Kryesore

Ndryshon masa e sigurisë, Apeli ‘rrëzon’ gjykatën e Durrësit, çon në burg “baronin e drogës”

09:53 - 27.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Gjykata e Apelit të Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për Alket Hatinë, i ashtëquajtur “Baroni i Drogës”, duke vendosur “arrest me burg”.

Alket Hatia u lirua pak ditë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit, pasi ishte arrestuar me qëllim ekstradimi në Itali, ku është dënuar me 20 vjet burgim.

Arrestimi

Të shtunën që shkoi (më 8 korrik), në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhej se Alket Hatija është dënuar në 30.09.2015 me 20 vite burg. Informacioni i policisë në lidhje me 45-vjeçarin bie në kundërshtim me gjykatën, që sipas saj ai e ka përfunduar dënimin. “Gjykata e Apelit/ Itali, me Vendimin Nr. 4526, datë 30.09.2015, ka caktuar masën e dënimit me 20 vjet burgim, në ngarkim të shtetasit të mësipërm, për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim’, parashikuar në nenet art.110, art.73, 73/6, 80/2 të Kodit Penal italian dhe Dekretit Nr. DPR 309/90”, thuhej në njoftimin për shtyp. Alket Hatija akuzohet nga gjykata e Milanos në Itali se ka futur 350 kg heroinë dhe 190 kg kokainë në vitet 2002-2003 nga Shqipëria me një rrjet të superorganizuar (ngarkesa me vlerë 35 deri në 45 milionë euro). Hetimet zbuluan se 45-vjeçari kishte arritur të bënte të paktën 59 “rrugë”. Pas arrestimit, mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me 45-vjeçarin. “La Sicilia” shkruan se agjentët shqiptarë e kanë arrestuar në Durrës, teksa Hatija po shkonte të takonte një mikun e tij. “Aktiviteti i tij prej narkotrafikanti lulëzonte, aq sa në Shqipëri bënte një jetë luksoze. Ai kishte një vilë-bunker në qytetin e Beratit, e vëzhguar me kamera dhe truproja”, kështu e përshkruajnë mediat italiane Alket Hatijan.

Trafiku i drogës

Mënyra sesi operonte “baroni i drogës”, ishte tepër e rafinuar. Sipas “TV Klan”, ai fliste pak në telefon dhe askush nuk e thërriste kurrë në emër. Droga, e cila vinte nga Shqipëria nëpërmjet anijeve, makinave e kamionëve, dorëzohej menjëherë. Kështu ‘malli’ nuk qëndronte për kohë të gjatë në ‘duart’ e narkotrafikantit, e pikërisht për këtë arsye nuk përdorte asnjë lloj magazine për të ruajtur lëndën narkotike. Zakonisht, për ngarkesat më të mëdha, i paraprinte udhëtimet e korrierëve të tij për të verifikuar personalisht që gjithçka të shkonte sipas planit. E pikërisht në një nga këto raste, bëri edhe gabimin e tij të vetëm, duke treguar pasaportën në mbërritje me anijen në portin e Ankonës. Falë të dhënave të mbledhura në atë rast, shumë vite më vonë, të shtunën e 8 korrikut ai u arrestua.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.