Kryesore

Atentati ndaj Prelës/ Shkëlzen Buci harroi telefonin në makinë. Përgjimet në qeli pas plagosjes: S’flas, lekët çdo muj’ ke shpia

08:39 - 25.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Klodiana LALA Xhensila KODRA

Shkëlzen Buci, i cili do të paguhej me 80 mijë euro për të ekzekutuar aktorin Mishel Prela, para ngjarjes kishte komunikuar me bashkëpunëtorin e tij, Miklar Tolën. Në dosjen e prokurorisë, të siguruar nga “Gazeta Shqiptare” thuhet se pas kontrollit që i është bërë automjetit me targa AA563-FB (mjeti në pronësi të bashkëshortes së Miklar Tolës) është gjetur një telefon i tipit “Nokia” ngjyrë e zezë. Nga këqyrja e rubrikës së mesazheve të këtij aparati telefonik, në mesazhet e dërguara dhe të ardhura rezulton se janë të regjistruara tri numra telefonikë si 067****** regjistruar me nr.22, numri tjetër 069******* regjistruar me shkronjat Xxx dhe numri tjetër 067****** me shkronjat Zzz. Nga këto numra ka ardhur SMS nga numri 067****** teksti “Te fadili urgjent”, datë 20.07.2017 ora 21:20. Po në këtë datë, ora 21:16 teksti “Hajde te pistonat”, ndërsa në orën 21:13 ishte shkruar SMS “Hajde për Pazar shpejt”. Gjithashtu, nga numri i regjistruar me Xxx, ka ardhur një SMS më datë 20.07.2017, ora 20:03 teksti “këtu jam” si dhe ka ardhur edhe një SMS me tekst “si është situata”. Po ashtu, gjatë këqyrjes së këtij automjeti, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe një sërë provash të tjera.

Masat e sigurisë

Gjykata e Tiranës u komunikoi dje masat e sigurisë katër të dyshuarve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të kryenin vrasjen me pagesë të aktorit Mishel Pela. Ervin Zallumi, i dyshuar si porositës i krimit do të qëndrojë nën masën e arrestit me burg, edhe pse ka mohuar kategorikisht të ketë lidhje me plagosjen e Prelës në afërsi të gjimnazit “Partizani”. E njëjta masë sigurie u caktua edhe për Shkëlzen Bucin, i cili dyshohet se ka pasur rolin e ekzekutorit në ngjarje. Por, ndryshe nga i vëllai, Miklari që të dielën u la në burg, Ermir Tola u la në “arrest shtëpie” me mbikëqyrje elektronike. Ndërsa taksisti Trim Hidri u la në gjendje të lirë dhe sipas urdhërimit të gjykatës, duhet të paraqitet në prokurori sa herë të jetë e nevojshme për rrethanat e hetimit.

