KULTURË

FOTOT / Brenda shtëpisë së Abatit dhe alfabetit, rrënimi si ‘modus vivendi’

12:02 - 27.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Fatmira NIKOLLI

Në anë të Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, gjendet një godinë dykatëshe, copëzat e së cilës, bien çdo ditë, duke ia zbehur por pa ia fshirë hijeshinë që kishte 100 vite më parë. Kjo ‘ngrehinë’ që sot ngjall një trishtim të pashtershëm, njësoj si ‘zonjat e mëdha’, me gjithë rrënimin e vitet, bart një histori për të treguar dhe ruan ende bukurinë e kahershme, nën rrudhat e moshës. Në imazhet që po boton “Gazeta Shqiptare” e gjejmë historinë të mpakur para syve tanë! Si një dokument i shkruar me laps që me vitet zbehet deri në zhdukje, historia e kësaj godine bëhet e mjegullt në fundin e 800-ës e fillimin e 900-ës, ndërsa në Shkodër të thonë se vetëm Willy Kamsi i dinte me siguri ecejaket e saj në tre shekuj. Por Willy Kamsi na la këtë vit, ndërsa godina, ende. Ajo dëshmon para syve tanë të qepur, një dinjitet tragjik.
Një shkallare që të nxjerr në kat të dytë, ka në anë mure të mykura, mbajtëse prej druri pothuaj të kalbur, ndërsa dyert e dritaret, 100 vite më pas, i ruajnë ende gdhendjet në drurin që është ngrënë sa nga kalbja aq edhe nga insektet. Gjithçka ruhet e dhëmbëzuar, nga harqet te vetratat, nga tullat e bardha që dikur qenë të padukshme brenda murit, te kolonat mbajtëse, ku u shkrep fotoja e elitës kulturore të Shkodrës nga Marubi; diku ruhen ende gjurmët e altarit të kapelës së vogël që gjendej në shtëpinë e Abatit, hijembeturat yje të pikturuara në një mur në të kaltër; çdo gjë në ngrehinën që shuhet të flet për një histori që po humb. Vetëm tjegullat, vetëm ato ende mbahen, për të mos futur brenda zemërimin e qiellit. Ndërsa përqark ngrenë krye kryeneçe ndërtime të reja, ajo ul kryet përditë, ndërsa bekimet e saj i marrim përditë.
Në Shkodër i thonë ‘Shtëpia e Abatit’ ose selia e shoqërisë ‘Bashkimi’, falë së cilës kemi alfabetin e shqipes. Fjalori i ‘Bashkimit’, sikundër u quajt në motet më pas, sipas alfabetit latin, u miratua në Kongresin e Manastirit (1908). Qe pikërisht në këtë shtëpi që në foto na shfaqet në imazhet e veta më të dhimbshme, prej nga doli ky alfabet.


Si shtëpi e Abatit, ajo u bë edhe selia e shoqërisë së themeluar prej tij në janar 1899, në Shkodër, e mandej veç emrit të tij te “Bashkimi”, dhanë ndihmesën e vet të çmuar edhe emra si At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dodë Koleci, Dom Ndoc Nikaj, Anton Xanoni, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, Atë Ambroz Marlaskaj, Nikollë Sheldija. Studimet kanë dëshmuar se për t’u bërë pjesë e Shoqërisë, veç klerit qenë ftuar edhe laikë, të cilët nuk u aktivizuan për të mos krijuar dyshime në autoritetet e vendit. “Akademia e krijueme pak kohë ma parë në Shkodër,- i shkruante Gurakuqi, De Radës, na ka dhanë nji alfabet kombëtar. Do të hartojnë edhe nji gramatikë e nji fjalor”.
Në kohën kur Abati u vendos në këtë godinë, kishte lënë pas kohën në burgun e Stambollit për kryengritje ndaj osmanëve, ish kthyer nga misioni në SHBA ku e kish dërguar Vatikani, kish kryer edhe detyrën e caktuar në Indi përkrah kardinalit Antonio Agliardi, ndërsa me një dekret të Papa Leonit XII, ishte përtërirë Abacia e Shën Lleshdrit dhe i ish dhënë detyra e Abatit të Mirditës, që e mbajti për 28 vite.
Në mos për vlerën që pati si shtëpi e Abatit në Shkodër, godina, duhet çmuar e ruajtur për të qenit selia e ‘Bashkimit’, që në një kohë të errët për gjuhën e kombin, ia doli të shkruajë e botojë në shqipe me alfabet latin, më shumë se 30 vepra, që ende sot i lëçisim e përmendim, në konferencat kur emrat e tyre na bëjnë nder, një nder që kurrë nuk mundëm t’ua kthejmë atyre, jo për ata po për veten.
100 vite nga vdekja e Abatit e 109 vite nga Kongresi i Manastirit, selia e ‘Bashkimit’ dergjet, strukur në qendër të Shkodrës, pa rënë në sy. Nuk është e vetmja, mbase as më e rëndësishmja ndër simotrat e saj. Kur duket se rrënimin e dëshmive historike e kemi ‘modus vivendi’, herë pa dashje, e herë nga mungesa e vullnetit, mes nostalgjisë për ç’qemë dhe shpresës se diç do jemi, kujtojmë Konicën dhe gjuhën e tij të hidhur kur thoshte se ky vend “lindi nga Zoti e shpëtoi nga rastësia…”


