OPINION

Brexit dhe “soft” diplomacia mbretërore

07:35 - 26.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Dr. Jorgji KOTE

 

Më 17 korrik, kur ministri britanik David Devis shkonte në Bruksel për të nisur negociatat e “divorcit” me BE-në, princi Williams dhe Catherine, dukesha e Cambridge zbritën në Varshavë. Ndërsa në fund të javës, më 21 korrik, kur misioni britanik kthehej nga Brukseli pas përfundimit pa ndonjë bilanc të raundit të parë, çifti i ri mbretëror përfundonte me shumë sukses turin e tij zyrtar në Gjermani. Përkitja në kohë e këtyre dy ngjarjeve kryesore politike nuk ishte aspak rastësi. Ato i lidh natyrshëm “mali” me dosje plot me probleme dhe vështirësi të të gjitha llojeve pas fitores së Brexit një vit më parë, e do të vijojë të jetë në qendër të vëmendjes së politikës, medias dhe publikut evropian e më gjerë. Sepse përditë dalin fakte që dëshmojnë gabimin trashanik me emrin “Brexit” dhe koston e pallogaritshme jo vetëm materiale, por edhe ekonomike që do të paguajnë shtetasit evropianë, britanikë e në veçanti rinia.

Veç sa sipër, sfida më e madhe për Mbretërinë e Bashkuar është imazhi i saj dhe e ardhmja me vendet anëtare të BE-së. Që Brexit të mos jetë fundi ose dhe zbehja e dialogut, miqësisë e bashkëpunimit me aleatë tradicionalë. Ndaj, në rend të ditës për Londrën zyrtare ka dalë zhvillimi i një fushate tërësore dhe aktive diplomatike, e mbështetur me hapa, strategji dhe mesazhet e duhura. Mirëpo këtë sfidë shumëdimensionale nuk mund ta përballojë dot qeveria e re e Theresa May e krijuar pas Brexit, sidomos me rënien e numrave të saj në Parlamentin britanik pas zgjedhjeve të parakohshme një muaj më parë. Edhe diplomacia zyrtare britanike është e kufizuar në këtë drejtim për shkak të mungesës së besueshmërisë; sepse në krye të saj është Boris Johnson, një ndër protagonistët më të zellshëm dhe aktivë të fitores së Brexit.

Kësisoj, kjo barrë e madhe historike i bie kryesisht monarkisë britanike. “Arma” më e fuqishme e saj, pas mbretëreshës mitike Elisabetë, gjithsesi e kufizuar në turet jashtë vendit për shkak të moshës, mbetet pa dyshim Willim & Kate. Dhe kjo jo thjesht për sharmin dhe popullaritetin planetar që gëzojnë dhe rrezatojnë, por për reputacionin absolut, sepse Princi William është nipi i Mbretëreshës Elisabetë, djali i madh i Lady Diana, “Princeshës së Zemrave”.

Kurse dukesha Kate është përfaqësuese e popullit të thjeshtë, që brenda fare pak viteve bashkë me William dhe Princ Harry e kanë modernizuar monarkinë britanike dhe ndërkohë e kanë sjellë atë gjithnjë e më shumë pranë shtresave të thjeshta dhe të margjinalizuara të shoqërisë. Si prindër model me të dy “popstar- et” e tyre të vegjël, George dhe Charlote, William dhe Kate janë bërë magnet unikal mediatik dhe publik, që thithin njerëzit e të gjitha moshave kudo në botë.

Edhe përzgjedhja e këtyre dy vendeve nuk ishte rastësi. Polonia është ndër vendet më të mëdha të BE-së, polakët zënë vendin e dytë për nga numri në Britani, e kaluara e saj komuniste dhe ndër pionieret e demokracisë; por dhe se kohët e fundit po rrezikon seriozisht të largohet nga këto shina. Takimi i parë në Varshavë u bë me presidentin Duda, i cili dy ditë më parë refuzoi të nënshkruajë ligjin e ri anti-demokratik mbi reformën e drejtësisë.

Gjithsesi, theksi i këtij turi ishte Gjermania, lideri dhe vendi më i madh i BE-së, me historinë e saj të spikatur, me tragjeditë dhe arritjet spektakolare, pa lënë mënjanë edhe rrënjët e përbashkëta të monarkive të të dyja vendeve.

Në disa shkrime të shtypit të huaj, ky tur në Poloni dhe Gjermani cilësohet si “ofensivë sharmi”. Kjo qëndron, sepse gjatë këtij turi, me mijëra e mijëra banorë mblidheshin spontanisht e prisnin me orë të tëra me brohoritje dhe ovacione për të parë e përshëndetur William dhe Kate; ata treguan simpatinë e tyre me një larmi formash të improvizuara – dikush një lule, një lodër për fëmijët, një fotografi, shtrëngim duarsh, te përqafimi prekës i një fëmije jetim në Berlin që vrapoi te Kate sikur të ishte nëna e tij etj.

