OPINION

Ja çfarë nuk thuhet për dëgjesat publike

07:37 - 21.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Julian ZYLA

 

Kur një studiues nga SHBA, Elez Biberaj, njëkohësisht drejtor i Divizionit të Euroazisë i “Zërit të Amerikës”, tha në vitin 2015 se Shqipëria ishte “regjim hibrid”, shumëkush u habit dhe deklarata ishte lajm i ditës. Në fakt, ishte për t’u habitur se si një teori shkencore që diskutohej në shkenca politike prej vitesh, ishte aq pak e njohur në Shqipëri. Por si lidhen dëgjesat publike të z. Rama me renditjen e Shqipërisë si regjim hibrid? Më saktë, çfarë nuk është thënë rreth dëgjesave, në një kohë kur ato janë në qendër të debatit publik?

Përgjigjja është kjo: Dëgjesat publike, me përkujdesjet e nevojshme, mund të përbëjnë një hap të parë drejt zgjidhjes së një prej problemeve kryesore të sistemeve hibride: përfshirjes së publikut në vendimmarrje.

Regjime hibride konsiderohen ato vende që ndërthurin elementë të demokracive liberale, si zgjedhjet apo kalimi paqësor i pushtetit, me elementë të sistemeve autoritare, si liritë politike të kufizuara, korrupsioni apo vendimmarrja jotransparente. Sipas “The Economist Intelligence Unit”, ne renditemi mes vendeve me sistem apo regjim hibrid, edhe pse në vitin 2016 Shqipëria është mes vendeve të para në kategorinë e saj. Pra, kemi mundësi të kalojmë në kategorinë e “demokracive me probleme”, nga ku do të mund të kalonim te demokracitë e plota.

Natyrisht, nëse dëgjesat publike synojnë të jenë vetëm një gjetje PR-i paszgjedhor, nuk do të shërbenin shumë. Por kjo është e pamundur, sepse në momentin që ke ide dhe kërkesa konkrete nga qindra njerëz që marrin mikrofonin e flasin, përse do të mund të zgjidhje të mos i përdorje ato që janë me vlerë? Janë “focus group” i përkryer. Gjetjet do të mund të përmirësonin realisht qeverisjen, duke iu larguar sistemit hibrid e duke iu afruar modeleve të ‘good governance’. Kështu mund të hyjmë në territorin e përfshirjes së publikut në vendimmarrje. Jo çdo gjë duhet dekurajuar në politikë, apo në emër të politikës.

Detajet kanë rëndësi dhe mënyra e trajtimit të dëgjesave dhe ajo e përpunimit të të dhënave nuk janë aspak elementë dytësorë. Nëse ka pakujdesi, duhen rregulluar. Nëse ka rrezik për shkelje etike, duhen shmangur. Por në momentin që ideja e dëgjesave publike ka potencial për të përfshirë për herë të parë njerëzit në vendimmarrje, duhet pranuar.

Debati publik në Shqipëri duhet të jetë më pak i orientuar ndaj notave ngelëse apo maksimale dhe më i orientuar drejt vlerësimit të elementëve përbërës. Na duhen më shumë diskutime rreth çështjeve konkrete sesa rreth personave apo personazheve, sado të rëndësishëm qofshin.

Sa i përket shqetësimit të disa kritikëve se rrezikojmë t’i afrohemi tepër demokracisë së drejtpërdrejtë dhe se qytetarët nuk duhet të vetëqeverisin, edhe për mungesë aftësish në vendimmarrje, mjafton të përmendet që nuk bëhet fjalë për kalimin e pushtetit ekzekutiv te njerëzit, por për një tour konsultimi që mund të informojë më mirë vendimmarrësit mbi situatën e njerëzve për të cilët ata do të përcaktojnë politika.

Dëgjesat publike nuk janë diçka e përdorur për herë të parë në Shqipëri. Shumë udhëheqës realizojnë tour-e të ngjashme përpara fushatave. Hillary Clinton e përdori për herë të parë në garën për Senatin. Politikanë të ndryshëm zhvillojnë vazhdimisht takime në formën e bashkëbisedimit, format i njohur si town hall.

Por a parashikon përfshirja e publikut në vendimmarrje vetëm dëgjesa të drejtpërdrejta? A mund të mjaftojnë ato që të shpallemi vend me vendimmarrje transparente? Natyrisht që jo. Kjo është arsyeja pse dëgjesat mund të jenë një hap shumë i mirë, por vetëm një hap i parë. Kjo është arsyeja pse ato duhet të pasohen nga hapa të tjerë, si debat publik i informuar, transparencë e vazhdueshme në qeverisje etj. Sidoqoftë, një hap i parë për t’u inkurajuar.

Funksionimi i qeverisjes është elementi i vlerësuar më dobët në indeksin e demokracisë së “Economist Intelligence Unit” për Shqipërinë. Ai i vlerësuar më mirë janë liritë civile. Nga dëgjesat publike deri tani rezulton e njëjta renditje.

Me liritë që na garantohen, mund të pranonim të gjithë se problemet për t’u zgjidhur janë të shumta. Disa veprime do të mund të përkeqësonin problemet. Disa do të ishin hapa drejt zgjidhjes së tyre. Dëgjesat publike janë një hap i parë drejt zgjidhjes së problemit të përfshirjes së publikut në vendimmarrje. Pas tyre, z. Biberaj dhe studiues të tjerë mund të konstatonin se jemi ende një sistem hibrid, por kjo nuk mohon faktin që njerëzit duhet të përfshihen. Duhej të ishte bërë edhe më herët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.