SPORT

Skandali, Xhaka refuzoi të takojë Kristian Panuçin

12:05 - 01.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Jeton SELIMI

Kristian Panuçi nuk është takuar me Taulant Xhakën, ndryshe nga sa u tha dhe u trumbetua një ditë më parë. Historia e re është praktikisht një skandal i ri në Kombëtare dhe duket se kësaj radhe Xhaka e ka kompromentuar përfundimisht karrierën e tij me fanellën kuqezi. Taulant Xhaka u largua nga përfaqësuesja pas disa përplasjeve që pati me ish-trajnerin Xhani De Biazi, të cilat filluan që në takimin Zvicër-Shqipëri në “Euro 2006” me lojtarin që reagoi keq pas një zëvendësimi. Më pas mosaktivizimi me Spanjën bëri që Xhaka të largohet duke dhënë ultimatumin “kthehem kur të ikë De Biazi”. De Biazi nga ana tjetër nuk denjoi t’i bënte ftesë futbollistit për ndeshjen me Izraelin, duke theksuar se sa kohë të ishte ai, mesfushori mund të vazhdonte të qëndronte larg Kombëtares, pasi nuk do të kthehej aty pa kërkuar falje.

Por me De Biazin tashmë të dorëhequr, ka qenë Kristian Panuçi, ai që ka dashur të takojë lojtarin, duke e vënë të parin në listën e një axhende të gjatë takimesh. Por Xhaka jo vetëm që nuk e ka takuar trajnerin, por e ka lënë në pritje plot 3 orë pas takimit të së dielës mes Bazelit dhe Luzernës, kur mesfushori ngrohu stolin për 90 minuta. Ndonëse Panuçi ka këmbëngulur me disa SMS për të bindur lojtarin të ndërrojë mendje, Xhaka ka refuzuar t’i kthejë përgjigje, duke i vënë kështu kapak aventurës së tij me Shqipërinë, pasi sjellje të tilla janë toltalisht të papranueshme kur në mes është fanella e kombit. “Taulant Xhaka e ka problemin te vetja, jo te trajneri i Kombëtares”, pat thënë asokohe De Biazi dhe duket se ka pasur të drejtë. Ndërkohë nga ana e lojtarit nuk ka pasur asnjë reagim për këtë situatë, por një sjellje e tillë nuk është diçka e re. Taulant Xhaka njihet si një lojtar gjaknxehtë, me një temperament të vështirë, por që asgjë nuk justifikon një sjellje të tillë. Por situata e lojtarit nuk është aspak e mirë as te Bazeli. Trajneri i Bazelit, Rafael Viki, po përdor një skemë të re 3-5-2 për kampionët e Zvicrës dhe një nga emrat e sakrifikuar është ai i Xhakës, që duhet të ulet në stol. Për momentin, ai nuk është zgjedhje e parë në mesfushë dhe në Zvicër, mediat vendëse e shohin atë si një “alternativë” ndaj titullarëve, edhe pse gjatë viteve të fundit ka qenë ndër lojtarët më të qëndrueshëm për Bazelin. Por te klubi i tij, ndryshe sa ka ndodhur në përfaqësuese, Xhaka po e pranon vendimin e trajnerit në heshtje.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.