Dëshmia e Shkëlzen Bucit

Shkëlzen Buci pranoi të vriste Mishel Prelën dhe me paratë që do të fitonte, do të shlyente borxhet që ai dhe familja e tij kishte marrë për të kuruar vëllain e tij, i cili i kishte vdekur një muaj më parë nga një sëmundje e rëndë. Ai ka rrëfyer për hetuesit se kishte 4 vite që njihej me Ervin Zallumin dhe kishin lidhje shoqërore. Kohët e fundit ai kishte pasur një fatkeqësi, ku para një muaji i kishte vdekur i vëllai 25 vjeç nga një sëmundje e rëndë. Për shërimin e tij, së bashku me familjen kishte marrë borxh tek një fondacion 15 mijë euro dhe për shlyerjen duhet t’i paguante kompanisë 700 mijë lekë të vjetra në muaj, si dhe një shumë prej 15 milion lekësh të vjetra borxh personave të ndryshëm. Nga nëntori i 2016, ai kishte ngelur pa punë dhe pas pak kohësh ishte takuar me Ervin Zallumin dhe i kishte kërkuar që t’i gjente ky ndonjë punë, pasi ishte mirë nga ana ekonomike. Pas disa kohësh, Ervini i kishte kërkuar që të hiqte qafe një person që ai kishte hasmëri, pasi kohë më parë e kishte goditur me thika. Sipas Shkëlzenit, personi në fjalë quhej Mishel Prela dhe për këtë problem kishte bërë edhe burg. Për këtë, ai do të merrte 50 mijë euro dhe 30 mijë të tjera do t’i merrte në fund të këtij viti. Të nesërmen janë takuar tek shtëpia e Ervinit dhe ky i fundit i ka dhënë një pistoletë “TT” me një krehër brenda. Shkëlzeni ka rrëfyer se këtë episod e ka regjistruar me një telefon “Nokia”, tip i vjetër dhe për siguri e kishte futur te reflektori i ngrohjes dhe në momentin që policia i kishte shkuar në banesë, ua ka dorëzuar atyre. Pasi ka marrë pistoletën, Shkëlzeni kishte takuar Miklarin dhe i kishte kërkuar që ta ndihmonte duke ndjekur lëvizjet e Mishelit dhe për këtë do i jepte 25 mijë euro. Një muaj e gjysmë më parë, ai ka treguar se kishte shkuar në malin e Dajtit për të bërë qitje. Sipas tij, ai kishte marrë armën me vete disa ditë me radhë dhe ishte munduar të gjente Mishelin, por dy a tri herë që e kishte parë në zonën e Selvisë, nuk kishte pasur mundësi ta qëllonte, pasi kishte qenë pa Miklarin. Më datë 20.07.2017 rreth orës 20:00 ai kishte shkuar në zonën e Selvisë dhe po pinte dhallë. Miklari i kishte dërguar një SMS që të pinin kafe dhe i kishte shkuar në tavolinë. Pasi janë çuar, kanë shkuar tek automjeti i Miklarit dhe kanë qëndruar në këmbë. Shkëlzeni ka pohuar më tej se në një moment kishte parë Mishel Prelën që po lëvizte me biçikletë. E ka ndjekur nga pas dhe në kroskotin e automjetit të Miklarit kishte harruar telefonin “Nokia”. Pasi e kishte ndjekur, kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte qëlluar me të gjithë fishekët që kishte brenda. Ai ka rrëfyer se pasi ishte larguar prej andej, ishte takuar sërish me Miklarin dhe më pas kishte shkuar në banesën e tij. Gjithashtu, deklaruesi ka rrëfyer se ishte takuar edhe me vëllain e Miklarit, i cili i kishte kërkuar ndihmë për këtë të fundit. Shkëlzeni i kishte telefonuar Ervinit, por i kishte rezultuar i fikur. Më pas, Shkëlzeni është takuar me djalin e dajës së tij dhe kanë qenë duke luajtur bilardo pranë Urës së Babrroit. Aty, ai është kapur nga policia, të cilët i ka çuar në banesë, i ka treguar vendin ku ishte arma. I pyetur se sa herë e kishte ndjekur Mishelin, Shkëlzeni ka treguar se e ka bërë rreth një muaj e gjysmë që nga momenti që Ervini i kishte dhënë armën. Para 3 apo 4 ditësh para ngjarjes, ai kishte komunikuar me Ervin Zallumin rreth ngjarjes në fjalë, ku Ervini e kishte pyetur nëse e kishte parë Mishelin dhe më pas i kishte thënë: “Ti nuk je për atë punë dhe nuk e bën dot”.

Ervin Zallumi mohon përfshirjen në ngjarje: Njoh veç Mishel Prelën

Ervin Zallumi mohon të ketë dijeni në lidhje me ngjarjen ku mbeti i plagosur Mishel Prela, por ka shpjeguar se ai e njeh Mishel Prelën dhe ka rrëfyer se para 7 vitesh është plagosur me thikë nga ky person dhe se më pas nuk kishte pasur konflikte me të. Ai ka shpjeguar se më datë 20.07.2017, nga ora 19:00 deri në orën 21:40 kishte qenë në banesën e tij dhe më pas kishte dalë nga banesa dhe kishte pirë kafe me disa shokë tek Pazari i Ri. Në lidhje me këtë ngjarje, ai ishte informuar nga interneti, ku kishte mësuar se ishte plagosur Mishel Prela. Me vete Zallumit i është gjetur një aparat telefoni i tipit “Nokia” me numër 069xxxx845, numër të cilin e ka deklaruar se e kishte aktivizuar ditën që i është marrë deklarimi. Po kështu, ai ka shpjeguar se nuk e mbante mend numrin e telefonit që kishte pasur më përpara dhe i pyetur nëse shtetasi Mishel Prela i kishte çuar ndonjë person për t’u pajtuar në lidhje me konfliktin e mëparshëm, ai ka deklaruar se Misheli nuk i ka çuar asnjë person që të pajtoheshin. Është bërë këqyrja e aparatit celular të shtetasit Ervin Zallumi, ku ka rezultuar se ai nuk kishte të regjistruar asnjë numër telefoni, asnjë thirrje hyrëse-dalëse, si dhe asnjë mesazh të ardhur apo dërguar, ku është bërë edhe sekuestrimi i këtij telefoni.

 

Atentati te “Partizani”/ Bisedat mes 2 vëllezërve, Miklar dhe Ermir Tola. “Koli”: Mua më rruajnë… se s’kam shti”

 

Klodiana LALA Xhensila KODRA

Biseda e bërë në polici mes dy vëllezërve, Ermir e Miklar Tola, pas arrestimit të këtij të fundit, ka zbuluar pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal që morën pjesë në atentatin e përgatitur ndaj aktorit Mishel Prela. Përgjimi u krye me urdhër të prokurorit të çështjes. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dosjen e plotë të përgjimeve të bëra nga organi i akuzës. Në përgjimin e bisedave ambjentale midis Miklarit, i cili thirret ndryshe edhe me emrin “Koli” dhe vëllait të tij, Ermirit, zbulohet personi që kishte marrë përsipër vrasjen e 31-vjeçarit. Mik-lari i thotë të vëllait se paratë nuk kishin shkuar në shtëpi dhe se ai duhet të gjente e të takonte Xenin (Shkëlzenin) që t’ja dërgonte dhe t’i gjente avokatin më të mirë për ta nxjerrë nga biruca, ose në të kundërt do të tregonte gjithçka që dinte, pasi sipas tij, ai nuk kishte bërë gjë me dorën e vet.

