OPINION

Pankartistët si shëmbëlltyra reale e Bashës në Partinë Demokratike

08:14 - 19.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Andi PERMETI

 

Dje Korça foli. Foli nëpërmjet demokratëve të saj, ata demokratë qëndrestarë që kanë kaluar gjithë jetën e tyre duke kontribuar për Partinë Demokratike. Korça foli, siç para saj kishin folur edhe Durrësi dhe Vlora, duke mbushur sallat rreth gjashtë herë më shumë sesa kryetari i vetëshpallur i PD-së. Korça foli me vepra, duke mbështetur në bllok kërkesën legjitime të një grupi anëtarësh të Partisë Demokratike për të zhvilluar zgjedhje demokratike brenda Partisë Demokratike. Por përballë debatit demokratik të demokratëve të Korçës se si mund të ringrihet Partia Demokratike, u shfaqën 6 të rinj (asnjë më pak e asnjë më shumë), vetëm 6 të rinj me pankarta në duar përballë më shumë se 300 demokratëve.

Sipas fotove, dukej qartë që ishin të mbuluar si ata huliganët nëpër stadiume kur bëjnë trazira. Bënin foto, por kujdeseshin shumë, tepër shumë që me pankarta të mbulonin fytyrat e tyre, jo se iu vinte turp, por se nuk kishin asnjë lidhje me demokratët e Korçës. Shqetësimi im real nuk janë këta 6 të rinj, por ai që fshihet mbas frymës së tyre, shëmbëlltyra reale e pankartistëve, Lulzim Basha. Të rinjtë shkruan pankarta me fjalët ‘Mosmirënjohës’, ‘Hipokritë’ dhe ‘Tradhtarë’, por kurrë nuk pyetën veten se kush është mosmirënjohësi, hipokriti dhe tradhtari më i madh i demokratëve. Nuk pyetën veten se kush është mosmirënjohësi i cili ditën e parë që shkeli në Partinë Demokratike u bë deputet dhe të dytën ministër, ku qëndroi për 6 vjet, dhe më pas u bë kryetari i bashkisë më të madhe të Shqipëri, në të cilën humbi për vetëm 4 vjet 50.000 vota. Nuk pyetën veten se kush është hipokriti që kur erdhi e gjeti Partinë Demokratike në qeveri, fituese të vetme. Mbas 4 vitesh, mori 70 mandate, dhe në 2013-ën mori 57 mandate me një kontribut kryesor në humbje të z. Basha si kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytetit me më shumë votues në Shqipëri. Mbas 4 vitesh në drejtim të opozitës së një keqqeverisjeje të panjohur më parë, kryetari i opozitës me zgjedhjet e tij vetjake e katandisi opozitën në vetëm 43 mandate. Sot ka guximin e çmendur t’u thotë demokratëve që “kemi dalë me kokën lart”. A ka më hipokrizi?!

Nuk pyetën veten kush është tradhtari i demokratëve. Kush është ai që për 4 vite rresht e ndoqën në mënyrë të verbër në çdo aksion dhe e mbështetën për 90 ditë rresht në çadër, dhe së fundmi u mbyll me armikun më të madh të demokratëve, me Edi Ramën, në një dhomë për 5 orë. Takim nga i cili asnjë demokrat nuk mori vesh gjë, por si përfundim pa rezultatin e 25 qershorit, rezultat katastrofik për Partinë Demokratike. Së fundmi, shqetësimi më i madh është diferenca ndërmjet dy filozofive. Nga njëra anë është filozofia e një grupi që kërkon ringritjen e PD-së me sloganin: “Askënd për të humbur, gjithkënd për të fituar”, ku qartazi kërkon bashkimin e të gjithë demokratëve, dhe nga ana tjetër është filozofia e z. Basha, që edhe në ditën më të keqe të Partisë Demokratike gjen guximin për të larguar demokratët, gjen guximin për të dërguar njerëz që të ofendojnë dhe të sulmojnë demokratët, ata demokratë që edhe më i riu prej tyre ka më tepër vite në Partinë Demokratike se vetë z. Basha. Korça foli dje si gjithë qytetet e tjera. Demokratët nuk mund të pranojnë Partinë Demokratike me 43 mandate, por, mbi të gjitha, demokratët nuk mund të pranojnë një garë-farsë në Partinë Demokratike. Ne sot dhe kurrë s’kemi për të pasur luksin për të larguar demokratët. Ne sot më shumë se asnjëherë tjetër duhet të jemi të bashkuar. Askënd për të humbur, gjithkënd për të fituar!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.