Kryesore

Ekzekutimi i Gaz Çollakut, ja “asi” nën mëngë që ka prokuroria. Kamerat e sigurisë fiksuan 4 rrëmbyesit

08:33 - 21.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Xhensila KODRA

 

Pamjet filmike që fiksuan momentin e rrëmbimit të Gazmend Çollakut në janar të vitit të shkuar, pritet të “kryqëzojnë” të pandehurin e vetëm të kësaj ngjarjeje, Denis Shtrazën. Në seancën e djeshme gjyqësore nuk u bë e mundur shfaqja e pamjeve filmike ku pretendohet se janë fiksuar autorët e krimit, mes të cilëve edhe vetë Shtraza, pasi monitori i gjykatës nuk e njihte programin me të cilin ishte ruajtur kjo video. Kështu, ishin pikërisht problemet teknike ato që bënë që Gjykata e Krimeve të Rënda të mos i shihte dje këto pamje, bën me dije Gazeta Shqiptare.

Në pamjet filmike shfaqet momenti kur 4 persona të veshur me uniformë rrëmbejnë Gazmend Çollakun nga parkingu i një lokali, dhe i cili disa orë më vonë u gjet i vrarë në Murqin të Krujës. Gjykata urdhëroi specialistin që të hapte materialin filmik, por kjo ishte e pamundur, për shkak se kompjuteri nuk njihte programin me të cilin ishin ruajtur pamjet.

Pas kësaj, prokurori kërkoi që javën e ardhshme në gjykatë të paraqitet oficeri i policisë gjyqësore, i cili ka bërë sekuestrimin e kamerave të sigurisë të lokalit, pasi prej tyre janë nxjerrë edhe fotografitë që ndodhen në fashikullin gjyqësor. Për këtë arsye, trupa gjykuese vendosi që seanca e radhës të shtyhej për javën e ardhshme.

I pandehuri Denis Shtraza, është i vetmi që po gjykohet për akuzën e rrëmbimit dhe vrasjes së Çollakut. Për këtë ngjarje u akuzua edhe ish-oficeri Ervin Dalipaj, i cili u vra disa muaj më parë në vendin e quajtur “Mbikalimi i Sukthit”. Ndërkohë, Shtraza e kundërshton akuzën e ngritur ndaj tij, duke pretenduar se nuk ka lidhje me ngjarjen. Avokatët e tij mbro-jtës, teksa kundërshtuan provat shkresore të proku-rorisë, vunë theksin te akti i ekspertimit të ADN-së, nga i cili rezulton se gjaku i gjetur në makinën e Ervin Dalipajt nuk është i Shtrazës, provë që sipas tyre e shfajëson atë.

Madje ata theksuan se, sipas një tjetër akt-ekspertimi ADN-je, rezulton se gjaku nuk i përket as viktimës Gazmend Çollaku, duke ngritur kështu dyshimet për një hetim jo të plotë të prokurorisë. Por, lidhur me këtë, prokurori i Krimeve të Rënda tha se në seancën e radhës do të bëjë një analizim të të gjitha akt-ekspertimeve, të cilat sipas tij duhet të vlerësohen në harmoni me të gjitha provat e tjera.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.