KULTURË

Sevasti Qiriazi, krenaria dhe ëndrra e një vajze

09:07 - 29.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Zhulieta Grabocka

Në historinë e arsimit shqiptar pas hapjes së shkollës së parë shqip më 1887 në Korçë, Shkolla e Vashave më 1891 do të ishte një tjetër arritje e madhe dhe një domosdoshmëri e kohës. Ajo u ideua si një projekt i Gjerasim Qiriazit, por u realizua dhe u bë kuptimi i gjithë ëndrrave e sakrificave të jetës së motrave të tij, Sevasti edhe Parashqevi Qiriazi.  Arsimi shqiptar lindi e mori tiparet e tij kombëtare në mëngjesin e përpjekjeve shtetformuese. Platforma e tij si një diell iluminizues i siguroi që në hapat e para një të ardhme qytetare civilizuese të  aftë për të ecur përkrah vendeve të moderuara. Shkollat e para shqipe u bënë vatrat e kristalizimit të platformës së Rilindjes sonë Kombëtare. Zgjidhja e çështjes së alfabetit, shënon fillimin e përpjekjeve për standardizimin e gjuhës së shkruar shqipe. Hartimi i teksteve e vizioni perëndimor i orientimit të arsimit së bashku me eksperiencat e metodikës amerikane të edukimit të befasojnë me prioritet e treguara. Rruga e përhapjes së dijeve ka heronjtë e saj. Sakrificat e tyre i ngjajnë misionit Prometian të vetësakrifikimit. Në fluturimin vizionar ata i ngjajnë nositit fjalëzjarr të Lasgushit. Në fund të jetës Sevastia edhe familja e saj u kryqëzua si një Krisht. Por në rrugën e ndërgjegjësimit shpirtëror e kulturor të brezave figura atdhetare e mësuesit mbetet nga më të respektuarat. Për çdo shqiptar të thjeshtë mësuesi mishëron edukatorin e së ardhmes së vendit. “Mësueset e popullit” Sevasti dhe Parashqevi janë konceptuar të pandara në këtë mision pavarësisht kontributeve të tyre të veçanta.  Shembulli i tyre është aktual edhe sot, se “Ne mundemi” të ngrejmë arsimin në lartësinë e detyrave të epokës digjitale dhe nxënësin të aftë të zgjedhë informacionin në një botë të re e përherë në ndryshim. Çdo hap individual duhet të vlejë si fara e një bime të mbarë, frytet e së cilës do të vilen në të ardhmen.
JETËSHKRIMI
Në vitin 2016 u botua jetëshkrimi i pabotuar i “Mësueses së Popullit” Sevasti Qiriazi – Dako “Jeta ime” nën përkushtimin e kërkimeve hulumtuese prej dy dekadash nëpër arkiva e dokumente të studiueses Dana Stucky. Ky libër u botua së bashku me koleksionin e botimeve me rastin e përvjetorit të 500- të të Reformacionit Protestant në Europë, të 200 vjetorit të projektit për përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe e tjera ngjarje që lidhen me botimin e Ungjijve dhe themelimit të Vëllazërisë Ungjillore në Shqipëri. Vepra “Jeta ime” përshkruan përjetimet vetiake “të romancës heroike” të “Mesueses së Popullit” siç vlerësohet vetë jeta e saj e prej studiuesve ky libër. Nëpër faqet librit vetërrëfimi i Sevasti Qiriazit rrjedh i natyrshëm e modest, me vetëpërmbajtjen e një protagonisteje në vorbullat e historisë kur duheshin marrë veprime të guximshme e të mençura. Hapja e Shkollës së Vashave, në qytetin e Korçës ishte një akt historik, jo vetëm i domosdoshmërisë së edukimit të vajzave për të thyer konceptet që i mbanin mbërthyer brenda 2 të shtëpisë, por synimi i tyre ishte më i madh, përgatitja e vajzave e grave si misionare e veprimtare të së ardhshmes emancipuese të shoqërisë. Në këtë mision prijetar shikuesit shqiptarë të ekranit të madh e kishin përjetuar figurën e Sevastisë në filmin kushtuar Mësonjtores. Skenari i Natasha Lakos i jepte mundësi aktores së madhe Roza Anagnosti të mishëronte shpirtin idealist deri në therrori të Sevasti Qiriazit. Të gjitha elementet regjisoriale të filmit e sjellin epokën e udhës së shkronjave të plotë në detaje: si një aspiratë, si një luftë midis së mirës e së keqes, si rruga e vetme e davaritjes së errësirës shpirtërore drejt dritës së diturisë, drejt prosperitetit të vendit. Askush nuk e përmendte në kohën e diktaturës, se vepra i kushtohej jetës së Sevastisë e Gjerasimit Qiriazit, as nuk thuhej se ekzistonte një jetëshkrim i pabotuar i saj. Autorët e filmit ia kanë dalë të përjetësojnë “monumentin” e ngritur në kujtesën e gjallë, që njerëzit e thjeshtë e ruanin nëpër zemrat e tyre për anëtarët e familjes Qiriazi. Korça do të ishte amfiteatri, që priste krahëhapur bijtë e bijat e tij të realizonin ëndrrat më të guximshme e të sfidonin kohërat. Prej veprës së tyre buron qytetaria e krenaria e ligjshme që ndjen sot i madh e i vogël për veprën e tyre atdhetare e humaniste. Bilbili i gjuhës shqipe do të bekonte nismën e shenjtëruar të Sevastisë në shtëpinë tij.
