MILOSAO

“Gorrillat që s’i pamë”, por që po ua ndjejnë pasojat kosovarët dhe fryma e Antonio Tabucchi

07:49 - 31.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben ANDONI




Qasja në disa gjini artistike e ka bërë Veton Surroin, publicistin e njohur kosovar, që të duket se mund të shkruajë lirisht në disa forma subjektin e tij. Këtë herë esse-të e tij, nën titullin “Gorrillat që si pamë” përcjell fatin e Kosovës që pas pavarësimit. Ritmin e mbajnë emrat e viktimave kosovare shqiptare dhe serbe, fëmijë, që ende sot e kësaj dite, nuk u dihet vrasësi. Në emër të tyre, ai ngre fabulat, por edhe shpjegon të gjithë paradokset kosovare. Ashtu si Tabucchi, që e mban ritmin dhe kërshërinë stilistikore me anë të Perreirës, në çdo moment ritmi, por edhe vëmendja e librit të Surroit mbahet prej viktimave fatkeqe. Nëse dikush pretendon të mësojë diçka për Kosovën ose thelbin pse shumë reforma mbesin, pse ka kaq shumë ngërçe të vazhdueshme institucionale do gjejë përgjigje reale në librin e Veton Surroit. Ku ironia e hollë, deklamimi i hapur, akuza dhe parashtrimi i fenomeneve bëhen jo thjesht shumë hapur, por tejet qartë përmes një analize, që e sharton disi kuptimin e vetë esse-së.
Stili është i zhdërvjedhët dhe aty-këtu duket se autori pret të shkojë në pjesën artistike. Por, fati i Kosovës nuk e kërkon fikshënin, por publicistikën e ashpër. Këtu është Vetoni. Materia e vet.
Autori nuk mundohet të ruhet dhe guximin nuk ia jep vetëm situata e Kosovës por edhe fati i mjerë i fëmijëve, viktimat e asaj kohe, që po të ishin të gjallë, do të ishin sërish viktima të një lloji tjetër. Rita Vejsa, Diona Caka, Rina Haxhiavdija, Arlind Vejsa, Egzon Haxhiavdija dhe Radmilla Zhivanoviç përmenden rregullisht dhe në çdo esse ata akuzojnë nga e përtejma. Surroit i duhet të përcjellë zërin e tyre, përmes kuptimit të esse-ve së veta. Tek e fundit, viktima ka nevojë vetëm për drejtësi dhe këtë Veton Surroi nuk e negocion pas fjalëve të bukura. “Kosova është një vend iu padrejtë për shumicën e qytetarëve të vet, në masë të madhe, sepse përpiqet t’i heshtë rrëfimet e fundit të jetëve të këtyre fëmijëve. Kosova e shpëtuar nga gjenocidi falë një ndërhyrje të NATO-s mbi premisa morale të “përgjegjësisë për të mbrojtur”, u pushtua pas çlirimit nga një kastë uzurpatorësh, të kapësve të shtetit, që zhbënë çdo premisë morale të shtet ndërtimit”, e thotë hapur.

