SPORT

Gjici largon Gjokën pa i komunikuar vendimin. Kukësi-Gega, akord  për stolin e kampionëve

08:52 - 25.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pas eliminimit nga Sherif Tiraspoli në Champions, te Kukësi janë vënë në kërkim të trajnerit të ri. Kontrata e Ernest Gjokës përfundoi zyrtarisht, e pavarësisht se tekniku i udhëhoqi verilindorët drejt titullit të parë në histori, klubi nuk i ka dhënë sinjale rinovimi. Asnjë telefonatë nga drejtuesit e klubit për t’u ulur në bisedime, ndoshta për një marrëveshje të re. Përkundrazi, zyrtarët e Kukësit kanë nisur negociatat me kandidatët e mundshëm për të marrë drejtimin e stolit.

Në krye të listës është ish-trajneri i Kombëtares Shpresa, Skënder Gega. Këtë të hënë, ish-mbrojtësi i Partizanit dhe Kombëtares shqiptare u takua me presidentin Safet Gjici, ndërsa pas negociatave u fotografua duke biseduar edhe me menaxherin e klubit të Kukësit, Naim Halili. Biseda ka qenë konkrete, për të vazhduar një projekt që synon ta mbajë Kukësin në nivele të larta. Për të ndërtuar një skuadër që të jetë protagoniste në Kategorinë Superiore, ku synohet mbrojtja e titullit në Shqipëri, por edhe me ambicien që të vijojë paraqitjet e mira në Europë.

Në takim palët parashtruan kërkesat e tyre dhe diskutuan rreth detajeve të ofertës. Në këtë mënyrë, Kukësi e konfirmon Skënder Gegën si një kandidat potencial për stolin, ndërsa trajneri zgjodhi pak kohë për ta studiuar me qetësi propozimin. Gjatë këtyre dy-tri ditëve pritet që palët të marrin një vendim përfundimtar. Emri i 53-vjeçarit të lindur në Tropojë është diskutuar gjatë muajve të kaluar edhe si alternativë për postin e drejtorit teknik të klubit.

Merkato

Kukësi kërkon lojtarë për mbrojtjen, pasi me përfundimin e sezonit u larguar Entonio Pashaj, ndërkohë që pritet që të njëjtin fat ta ketë edhe Rexhep Memini. Durrsaku u largua disa ditë para ndeshjeve të kupave të Europës, por largimi i Albi Allës i prishi planet Kukësit, që e ktheu atë në ekip. Së fundmi po qarkullojnë dy emra që do të vijnë te verilindorët si alternativa dhe njëri është rikthim: Konstandin Ndoni, ish-lojtar i Apolonisë, që aktualisht luan në Greqi. Një tjetër emër është ai i Bruno Lipit, mbrojtësit që në Shqipëri është aktivizuar me Bylisin, Laçin dhe Turbinën. Verën e shkuar ai iu bashkëngjit kurbinasve, por në janar bardhezinjtë ndërprenë kontratën me të. Me Laçin ai luajti në 10 takime, 7 si titullar, ndërsa më pas me cërrikasit luajti në 6 ndeshje dhe shënoi dy gola.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.