SPORT

Kuaj, derrkucë e statuja dylli, shpenzimet absurde të futbollistëve

11:15 - 01.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Paga milionere, jetesë më shumë sesa thjesht luksoze, por edhe fiksime prej jashtëtokësorësh. Tashmë me kohën, media ka gjetur kanalet për të monitoruar jetën e futbollistëve, në vazhdimësi dhe për një periudhë të gjatë, duke zbuluar gjithashtu detaje më se absurde në lidhje me stilin e tyre të jetesës dhe pasionet e tyre më të fshehta.

Ajo që veçon njerëzit “normalë” nga kampionët e sportit të të gjithë botës, nuk janë vetëm “vagonët” me parà që ata fitojnë çdo muaj dhe derdhin në llogaritë e tyre të fryra bankare, por distanca që këta krijojnë me realitetin dhe njëkohësisht me nevojat e njerëzve që fitojnë vetëm pak mijëra euro për të çuar jetën përpara, janë shfrenimet e tyre gati utopike, disa dëshira që realisht pak kush mund t’i kuptojë.

Dhe pikërisht në këtë aspekt, media botërore ka “gërmuar” në jetën e disa prej kampionëve të futbollit duke zbuluar disa prej shpenzimeve më të çmendura që ata kanë bërë ndër vite. Disa prej më të pashpjegueshmeve janë listuar më poshtë.

UEJN RUNI

Ai sapo ka lënë Mançester Junajtid për t’u rikthyer në shtëpi, në Liverpul, por në radhët e klubit të Evertonit, aty ku u rrit. Natyrisht që kjo lëvizje nuk ia ka shfryrë aspak portofolin, sepse ai që kërkon të ketë Uejn Runin në skuadër duhet të paguajë, edhe pse duke parë fitimet dhe shpenzimet e tij ndër vite, nuk është se disa mijëra euro më pak mund të bëjnë diferencën.

Gjithsesi, një prej shpenzimeve të tij më të çmendura ndër vite ishte blerja e një kali të quajtur Tomuej, për të dhe për bashkëshorten e tij, një shpenzim ky i shoqëruar së bashku me kontraktimin e një terapisti që të punonte me menaxhimin dhe zbutjen e egërsisë së kësaj kafshe.

Kjo për arsyen se, kali, që në ditën e parë që përfundoi në stallën e Uejn Runit, i theu hundën një prej instruktorëve. Për këtë arsye, sulmuesi i Kombëtares angleze u detyrua që ta bënte më të madh shpenzimin e tij për të gjetur njeriun e duhur për të zbutur Tomuejin.

ZLATAN IBRAHIMOVIÇ

Fakti që gjigandi suedez e krahason veten me Zotin, kjo është diçka e ditur tashmë, pasi e konfirmoi personalisht në një intervistë, gjatë periudhës që ishte në Francë. Por pak e dinë që sulmuesi suedez është bërë prej vitesh pronari i një kishe evangjeliste në Stokholm.

Por çfarë i duhet Ibrës një kishë e vjetër që nuk funksiononte prej vitesh? E thjeshtë, do ta shndërrojë në një vend banimi, pse jo në një shtëpi, të cilën mund ta lëshojë edhe me qira, për të nxjerrë ndër vite shpenzimin e bërë.

Gjithsesi, ky nuk është një nga shpenzimet absurde të sulmuesit 36-vjeçar, sepse ai është gjithashtu pronari i një pylli në Suedi, prej disa mijëra hektarësh, të cilin e shfrytëzon jo vetëm për të bërë gjueti, por në të njëjtën kohë për të vënë në aksion edhe disa hobi të tjerë personalë, si të bërit ski gjatë periudhës së dimrit dhe xhirot e gjata me motorët e dëborës.

MARIO BALOTELI

Janë të paktë ata që nuk e njohin tashmë Mario Balotelin dhe teksa e sheh nga jashtë dhe ke dëgjuar për jetën e tij, është normale që të dish se pasioni i tij më i madh, janë makinat dhe dëfrimi.

Për këtë arsye, mes makinave sportive dhe disi të çuditshme, si për shembull një Bentli me ngjyrat e kamuflazhit ushtarak, apo edhe fishekzjarrëve, të cilat ia lejon vetes që t’i ndezë edhe brenda shtëpisë së banimit, kuptohet pse pagat që ai përfitonte dhe stadi i skuadrave ku luan ka ardhur në rënie.

Gjithsesi, kur vendosi që të blejë një derrkuc të vogël, pas sezonit falimentar me Liverpulin, Baloteli kërkoi që të përfaqësohet dhe të bëjë një lloj autokritike për tifozët e kuq, duke i dhënë fillimisht derrkucit epitetin e sulmuesit (striker) dhe më pas atë të fermerit, në xhiron e pak ditëve.

LIONEL MESI

Sa herë, qoftë edhe në jetën tonë “normale”, mund të ketë ndodhur që të kemi pasur fqinj të zhurmshëm dhe të mërzitshëm? Disa herë, por mesa duket kjo u ndodh edhe futbollistëve, pavarësisht se vilat e tyre mund të kenë përreth një “park kombëtar” prej disa qindra metrash, që pak kush mund t’ia lejojë vetes.

Por edhe pse e gjithë kjo distancë nga ata që kishte përreth, Lionel Mesi vendosi që zhurmën e shpeshtë që ata i bënin, ta blinte me parà… Pikërisht kështu, sulmuesi i Barcelonës vendosi t’ia blejë shtëpinë fqinjëve të tij dhe ta lërë bosh edhe sot e kësaj dite, vetëm për të shijuar qetësinë që kërkonte në banesën e tij.

XHON TERRI

Ish-kapiteni i Çelsit, sot e kësaj dite pjesë e klubit të Aston Vilës, duke pasur një kontratë që e kushtëzonte për të respektuar dhe frenuar disa prej aktiviteteve të tij më të dashura, si për shembull pasionin për të bërë ski, vendosi që të blejë një udhëtim “imagjinar” në mal, për atë dhe familjen e tij, vetëm për të prekur dëborën, por kurrsesi për të vënë skitë në këmbë, por për të vrapuar mbi rrugët e mbuluara nga bardhësia.

E thënë ndryshe, është njësoj sikur të blesh dhe të kesh në garazh një Ferrari, por çdo mëngjes, të marrësh autobusin për të shkuar në punë…

KRISTIANO RONALDO

Mjaftoi kjo që shumëkush ta konsideronte mendjemadh dhe arrogant… Kur Kristiano Ronaldo zbuloi se në Madrid do të hapej një ekspozitë e statujave prej dylli, fenomeni i Realit të Madridit pagoi 20 mijë paund për të pasur një të personalizuar, të realizuar në Portugali.

Për më shumë, ajo u kurua nga stilisti i tij personal, i cili çdo muaj, ende sot e kësaj dite, shkon në ekspozitë për të azhornuar statujën me ndryshimet që mund të ketë pësuar Ronaldo në pamjen e tij fizike. Një çmenduri…/PanoramaSport

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.