NJË KUJTESË E NJË AMARCORD(NJË MUZE?)
Pak javë më parë, famullitari i katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, e risolli në vëmendje godinën shoqëruar me dy imazhe bardhezi të saj, që teksa i shtonin tragjizmin në dukje, kujtonin edhe se “godina dykatëshe që shënoi historinë e alfabetit të shqipes së njësuar është sot një bukuri e plagosur (rrënuar). Në foton bardhezi shihet katedra intelektuale që na dha gjuhën e sotme që sot fatkeqsisht mezi mbahet”. Dom Artur Jaku, vërente se në 100-vjetorin e vdekjes së Abatit Prenk Doçi duhet sjellë në vëmendje shoqëria ‘Bashkimi’, e themeluar në Shkodër vetëm disa metra larg Katedrales. Ai kujtonte madje edhe se “më 22 nëntor 1908- përmes nji telegrami At Gjergj Fishta e lajmëronte me këto fjalë Abatin e Mirditës Prenk Doçi për fjalorin që atë mot e sot, përdorim për shqipen e njësueme: ‘Çashtja e alfabetit u zgjidh. U pranuen me pak ndryshime alfabetet e ‘Frashërit’ e ‘Bashkimit’. Çdo tjetër, përjashtue”. Famullitarit, ajo godinë i shuhet parasysh, çdo ditë. E ndërsa në bri të kishës ku meshon sheh historinë që fshihet, shënon se “ai fjalor është veçse një prej shumë punëve të vyeme të Shoqërisë Bashkimi, themelue prej Abatit pikërisht në këtë godin duke mbledhë rreth vedit ajkën e kohës imzot Lazër Mjedën e Imzot Jak Serreqin, Dom Ndoc Nikaj, Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën, e më vonë, Luigj Gurakuqi”. Kujton se “Abetari i citun prej shoqniet t’Bashkimit të giuhës shqype’ dhe ‘Oroe përmbi shqyp’ janë dy veprat e para të botuara nga Shoqëria ‘Bashkimi’ ndërsa në vitet 1899-1908 ajo botoi 32 vepra mes të cilave edhe Fjalorin Shqip-Italisht me më shumë se 13 mijë fjalë.


Në fund, dom Artur Jaku bën thirrje që “njerëzit që e duan qytetin, e duan të bukurën, të kujtohen për këtë vend. Pse jo të kthehet edhe në muze!”. Ky shënim i tij, erdhi disa muaj, pasi në shkurtin e këtij viti, vetë kryeministri Edi Rama, në një AMARCORD, kujtonte se “100 vjet më parë kthehej në shtëpinë e Atit një shqiptar i pashoq, abati i Mirditëve, siç quhej në epokën kur jetoi, Imz. Prenk apo Primo Doçi. Figura e Imz. Primo Doçit është objekt i një rizbulimi të vonuar në kohë por të mirëseardhur”. Postimi ku dilnin në pah meritat e vlerat, shoqërohej me Abatin e anëtarët e tjerë të ‘Bashkimit’, të ulur në hyrje të godinës që e shohim sot të degraduar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.