KULTURË

Festivali , muzeu që ndryshon një qytet, në “DokuFest”

09:30 - 26.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Pjesë e Festivalit të Filmit “DokuFest” këtë vit është edhe Marubi, në atë që është quajtur programi i fotografisë. Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër, ka bërë një përzgjedhje të fotografive të kuruara nga koleksioni i gjerë prej 500.000 negativësh, që përfaqësojnë tre breza fotografësh. Ato do të paraqiten përmes aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen përgjatë “DokuFest”.
Arkiva e fotografive të Marubit kap dhe dokumenton ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë (1856-1959) dhe përfshin fotografi magjepsëse të ngjarjeve të ndryshme publike, ritualeve shoqërore, kryengritjeve në malësi, që mbulojnë pikëpamje historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike. Programi përfshin një ligjëratë me drejtorin e muzeut, ekspozitë ‘art rruge’ në hapësirat e qytetit, një punëtori për fanzine, si dhe ekspozitë video-mapping, duke sjellë për herë të parë në Prizren një shikim unik të këtij koleksioni fantastik. Më 5 dhe 6 gusht, Muzeu Kombëtar i Marubit do të organizojë një punëtori të ‘street art’, duke riaktivizuar arkivin e fotografive në rrugët e Prizrenit, për t’i dhënë jetë dhe bërë pjesë të panoramës së qytetit. Dita e parë e seminarit përfshin një ligjëratë interaktive teoriko-multimediale mbi kulturën e ‘street art’. Të udhëhequr nga artisti Ergin Zaloshnja, pjesëmarrësit do të riadaptojnë imazhet e arkivës në muret e Prizrenit në ditën e dytë të punëtorisë, përmes metodës ‘sticker art’, duke krijuar një ekspozitë të hapur si një dhuratë për qytetin.





MUZEU QË NDRYSHON NJË QYTET
Në një dialog mes trashëgimisë kulturore të së shkuarës dhe Muzeut të ri të Fotografisë “Marubi”, më 7 gusht drejtori i këtij institucioni, Luçjan Bedeni vjen të na prezantojë projektet më të reja të një “muzeu që ndryshon një qytet”, si vazhdimësi e misionit të Marubëve dhe përmes programeve të ndryshme, të cilat nga njëra anë sjellin më afër historinë e të parës studio fotografie shqiptare, e nga ana tjetër kërkojnë të sensibilizojnë më të rinjtë, ata që fotografinë e shohin si një instrument komunikimi të përditshëm, ndaj rëndësisë së ruajtjes së vlerave të kësaj trashëgimie dhe tejçimin e tyre në brezat e ardhshëm. Mandej, pjesëmarrësit e rinj do të mësojnë rreth koleksionit të muzeut, duke eksploruar temat e dy ekspozitave të fundit të tij: ‘Manipulim’ dhe ‘Rroftë!’. Udhëhequr nga artistja Blerta Hocia, më 9 gusht, ata do të përdorin detaje, do të zmadhojnë imazhet dhe do të bëjnë kolazhe për të shprehur vizionin e tyre në një fanzinë. Kurorëzimi i bashkëpunimit të “DokuFest” dhe Marubit do të jetë ekspozita video-mapping e koleksionit të muzeut më 11 gusht, që do ta kthejë sipërfaqen e një ndërtese qendrore të Prizrenit në një ekspozitë dinamike të fotografisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.