rroga e trajnerit italian të kombëtares, ja milionat që do marrë Panuçi

11:44 - 18.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Trajneri i ri i Kombëtares pritet që të përfitojë një pagë thuajse të njëjtë me atë të Xhani De Biazit në sezonin e parë në krye të Shqipërisë. Burime të besueshme nga institucioni i futbollit në vend për “Panorama Sport” kanë bërë me dije se Panuçi do të përfitojë një pagë mujore prej 20 mijë eurosh.

Kërkesat e ulëta ekonomike kanë ndikuar jo pak në përzgjedhjen e presidentit të FSHF-së për teknikun që do të pasojë De Biazin në krye të Kombëtares.

KONTRATA

Prej javësh, kandidatët për postin e teknikut të përfaqësueses shqiptare kanë qenë në “garë” për të bindur Armand Dukën për të marrë drejtimin e skuadrës shqiptare të futbollit. Nga sa bëhet me dije, burime të besueshme të “Panorama Sport” tregojnë se Panuçi do të nënshkruajë një kontratë prej 2 vitesh e katër muaj. Ai nis aventurën e tij me Shqipërinë pas disa ditësh deri në fund të këtyre kualifikueseve dhe më pas do të jetë në krye të Shqipërisë për edicionin e ardhshëm kualifikues për Europianin e vitit 2020.

NË HAPAT E DE BIAZIT

Të gjithë tifozët shqiptarë presin momentin e firmës në kontratë të Kristian Panuçit për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare të futbollit. Por për momentin, e vetmja firmë që ish-futbollisti i njohur italian ka hedhur është ajo në kontratën e tij si opinionist sportiv. I punësuar apo jo te Shqipëria, Panuçi gjatë sezonit 2017-2018, do t’i kushtojë mesjavat Ligës së Kampioneve. “Mediaset Premium” ka bërë të ditur se kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Shqipërisë do të jetë opinionist në studio në mesjavë në emisionin “Speciale Champions League”, përkrah Arrigo Sakit, Paolo Rosit dhe Alesio Takinardit.

Panuçi bashkëpunon prej disa vitesh me “Premium Sport”, duke qenë opinionist në studio apo edhe në stadium gjatë ndeshjeve të rëndësishme. Falë këtij “dypunësimi”, ai ka rënë dakord me FSHF-në për kërkesa më të ulëta financiare sesa disa emra më të njohur. Edhe Xhani De Biazi, gjatë viteve të fundit, ka qenë i punësuar paralelisht si opinionist te “RSI” në Zvicër për Ligën e Kampioneve dhe “TV8” në Itali për Ligën e Europës.

“NXËNËSI” I KAPELOS

Panuçi është një mbrojtës i njohur në Serinë A italiane. Ai e ka nisur karrierën te Xhenoa në vitin 1990, ndërkohë që pas tri vitesh u transferua te Milan, ku fitoi edhe Champions në sezonin 1993-1994. Në 1996 ndoqi Kapelon në Spanjë, duke u bërë pjesë e Real Madridit, me të cilën fitoi dhe La Ligan në 1997 dhe Champions një vit më vonë. U rikthye në Seria A në vitin 1999 tek Interi dhe në sezonin pasardhës u huazua në Londër, te skuadra e Çelsit e më pas kaloi te Monako.

Në vitin 2001 rikthehet sërish në Itali te Roma, sërish nën drejtimin e Kapelos, ku qëndroi për tetë vite. Panuçi ka qenë një ndër mbrojtësit më të mirë në Itali, teksa i dha fund karrierës në vitin 2010 te Parma. Me kombëtaren italiane ka zhvilluar 58 ndeshje, duke shënuar 4 gola. Pasi vari “kë- pucët në gozhdë”, Panuçi nis karrierën si komentator sportiv në “Sky Italia” në vitin 2011, ndërkohë që më vonë u bë dhe pjesë e spektaklit “Dancing With the Stars”. Në vitin 2012 u zyrtarizua te Palermo për t’u bërë menaxher dhe zbulues talentesh, ku qëndroi vetëm disa muaj.

Po në këtë sezon nis karriera e tij në pankinë. Ai bëhet ndihmës i Fabio Kapelos te Rusia, por largohet nga detyra pas dy vitesh pas përplasjeve që pati me të. Në 2015- ën mori drejtimin e Livornos në Serinë B, teksa e drejtoi këtë skuadër në 36 ndeshje, ndërkohë që në gushtin e vitit të kaluar drejtoi Ternanën.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.