Kryesore

Detajet e ceremonisë/ Ilir Meta merr sot drejtimin e Presidencës, ja kush do ta shoqërojë

09:10 - 24.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Darina TANUSHI

Ilir Meta do të marrë sot zyrtarisht detyrën si president i vendit. Në orën 18:00 ai do të bëjë betimin në sallën e seancave plenare, para deputetëve të legjislaturës së kaluar tashmë, një pjesë e të cilëve e mbyllin me këtë seancë të jashtëzakonshme edhe mandatin e tyre si deputetë. Këto ditë, rruga para sallës së Parlamentit është rikonstruktuar, ndërsa vëmendje i është kushtuar dhe gjelbërimit përreth sallës së seancave plenare, ku do të bëhet edhe ceremonia e betimit të Metës. Në seancën e sotme, pritet të jetë e pranishme edhe opozita. Pas kësaj, në orën 19:00, presidenti i sapobetuar do të drejtohet për në Presidencë, ku edhe atje janë duke u bërë përgatitjet e fundit për të pritur të gjithë të ftuarit që do të jenë në ceremoni. Fillimisht Ilir Meta do të pritet në zyrë nga presidenti në detyrë, Bujar Nishani. Më pas të dy do të dalin në sheshin përpara Presidencës, ku Metës, përpara fjalimit të tij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, shkruan “TCH”. Gjatë kësaj ceremonie, Meta do të jetë i shoqëruar nga vajza e tij, e jo nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, e cila e ka bërë të ditur këtë vendim që në momentin kur Meta u votua si president në Parlament. Pas fjalës që do të mbajë presidenti i ri, ai në mënyrë simbolike do të përcjellë paraardhësin Bujar Nishani, moment ky që pasohet nga ceremonia zyrtare me parakalimin e forcave të Gardës së Republikës dhe 21 të shtënat me top. E pas përfundimit të ceremonisë, vetëm një orë pas marrjes së detyrës zyrtarisht si Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të japë intervistën e parë, në orën 21:00 në “Top Story”, përballë gazetarit Sokol Balla.

Qëndrimi

Familja e presidentit të ri Ilir Meta ende nuk e ka vendosur nëse do të zgjedhë të jetojë në rezidencën qeveritare, në vilën nr.4, në zonën rezidenciale të vilave private në Farkë, në periferi të Tiranës. Aktualisht Meta dhe familja e tij jetojnë në banesën e tyre në zonën e Kodrës së Diellit. Ndërkohë, presidenti Bujar Nishani ka filluar të zhvendosë orenditë dhe sendet personale të familjes, në mënyrë që sot, deri në mesditë, sipas protokollit zyrtar ato t’i dorëzohen presidentit të ri Ilir Meta. Po sot, Meta do të merret në ruajtje dhe nga eskorta me 12 shoqërues, që do të ndajnë me orare ruajtjen e kreut të shtetit. Në ruajtje të Gardës së Republikës vendoset dhe zonja e parë Monika Kryemadhi, e cila gëzon dhe statusin e deputetes, dhe eskorta e saj do të përbëhet nga një automjet, shoqërues dhe shofer, sipas “Report TV”. Me mbarimin e ceremonisë protokollare të betimit dhe më pas marrjes së detyrës në selinë e presidencës ku po përgatitet dhe ceremoniali zyrtar, kreu i shtetit, z. Ilir Meta do të marrë dhe automjetin presidencial me TR 0001 Z, “Mercedes-Benz” i blinduar.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.