Titulli duket disi i paperceptueshëm, por në një nga esetë zbërthehet kuptimi, që lidhet me një eksperiment social, ku ndërfutet imazhi i gorillës, të cilën dy studiues amerikanë e kishin lançuar në një eksperiment psikologjik me imazhin e një studente veshur si gorilla në dy grupime studentore që numërojnë pasime. Të përqendruar në eksperiment askush prej njerëzve në eksperiment nuk e ka parë imazhin e vajzës, kamufluar si gorillë dhe veprimin  e saj. Kjo ndodhte, -referuar autorit sepse “përqendrimi i së paku gjysmës së vullnetarëve ishte aq i madh tek numri i pasimeve, sa nuk kishte vëmendje të mbetur për një paraqitje kaq ektalante”.
Në libër akuza ndaj Serbisë nuk është patetike, por e argumentuar më së miri dhe e motivuar nga studimet më të mira, që lidhen me këto argumente, e të cilat ngërthejnë të drejtën ndërkombëtare dhe gjykimin logjik. Ai shpjegon qartë paradoksin kosovar post-pavarësi, që ndërsa flet institucionalisht të gjithë kohën për krimet serbe nuk përton që nga viti 2010, të ulet në të njëjtën tavolinë negociatore me përfaqësuesit e shtetit serb, apo që nuk pranon se në Kosovë janë bërë krime kundër njerëzimit. “Legjitimiteti i së vërtetës së vrasësve të … çon te rehabilitimi i së drejtës së ideologjisë që i çoi në këto vrasje”, e shpjegon këtë moment.
Në këtë trajtesë, Kosova në vitet 1999-2007 harxhoi një energji të madhe, lidhur me përpjekjen se si të bëhej e pavarur, teksa nuk ishte asfare e përqendruar në problematikat e tjera, ashtu si më vonë, vëmendja ka qenë sesi të mundesh që këtë shtet ta bënin njësoj si shtetet fqinje, si ky shtet të ishte realisht normal, si të legalizoheshin vizat, e si të marrë sa më shumë njohje. Sak këtu nuk shikohen gorillat e Kosovës. Autori shpjegon shumë mirë sesa keq ka vepruar  Kosova duke neglizhuar fillimisht ndotjen e ajrit. Një armik që vret përditë edhe më shumë se armiku i dikurit serb. Për 18 vjet ndërsa ka numëruar pasimet, Kosova nuk ka parë pasojat e ndotjes ardhur nga Obiliç. Problemi i dytë është madhor dhe lidhet me arsimin, ku në muajt e fundit Kosova mori një nga rezultatet më të ulëta në botë të PISA-s, testit ndërkombëtar të arsimit. Dhe një problematikë tjetër është ajo që lidhet me atë trajtim të tmerrshëm të gruas në vend, ku duke cituar Institutin Riinvest është thënë se 81.5% e grave të moshës së punës janë joaktive!!!Vëzhgime të thella, por edhe që duhet të qëndrojnë si kambana alarmi për Kosovën.
Libri përmban gjëra thelbësore dhe realisht atë që e shqetëson realitetin e Kosovës. Autori mëton se këto janë shkrime heretike, por në fakt ato janë shkrime akuzuese për nivelin se ku ka arritur në ditët tona zhvillimi në vend.
Kosova shfaqet me të gjithë problematikën e vet, si një shtet që ende është në fazën e shtetndërtimit, dhe se ende nuk e ka përfunduar identitetin shtetëror, njësoj si vendet e tjera, pasi nuk ushtron sovranitet në tërë territorin e saj dhe se ka dukje të protektoratit, citojmë autorin. Ndërkohë akuzat janë direkte për kulturën e ashtuquajtur “Pronto” të presidentit aktual, referuar skandalit ku presidenti aktual dhe kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, komunikonin me njëri-tjetrin, me këtë kod.
“Nëse ju thyhet një asht dhe dikush që jua do të mirën, nuk ju rekomandon një mjek, por ju sugjeron ta mjekoni me ca barishte”, qesëndis ndërkombëtarët në raport me Kosovën, duke i rekomanduar gjithnjë zgjidhje të përkohshme, por jo atë të duhurën.
Këtë thyerje, që nuk u shëruan asnjëherë do të mund ta ndiejnë fëmijët e lindur 18 vjet më parë, dhe që këtë vit kishin mundësi të votonin për herë të parë. Ashtu, si përmendëm më parë, vepra të mban lidhur dhe të bën një evokim për fëmijët kosovarë të vrarë në luftë.
E përsërisim: Kujdes, libri s’është thjesht akuzë ndaj Serbisë por demaskim ndaj të këqijave që Kosova nuk po i shkul dot me vetëdije dhe pa dituri nga trupi i saj. Dhe, ndaj kemi një mesazh për dijen. “Në komunitetin e dijes, më shumë sesa të kesh dije ka rëndësi të kesh qasje ndaj dijes”, shprehet ai. Me luftën ndaj kësaj të fundit, duke e definuar baltën në një fjali që do të përpiqej të përmblidhte edhe argumentet e këtij libri. Bashkësia e cilësive të munguara bën që shteti i vogël i shqiptarëve se përfundon ende dot sot e kësaj dite konfliktin me Serbinë dhe po ndikon në përditshmërinë e kosovarëve…Do e mbyllnim këtë revieë, me atë frazë ku autori e përmend me citimin e Friedman: “Nuk është aq e vështirë: fitojnë njerëzit më të arsimuar, të cilët inkuadrohen në më së shumti rrjedha e që gëzojnë qeverisjen dhe infrastrukturën më të mirë”. Mësim, që do të thotë se në Kosovë duhet të triumfojë dija dhe besimi, në mënyrë që të formohet një cak i ri shoqëror…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.