BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Monika Kryemadhi, qepalla me Redonin. Mevlani i kërkon dorën Mondës

16:00 - 20.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Monika Kryemadhi heq dorë nga telefoni.  Hervinin e paska bërë ‘telef’ “Zonja e bujtinës”. Mevlani i kërkon doren Mondës. “Petro e ke mbyt po mua më vjen gjumë”





Monika Kryemadhi heq dorë nga telefoni
E kishte thënë që do të merrte pushime dhe do t’i dedikohej familjes dhe shtëpisë, por këto ditë ka marrë edhe një iniciativë të re. Monika Kryemadhi ka hequr dorë nga telefoni. Pak kohë më parë ajo mbylli adresën e saj të internetit në Facebook dhe tani, për një kohë të pacaktuar ajo ka vendosur t’i thotë “stop” edhe komunikimit me celular, për ta shijuar tamam pushimin e saj. Kështu që, të gjithë miqtë e saj tani duhet t’i kthehen rrugëve të komunikimit të vjetër, atij me fishkëllima poshtë pallatit. Por të bëjnë kujdes, të mos e shqetësojnë shumë nënën e Monikës, se në vend të përgjigjeve mos u vjen ndonjë kovë me ujë prej saj…


 Hervinin e paska bërë ‘telef’ “Zonja e bujtinës”
“E zonja e bujtinës”, shfaqja më e re që ka sjellë regjisori Hervin Çuli, duhet të ketë qenë me të vërtetë e lodhshme… Ndryshe si e ka përjetuar publiku me të qeshura, në qendrën teatrore “Metropolitan”! (Ndërkaq drejtori i teatrit, Kiço Londo shfaqet i pagojë e me supe të ngrehur! Dikush e paska lënë pa fjalë!) I ulur pikërisht në shkallë me xhaketën në dorë, Hervini është mbështetur dhe menjëherë sytë i janë mbyllur! Siç duket, Hervini nuk e përballon dot njëherësh, edhe punën, edhe ndenjen vonë nëpër lokalet e natës… shenjat e të cilave i duken sakaq në këtë foto. Kështu, Hervin, herë tjetër ndaje punën dhe qejfin! Asnjëherë në të njëjtën kohë të dyja bashkë!


Mevlani i kërkon dorën Mondës
Raportet mes tyre nuk kanë ndryshuar, edhe pse ajo tani gëzon statusin e deputetes së Kuvendit Popullor. Aktori Mevlan Shanaj dhe aktorja Rajmonda Bulku vazhdojnë të kenë mes njëri-tjetrit të njëjtën miqësi si dikur. E madje, edhe në evente të ndryshme artistike ata nuk hezitojnë të shkojnë së bashku. Janë ulur në një prej llozheve, por duket se mendjen nuk e kanë tek shfaqja…
Rëndom ndodh që kur dikush merr një post, i kërkohen ndere… Por Mevlani mjaftohet siç duket me dorën… kërkimin e saj… Ai e shtrin dorën e tij lehtë, mënjanohet pak edhe me trup, madje edhe kollarja e kuqe i ka lëvizur në këtë rast, ku i duket pjesa e brendshme e saj e fshehur në këmishë… e vendos dorën e tij mbi duart e saj, sytë kanë ngelur diku… ndoshta tek shalli blu!!! E megjithatë, Monda nuk ia jep e s’ia jep… Ajo e kalon situatën me një buzëqeshje ironike dhe sytë i ka çuar diku gjetkë… larg Mevlanit!


“Petro e ke mbyt po mua më vjen gjumë”
Rrëfimi i tij është aq i ëmbël, si të tregonte një përrallë… Por në fakt nuk besojmë se ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili po tregon një të tillë, e aq më tepër në mbledhjen e qeverisë! Madje besojmë se biseda duhet të jetë për kombinimin e dy ministrive, asaj të Bujqësisë dhe Shëndetësisë në programet e përbashkëta për një shëndet sa më të mirë. Por, ministri Genc Ruli duket i lodhur! Dhe Vasili ka zgjedhur momentin më të papërshtatshëm për të bërë biseda të tilla. Ai i miraton çdo ide që hedh Vasili, vetëm ama ta lërë të qetë… se kapakët e syve nuk po i mbajnë më peshë…
Ky shkrim u botua më 21 nëntor 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.