Kryesore

Kirurgu i dhunuar në Shkodër: U blija ilaçe me paratë e mia, ja konflikti që kisha me burrin e pacientes

08:18 - 31.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Senad NIKSHIQI

Mjeku kirurg i cili u dhunua me mjete të forta nga bashkëshorti i një pacientes së tij, tregon konfliktin që ka pasur me të për sa i përket marrjes së disa medikamenteve. Sipas kirurgut Besmir Grizhja, personi që e dhunoi pretendonte se po i zgjasnin trajnimin të shoqes duke e sorollatur, ndërsa shton më tej se e ka ndihmuar të sëmurën duke i blerë ilaçe duke shpenzuar nga xhepi i tij. Dhuna ndaj tij u shënua dy ditë më parë, pasi kirurgu doli nga dera e spitalit. Si pasojë e goditjeve, ai mori disa plagë në trup, ndërsa tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Për këtë ngjarje, policia ka nisur kërkimet për të vënë në pranga autorin, shtetasin Ali Kopliku.

Kirurgu

Besmir Grizhja tha dje për “Gazeta Shqiptare”, se e ka ndihmuar disa herë të sëmurën, duke ia blerë ai vetë ilaçet, pasi i shoqi Ali Kopliku nuk ia siguronte ato. “Kam pasur një konflikt me familjarin e një pacienteje që e trajtojmë rregullisht. Bashkëshorti i saj ka pretendimin se po i zgjatet trajtimi, ndërkohë që ai ka kartelë psikiatrike. Për më tepër, ai nuk ia merr mjekimin bashkëshortes. Pacienten e kam trajtuar sipas protokolleve më të mira, madje në disa raste i kam siguruar edhe medikamente privatisht meqë kishte për të marrë mjekim për shumë kohë. Jam përpjekur dhe e kam ndihmuar atë sadopak”, – tha kirurgu. Po sipas tij, kjo paciente është e para që një ilaç kaq të shtrenjtë po e merr me rimbursim. “Për më tepër, kjo paciente është e para që merr me rimbursim një ilaç shumë të shtrenjtë. Nuk mund të flas për më gjatë, pasi e gjitha kjo situatë do të sqarohet zyrtarisht edhe nga Spitali i Shkodrës”, – pohoi Grizhja. Gjithashtu, ky i fundit nuk harroi të falënderonte edhe personat që i qëndruan pranë pas asaj që i ndodhi. “Falënderoj ata që më kanë mbështetur dhe janë solidarizuar me mua”, – tha ai.

Ngjarja

Ngjarja ku mjeku kirurg mbeti i lënduar ka ndodhur dy ditë më parë, sapo Besmir Grizhja doli në oborrin e spitalit të Shkodrës. Sipas policisë, autor i kësaj ngjarjeje është Ali Kopliku. Ky i fundit ka bashkëshorten të shtruar në spital dhe ka menduar se mjeku po e sorollaste atë. Denoncimi në polici është bërë nga vetë mjeku. Pas kësaj, policia shpalli në kërkim Koplikun, ndërsa po punon për kapjen e tij. Sipas burimeve, Ali Kopliku njihet si një person me probleme të shëndetit mendor. Më parë ai është dënuar edhe për dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.