Kryesore

DETAJE/ Vrasja e “Renit”, ja si i shpëtoi dy vite më parë atentatit në Durrës. Policia shoqëron 10 persona

09:45 - 01.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Vrasja në atentat e 37-vjeçarit Renato Omeri, i cili njihej edhe me emrat Marjen Xhaferaj dhe Alias Marjen Omeri ka alarmuar policinë e Vlorës, e cila së bashku me prokurorinë janë duke hetuar intensivisht për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e së premtes në një lokal në zonën e Lungomares, blutë kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, disa prej të cilëve me precedent penalë. Por, pavarësisht hetimeve të kryera, ende nuk është bërë e mundur rënia në gjurmët e atentatorit. Ndërkohë, mësohet se atentati  ku mbeti i vrarë Renato Omeri, të cilët miqtë e thërrisnin “Reni” ishte i treti që organizohej ndaj tij. Burime pranë grupit hetimor dje bënë me dije se dy muaj më parë ai shpëtoi në një tentativë për ta eliminuar, në një kazino në Vlorë, ngjarje kjo që nuk u bë publike në atë kohë. Por, ngjarja më e bujshme, së cilës i mbijetoi Omeri është ajo e ndodhur më 20 dhjetor të vitit 2015 në afërsi të Torrës, përballë portit të Durrësit. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë shtetasit: Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, nip i Renato Omerit. Burime konfidenciale nga policia pohuan se shënjestër e këtij atentati me dy viktima ka qenë pikërisht 37-vjeçari, baba i tre fëmijëve. Sipas këtyre burimeve, 28-vjeçari Kodra, 25-vjeçari Çaushaj (student i shkëlqyer) dhe Renato Omeri kanë qenë në një lokal duke pirë kafe.

Në një moment, Çaushaj u ka thënë dy të tjerëve se do të dilte të blinte cigare. Ervin Kodra ka thënë se do të dilte dhe ai që të blinte diçka, por sapo kanë hipur në makinën tip fuoristradë (në pronësi të Kodrës) janë qëlluar për vdekje me breshëri automatiku. Në atë kohë fati ka ndihmuar Renato Omerin, i cili pas kësaj ngjarjeje ruhej. Ai i kishte lëvizjet e kufizuara pranë shtëpisë apo lokalit të tij dhe gjatë gjithë kohës ishte i armatosur. Edhe mbrëmjen e së dielës, 37-vjeçari mbante një pistoletë në brez. Ai nuk ka mundur të nxjerrë armën në momentin kur u qëllua nga një person ende i paidentifikuar.

HETIMET

Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, hetuesit e çështjes pohuan se Renato Omeri u qëllua me 6 plumba nga atentatori, i cili u largua me shpejtësi në mes pallateve të zonës, në drejtim të “Ujit të Ftohtë”. Sipas bluve, babai i tre fëmijëve u qëllua nga një i ri i veshur sportiv dhe me kapele në kokë. Ndërkaq, policia dhe prokuroria e Vlorës janë duke hetuar në disa pista për zbardhjen e motivit të krimit. Paraprakisht dyshohet se atentati i mbrëmjes të së dielës në Vlorë ka lidhje me të kaluarën e viktimës, përfshirë këtu edhe ngjarjen e dy viteve më parë në Durrës. Ai rezulton një person me precedentë kriminalë në Europë dhe kryesisht në Itali në fushën e narkotrafikut. Renato Omeri përdorte disa emra, por vetëm dy kishte të regjistruar në gjendjen civile. Renato Omeri ishte emri i tij i vërtetë, ndërsa njihej dhe si Marjen Omeri dhe Marjan Xhaferaj, duke mbajtur në këtë rast mbiemrin e bashkëshortes.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.