KULTURË

Elina Duni cilësohet krenari kombëtare e shteteve

10:24 - 29.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Këngëtarja shqiptare vlerësohet nga “Swiss Music Prize”.

“Elina Duni nuk është as shqiptare, as zvicerane. Ajo është krenari kombëtare, në disa shtete. Elina është një përzierje e melankolisë dhe e guximit, e kur ajo del në skenë për të kënduar himne mërgimi, sjell vrazhdësinë e vendit që ajo nuk e ka lënë kurrë. Ajo reflekton një frymë të re të xhazit europian, ajo është një zë i fortë në botë”. Me këto fjalë e ka vlerësuar gazetari i muzikës Arnaud Robert këngëtaren Elina Duni.
Artistja e xhazit është përfshirë në mesin e emrave më të vlerësuar për çmimin muzikor që ndahet në Zvicër. Ajo është njëra nga pesëmbëdhjetë fituesit e “Swiss Music Prize”, që ndahet nga Zyra Federale e Kulturës dhe u dedikohet muzikantëve të zhanreve të ndryshme. Ndërsa fituesi kryesor i “Swiss Grand Award for Music” do të shpallet më 22 shtator gjatë ceremonisë në “Kaserne Basel”, një qendër e njohur e teatrit, muzikës e arteve të tjera skenike në qytetin zviceran. Ajo ka përballë në këtë garë Jojo Mayer, Tobi Tobler, Helena Winkelman, Pascal Auberson, Andes Bosshard, Albin Brun, Christophe Calpini, Vera Kappeler, Jurg Kienberger, Patricia Kopatchinskaja, Gregoire Maret, Peter Scherer, Endo Anaconda, Helena Winkelman, Jurg Wyttenbach. Sivjet është edicioni i katërt i kësaj ceremonie.
Sipas përshkrimit në faqen zyrtare, çdo vit Zyra Federale e Kulturës cakton një ekip dhjetë anëtarësh që përbëhet nga gazetarë të muzikës, muzikantë dhe ekspert të muzikës. Detyra e tyre është të përzgjedhin kandidatë nga të gjitha pjesët e Zvicrës dhe të secilës fushë muzikore, dhe t’i prezantojnë emrat e përzgjedhur te juria.
Muzika e Elina Dunit është pothuajse gjithmonë një gërshetim mes xhazit dhe folklorit popullor shqiptar dhe ajo përpunon me shumë delikatesë shumë këngë të vjetra shqipe dhe i qaset në mënyrë të veçantë poezisë e melosit shqiptar. Elina u lind në Tiranë dhe për herë të parë u ngjit në skenë kur ishte vetëm pesë vjeç. Në vitin 1991, Duni shpërngulet në Gjenevë të Zvicrës. Repertuari i saj ndër të tjera përmbledhë albumet “Baresha”, “Lume lume” “Matanë malit” e “Dallëndyshe”. Duni konsiderohet si një nga këngëtaret më të mira të xhazit në Evropë.
Albumi i saj i fundit “Dallëndyshe” është renditur mes 10 albumeve të domosdoshme për të bërë një Europë më të mirë, sipas revistës franceze “Les Inrocks”. Ky album, ashtu si edhe të tjerët e realizuar nga këngëtarja solo dhe shoqëruar me kuartetin, ka në thelb këngët e vjetra shqiptare, të cilat nën vokalin e spikatur dhe instrumentet e kuartetit tingëllojnë sa moderne nën improvizimin e xhazit, aq edhe evokojnë fort rrënjët e lashta të Shqipërisë. Edhe kritiku i Jazz-it Ivan Hewett, redaktor i kulturës në gazetën prestigjioze “The Telegraph”, e ka zgjedhur ndër 45 albumet më të mira të xhazit për vitin 2015. I mahnitur nga mënyra e saj e të kënduarit, edhe pse asnjë prej teksteve nuk ka qenë në gjuhën angleze. “Unë i këndoj dallëndyshes. Ajo është një zog i jashtëzakonshëm. Kam dëgjuar se në Livadh, dallëndyshet vijnë dhe ikin në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë çdo vit. Ikin në 10 shtator dhe kthehen në 25 mars në orën 1 e një çerek.
Ndërkaq, ajo ka pasur një interpretim fantastik në emisionin “Ce soir ou jamais” në kanalin francez France 3 të këngës “U rrit Vasha”- në kohën që promovonte albumin “Matane malit”, publikuar në Francë nëpërmjet shtëpisë diskografike ECM. Albumi përbëhej nga 12 këngë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.