Dëshmia e Miklar Tolës

Miklar Tola, i pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit po zhvillohen hetimet, ka deklaruar se njihej me shtetasit Ervin Zallumi dhe Shkelzen Buci. Ai ka treguar se rreth një muaj e gjysmë më parë e ka takuar Shkëlzenin dhe ky i fundit i kishte thënë se Ervin Zallumi i kishte ofruar shumën e 50 mujë eurove në dorë që të vriste Prelën dhe pas realizimit do t’i jepte edhe 30 mijë euro të tjera. Po ashtu, Ervini është shprehur se nëse do të kishte problem dhe do të zbulohej vrasja, ai do ta ndihmonte. Miklari ka treguar më tej se Shkëlzeni i kishte kërkuar ndihmë për vrasjen dhe të mbante nën vëzhgim Mishelin, dhe si shpërblim do të merrte 25 mijë euro pasi të realizohej vrasja. Shkëlzeni i kishte dhënë Miklarit një aparat Nokia me të cilin do të bisedonin vetëm me sms. Sipas tij, ditën e ngjarjes kishte shkuar me makinën e bashkëshortes së tij përballë gjimnazit “Partizani” dhe kishte parë Shkëlzenin në trotuar. Pasi i ka folur, Shkëlzeni kishte hipur në makinë dhe teksa po bisedonin, aty kishte kaluar Misheli me biçikletë. Të dy kanë zbritur nga makina dhe Shkëlzeni i ka folur “O Mishel” dhe më pas Miklari ka dëgjuar disa krisma. Nga frika, ai ka thënë se ka ikur me vrap drejt sheshit “Avni Rustemi” dhe makinën e kishte e kishte lënë atje. Ai ka rrëfyer se i ka dërguar sms Shkëlzenit, por duke qenë se ky nuk i kishte kthyer përgjigjie e kishte thyer kartën e telefonit. Pasi kishte qëndruar tek stacioni i autobusit, ka shkuar Shkëlzeni pas 5 minutash me një taksi dhe i ka bërë shenjë që të shkonte edhe ai. Kanë shkuar deri tek shkolla “Bajram Curri” dhe kanë zbritur. Shkëlzeni i ka dhënë 50 mijë lekë të vjetra dhe është larguar për në banesë, ndërsa Miklari ka pirë një kafe, ka marrë ilaçet e bashkëshortes dhe me një taksi ka shkuar në banesën e tij. Miklari ka rrëfyer edhe për telefonin që kishte komunikuar dhe që i kishte thyer kartën e kishte lënë në xhepin e derës nga krahu i djathtë në taksinë që kishte marrë pas ngjarjes dhe se taksistin e njihte Shkëlzeni.

Ermir Tola: Garancia që më dha Shkëlzeni për vëllain

Ermir Tola ka rrëfyer për hetuesit e çështjes takimin që kishte zhvilluar me Shkëlzenin, pasi kishte biseduar me të vëllain, Miklarin. Ai ka deklaruar se në datën 21.07.2017, rreth orës 16:30, i ka çuar një SMS shtetasit Shkëlzen Buci, me të cilin kishte lënë takim te Medreseja. Pasi ishte takuar me të, ai i ka thënë Shkëlzenit se vëllai i tij ishte futur në birucë për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë dhe e ka pyetur se çfarë kishte ndodhur, pasi vëllai i tij nuk i kishte treguar gjë, por Shkëlzeni i ishte përgjigjur se “nuk ka gjë”. Ai ka rrëfyer më tej, se i ka thënë Shkëlzenit se “më tha vëllai për ato lekët”, por Shkëlzeni i është përgjigjur që nuk është personi që t’i marrë lekët. Pasi e ka pyetur se çfarë do të bëhej me vëllain e tij, Shkëlzeni ka thënë që “lekët do t’i ketë të paguara, shpenzimet do t’i ketë të hequra”. Po ashtu, Ermiri ka deklaruar se gjatë bisedës së zhvilluar me vëllain e tij (Miklarin) në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, Miklari i ka thënë se ndodhej aty për shkak të ngjarjes së ndodhur te gjimnazi “Partizani”, ku ishte plagosur një person, dhe se Miklari i kishte kërkuar të shkonte të takonte Shkëlzenin dhe t’i thoshte “Për ato që ishin 25 apo 30 mijë euro”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.