Kryesore

“Ti s’bën për këtë punë, për asgjë s’më duhesh”, zbardhet vrasja e policit, i biri: Kur kisha pistoletën në dorë, më dridhej trupi

11:16 - 26.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Xhensila KODRA

Mirald Metallari, i cili dy ditë më parë vrau të atin polic dhe plagosi nënën e tij, ka shfaqur pendesë për krimin e kryer, duke u kërkuar uniformave blu që ta lejonin t’i jepte të atit lamtumirën e fundit. Mesditën e djeshme, familja Metallari nga Kukësi përcollën për në banesën e fundit Myftarin, efektivin 55-vjeçar i cili u vra me 3 plumbat e qitur nga arma e tij e shërbimit. Ngjarja e rëndë u shënua në banesën e tyre në Bathore, ndërsa 21-vjeçari, i cili është marrë për disa herë me radhë në pyetje nga oficerët e krimeve, ka shfaqur gjendje të rënduar psikologjike. “Më lejoni ta shoh për herë të fundit e t’i jap lamtumirën. Unë nuk doja ta vrisja. Nuk doja të shkatërroja familjen time. Nuk e di se si kam qëlluar. Kur kisha pistoletën në dorë, po më dridhej trupi”, – ka rrëfyer mes lotësh Miraldi, duke shprehur pendesë të thellë për atë që ka bërë. I riu u ka kërkuar uniformave blu t’i jepnin informacion edhe për të ëmën, të cilën po e dërgonte vetë në spital deri në momentin që u ndalua nga policia. “Më tregoni për shëndetin e nënës. Si është ajo? A është mirë? Dua ta shoh edhe atë…”, – është shprehur ai mes dhimbjes. Miraldi 21-vjeçar, pas një debati me babain i rrëmbeu atij armën e shërbimit dhe e qëlloi për vdekje. Plumbat nuk kursyen as të ëmën, Nurien. Ajo, sapo ka parë djalin me pistoletë, ka hyrë në mes për të shuar debatin mes bashkëshortit dhe të birit. Për policinë, dëshmia e saj pritet të jetë me interes për hetuesit, pasi ka qenë personi më në brendësi të problemit të tyre. 47-vjeçarja mori tre plumba në trup dhe fatmirësisht gjendja e saj është e qëndrueshme. Burime pranë policisë bënë me dije se kanë tentuar ta marrin atë në pyetje, por për shkak të gjendjes së saj të rënduar nuk ia kanë arritur. E tronditur për skenën që kishte parë, ajo ka kërkuar të dijë si ishte familja e saj. Po ashtu, grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe dy vajzat e familjes, të cilat nuk kanë dhënë ndonjë detaj të vlefshëm për hetimin për shkak të tronditjes së tyre psikike.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën, rreth orës 11:20, në familjen Metallari në Bathore, tri javë para dasmës së vajzës së madhe. E gjithë skena e krimit ndodhi brenda shtëpisë njëkatëshe të familjes me origjinë nga Gabrica e Kukësit, në rrugën “Besëlidhja”, në periferi të kryeqytetit. Sipas hetuesve, gjithçka mori shkas pas sherrit babë e bir për një bordurë betoni që ata do të ndërtonin rreth e rrotull banesës së tyre. Nga ana tjetër, policia është duke hetuar për shkaqet e plota që çuan në tragjedinë e krijuar në familjen Metallari. Burimet sqaruan dje se, ndonëse Miraldi ka pohuar se gjithçka nisi për një bordurë betoni që po ndërtonin në banesë, uniformat blu po hetojnë edhe për të shkuarën e 21-vjeçarit, si dhe marrëdhëniet e tij me pjesëtarët e tjerë të familjes.

Dosja e Prokurorisë

Zbardhen detajet nga tragjedia e ndodhur dy ditë më parë në Bathore, kur 21-vjeçari Mirald Metallari qëlloi për vdekje të atin polic me armën e shërbimit dhe plagosi rëndë nënën e tij. Në dosjen që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë është zbardhur e gjithë dinamika e krimit të rëndë, siç raporton gazetarja Klodjana Lala për Balkanweb.

Sipas prokurorisë, 55-vjeçari Myftar Metallari kanë qenë duke punuar në oborrin e shtëpisë për të ndërtuar një rrip betoni bashkë me djalin e tij Miraldin. Në momentin që i biri po transportonte karrocën me beton dhe i është derdhur dhe i ati nuk ka duruar duke nisur kritikat ndaj tij. “Ti s’bën për këtë punë, për asgjë nuk më duhesh”,- mësohet ti ketë thënë ai të birit.

Djali në nerva e sipër ka hyrë brenda në banesë, ndërsa i ati e ka ndjekur nga pas. Janë përleshur në korridor dhe djali ka marrë pistoletën në dhomën e të atit. Në këtë moment e ëma Nurie Metallari ka hyrë në mes për t’i ndarë dhe është qëlluar me 3 plumba. Pas saj, Miraldi ka qëlluar edhe të atin me tre plumba.

Në shtëpi mësohet të kenë hyrë më pas dy motrat e Miraldit, njëra prej të cilave martohej në mes të gushtit.

Pas mbledhjes së provave dhe dëshmive për ngjarjen Prokuroria ka kërkuar ‘arrest me burg’ për Mirald Metallarin, për dy vepra penale, për vrasje dhe plagosje.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.