BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Kush janë VIP-at e veshur më mirë dhe më keq të vitit

16:00 - 30.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Kush jane VIP-at e veshur më mirë dhe më keq të vitit




Përtej performancës në skenë dhe videoklipeve, artistët e skenës dhe ekranit, edhe sivjet sollën një revolucion të vërtetë për sa i takon veshjes. Sipas një votimi në internet, “Bluetooth” publikon listën e 5 artistëve që janë veshur më bukur dhe 5 artistëve që nuk sollën asnjë risi sivjet me look-un apo veshjet e tyre. Me shpresën se artistët do të mirëkuptojnë “kritikat” e buta që lidhen më shumë me paraqitjen e tyre skenike, ne urojmë që vitin e ardhshëm performanca në skenë të shoqërohet edhe me një imazh akoma më perfekt, për t’u vlerësuar maksimalisht nga publiku.

Të veshur më mirë

Jonida Maliqi
Këngëtarja Jonida Maliqi gjithmonë ka shkëlqyer me veshjet e saj në skenë, duke realizuar një kombinim perfekt edhe të look-ut, ajo ka ditur të shfaqet gjithmonë në trend të modës së fundit. Me look-un që u shfaq si e ftuar në “Kënga Magjike”, ajo konfirmoi se është sërish në krye të listës së VIP-ave që vishen më bukur.


Amarda Toska
U bënë vite tashmë që ikona e saj në televizion është bërë e papërsëritshme. Edhe pse vjen çdo të shtunë në varietenë e njohur humoristike, Amarda Toska ka ditur të sjellë një imazh të freskët dhe të kuruar me mjaft kujdes, duke kombinuar me kujdes fustanet elegante së fundmi edhe me ngjyrën e re të flokëve.

Jehona Sopi
Një nga artistet me transgresive të muzikës shqiptare, Jehona Sopi, ndryshe nga artistet e tjera tenton të luajë fort me ngjyrat. Eventi i “Top Fest” e solli atë me një stil krejt ndryshe, fustan i zi, i shkurtër, tip balerine dhe një kapele të zezë, ndërsa në videoklipe ka tentuar të shfaqet ekstravagante.

Elvana Gjata
Në skenën e “Kënga Magjike” Elvana Gjata konfirmoi se di të luajë bukur me zgjedhjet e saj, qofshin fustane apo jo, artistja di të godasë. Përtej përfoljeve se imiton Beyonce, Elvana këtë vit theu rekord me veshjet e saj në skenë apo videoklipe, herë duke u shfaqur sharmante, shpesh sportive, madje edhe paksa klasike.

Alketa Vejsiu
Rikthimi i modeleve të veshjeve të para viteve ’60 shpesh mund të duket paksa i vjetruar, por në fakt nuk ishte aspak kështu. Edhe pse Alketa Vejsiu mund të duket më e madhe në moshë me veshjet e zgjedhura, ajo sivjet ka reflektuar me zgjedhjet e saj plot sqimë se priret drejt klasit dhe luksit të viteve ’60-’70.

Të veshur më keq

Mira Konçi
Ndoshta mungesa në skenën e festivaleve ka bërë që Mira Konçi të humbasë sensin e kohës dhe për më tepër kjo u vu re gjatë festivalit të fundit, ku këngëtarja kishte veshur një fustan të zi, gati si një model i para viteve ’90, ndërsa vazhdon ende të shfaqet me të njëjtin model flokësh, pa i stiluar fare ato.

Afërdita Dreshaj
Fakti që ajo është një modele e njohur, nuk do të thotë aspak që kur vjen puna në zgjedhjen e veshjeve ajo duhet të jetë perfekte. Në edicionin e “Kënga Magjike”, Afërdita u shfaq me një veshje bardhezi, i cili nuk nxirrte aspak në pah linjat e plota dhe ekstravagancën e saj, duke e listuar te artistët e veshur më keq.

Soni Malaj
Vitet e shkuara, me veshjet e saj Soni Malaj ka bërë revolucion, por sivjet nuk pikasi e njëjta gjë. Qofshin videoklipet, por edhe prania e saj në skenë, konfirmoi se mungonte kombinimi i ngjyrave, madje në disa raste, veshjet e saj nuk janë përshtatur sa duhet me skenën apo fabulën e klipeve ku ka qenë protagoniste.

Ingrid Gjoni
Në fillim u shfaq në “Top Fest”, ku Ingridi edhe pse u vlerësua kënga e saj, veshja: një kanatiere dhe pantallona të bardha, u duk sikur ishin një veshje e rastit sesa skenike. Për sa i takon “Kënga Magjike”, rrobat ngjyrë ari ishin shumë demode në skenë, duke risjellë versionin ‘gladiator’ për të disatën herë në ekran.

Eliza Hoxha
Tani dihet që veshja me të cilën fitoi edhe “Kënga Magjike”, doli kryekëput e vjedhur nga këngëtarja sllave Lepa Brena, por për sa i takon modelit të flokëve, ai është shumë i vjetruar, aq sa ja vlen të kujtojmë që në këtë format u shfaq para një viti Çiljeta, duke treguar se Eliza i kap me vonesë tendencat e modës.
Ky shkrim u botua më 26 dhjetor 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.