Libri i Sevastisë është njëherazi edhe një sprovë historike. Ajo sjell një analizë të detajuar të fakteve dhe protagonistëve të drejpërdrejtë të ngjarjeve para edhe pas vitit 1912, si stade të historisë së Ballkanit… “Nëse faktet e mia, – shkruan ajo, shkaktojnë dhimbje nuk është faji im. Është faji i atyre që i bënë të këqijat dhe shpuan zemrat e të pafajshmëve”. Drama e kufijve e luajtur në kurriz të copëzimit të trojeve shqiptare prej fuqive të mëdha nga kancelaritë e Europës, janë faqet ku dhimbja e Sevastisë për humbjet e gjymtyrëve të trupit të tretur prej robërisë i nënshtrohet objektivave të qarta të njohjes dhe të mbrojtjes së të drejtave universiale të popujve të vegjël! Ajo nuk rresht së përmendur lashtësinë, indentitetin kulturor dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe, si një degë e veçantë në trungun e pemës së gjuhëve indevropiane. Ajo udhëton prej Manastirit në drejtim Turqisë kontinentale në një moshë shumë të re, por e rritur në shpirt prej ëndrrës së saj të madhe. Çdo udhëtim i saj nëpër Europë e deri në Amerikën e largët ishte në funksion të “idealit të hershëm” siç shprehet ajo,-  të ngrija popullin tim drejt shkollimit dhe pavarësisë!
KOTO HOXHI
Largpamësia e Sevastisë është rrjedhë e natyrshme e formimit të saj, e aktit të parikthyeshëm të “aventurës së parë”. Kur në burgun e famshëm Jedikule të Bosforit do të takonte një ndër shqiptarët me të shquar të kohës Koto Hoxhin. Historia herioke e jetës së tij e bëri Sevastinë të mos lerë gur pa lëvizur e ta takojë atë atdhetar, që kishte dhënë gjithë forcën e mendjes dhe energjitë e tij në ndihmë të vendit! E veshur si djalë pa marrë parasysh rreziqet arrin të futet në labirintet e burgut ku nga të gjitha anët dëgjoheshin rënkime, psherëtima e mallkime; një ferr i vërtetë, do të shprehet Sevastia, më real se ai i Dantes! Pas një dere të vogël, në një vrimë të qelbur, nën një vazhdë drite që binte nga një frëngji, ajo mundi të shihte një figurë të mjerueshme pa mundur të dallonte në ishte një qenie njerëzore. Mbi një rrasë guri, mbi një grumbull leckash rrinte kruspull Koto Hoxhi! Në sytë e saj nuk fshihej dilema, se si në atë trup të mjerë e të frikshëm mund të jetojë shpirti i Kotos udhëheqësit të madh shqiptar! Asnjë penë nuk mund të përshkruante gjendjen e mjerë në të cilën jetonte shpirti këtij martiri!
“Kam ardhur atë, – kumboi perëndishëm zëri i vashës, në atë birucë të thellë, të të them se fara që ti ke mbjellë po jep frytet e veta, se shpirti yt jeton në zemrën e popullit tënd”. Vasha e ndjente thellë në shpirt se historia e tij do të ishte një frymëzim për të. Ajo kishte vendosur t’i kushtonte jetën ndriçimit e mëkëmbjes së motrave shqiptare. Do të ndiqte mësimet e Lidhjes Shqiptare, për të cilën Porta e Lartë kishte arritur ta përçante por jo ta mposhte. Sulltani i kishte premtuar Kotos faljen e jetës me kusht, që ai t’i jepte emrat e njerëzve që organizuan Lidhjen Shqiptare.
Koto, – i pat thënë Sulltani,  a nuk e di se koka jote është në dorën time? Po, Madhëri ia kthen Kotoja, koka ime është në duart e Madhërisë suaj, shpirti i takon Perëndisë, mirëpo nderi është imi!
Politika “përça e sundo” e Sulltanit e kishte bërë punën e vet. I lumtur për sa kishte dëgjuar nga vasha, edhe Kotoja i jep bekimin. Arsimi është arma që vret tiraninë. Si një Zhan d’ Arkë, Sevastia do të hidhej nga krahët e ëndrrës në frontin e realizimit të idealeve te larta që ushqenin shpirtin e saj. Duke menduar rreth veprës e fatit të këtij martiri, nën shembullin e Kotos, Sevastia do të marrë vendime të patundura. Ajo i kishte shembuj frymëzimi, simbolet e qendresës historike, gjithçka tani ishte çështje nderi dhe e mbajtjes së fjalës së dhënë. Sevastia e njihte shpirtin e popullit të saj, dhe si bijë e tij nuk e zhgënjeu. Në faqet e librit të saj gjen copëza të mrekullueshme siç janë tregimet legjendat e babait të saj rreth zjarrit të vatrës familjare. Histori të edukimit e modelimit  prindëror. Prindërim që buron virtytshëm, prej detyrës sublime me shpresën se bijtë përgatiten për kohë të reja e detyrime të reja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.