Megjithatë, kjo vizitë ishte shumë më e gjerë se aq; ajo ishte ofensivë e “soft diplomacy” ose “diplomaci e butë”, që tërheq, fiton simpatinë dhe bind njerëzit dhe publikun me shumë komponentë të larmishëm – sharmin, famën, bujën dhe imazhin mbretëror, pamjet që bëjnë xhiron e botës, mirësinë që rrezatojnë, të shoqëruara gjithnjë me përmbajtje dhe projekte të shumta në të gjithë botën.

Këtë e tregon qartë edhe axhenda e kësaj vizite, që këtë herë ishte ndërtuar në funksion të 4 synimeve madhore:

Së pari, thirrje dhe nxitje politikës në të dyja vendet dhe më gjerë, që pavarësisht vështirësive që krijon Brexit, mbi bazën e parimeve, vlerave dhe sfidave të mëdha të përbashkëta me të cilat ballafaqohemi, të hartojë dhe zbatojë masa dhe reforma me përfitime të prekshme për popujt, për të rritur sigurinë dhe për të promovuar miqësinë, bashkëpunimin dhe solidaritetin, hapjen, kompromisin dhe tolerancën.

Këto tema, edhe pse në konfidencialitet të plotë, u trajtuan në takimet e gjata me Presidentin e Polonisë, Duda, atë të Gjermanisë, Steinmeier, dhe në veçanti me Kancelaren Merkel, kryetarët e bashkive etj. Këtë ide Princi William e theksoi edhe në fjalën e tij në pritjen tradicionale në rezidencën e ambasadës britanike në Berlin, në prani të 600 personaliteteve dhe përfaqësuesve të politikës, ekonomisë, biznesit etj.

Së dyti, evokimi i së kaluarës, sidomos i vuajtjeve dhe tragjedive të shkaktuara nga papërgjegjshmëria dhe aventurizmi i forcave nacionaliste, populiste dhe ekstremiste të të gjitha ngjyrimeve; këto mesazhe u dhanë edhe në vizitat emocionuese në kampin nazist të përqendrimit pranë Gdansk në Poloni dhe në memorialin e Holokaustit në Berlin, në bisedat me veteranë dhe të mbijetuar në të dyja vendet.

Së treti, rritja e rolit të arteve, kulturës dhe sporteve. Gjatë këtij turi 5-ditor, u bënë vizita dhe takime të ngrohta në disa muzeu dhe ekspozita. William dhe Kate asistuan në koncertin e fëmijëve në Filarmoninë e Hamburgut, në mbrëmjen me artistë dhe përfaqësues të kulturës në Berlin etj. Ndërsa në qytetin e Heidelbergut pati dy momente kulminante; takimi me drejtues të universitetit të mirënjohur që ka 250 vjet bashkëpunim me Universitetin e Cambridge; gjithashtu në Heidelberg çifti mbretëror mori pjesë direkt në një garë miqësore kanotazhi, duke promovuar miqësinë ndërmjet dy vendeve dhe vetë këtë sport të bukur.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, si në çdo vizitë dhe mision tjetër, William dhe Kate dhanë mbështetjen e tyre morale dhe konkrete për fëmijët jetimë, ata me sëmundje të pashërueshme, me aftësi të kufizuara etj. Këtë ata e treguan bindshëm në qendrat e kërkimit dhe trajtimit shëndetësor që vizituan. Tejet emocionuese ishte vizita dhe bisedat prekëse në Qendrën e Kujdesit me 1.500 fëmijë jetimë në Berlin.

Gjatë këtij turi, më shumë se në çdo rast tjetër ra në sy të publikut se William dhe Kate janë gjithnjë me “me këmbë në tokë”; ata shqetësohen, interesohen dhe dëgjojnë me shumë vëmendje dhe pa asnjë dallim bashkëbiseduesit e tyre – veteranë 90-vjeçarë, kërkues dhe shkencëtarë, të rinj e të reja të angazhuar në projekte kundër vetëvrasjes, dhe deri te fëmijët jetimë; natyrisht, duke i nxitur dhe inkurajuar më tej në veprimtarinë e tyre.

Kjo vizitë, jo vetëm ia arriti qëllimit për të paraqitur një Britani ndryshe nga perceptimet që jep Brexit, e gatshme për miqësi e bashkëpunim, por u bëri nder dhe vetë mikpritësve të lartë dhe imazhit të këtyre dy vendeve. Sidomos në Gjermani, që ndodhet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 24 shtatorit dhe qytetit të Hamburgut, pas pamjeve të llahtarshme të dhunës dhe vandalizmit të shfrenuar gjatë Samitit të G20-ës vetëm 10 ditë më parë.

Cili politikan, sado i lartë, nuk do t’i dëshironte këto foto, pamje dhe momente të rralla “soft”? Por, William dhe Kate sollën gëzim dhe festë për të gjithë, të shoqëruar me pamje të pashlyeshme që japin vetëm kënaqësi, frymëzim dhe simpati për ta, për monarkinë dhe popullin britanik.

Së fundi, siç nënvizohet në komentet e shtypit të huaj, këto pamje dhe aktivitete që janë vetëm fillimi i ofensivës së soft diplomacisë mbretërore britanike “post-Brexit”, po shihen me interes dhe vëmendje edhe në Bruksel; dhe kjo nuk është pak si fillim që procedurat e Brexit me BE-në të jenë sa më të buta dhe me më pak pasoja.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.