Kryesore

Aksioni opozitar, PD nis ristrukturimin në shtator, ja emrat e rinj të drejtuesve

08:18 - 02.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas rizgjedhjes në krye të partisë pritet që të nisë diskutimin për drejtuesit që do të mbajnë postet kyçe në parti, por edhe në grupin parlamentar të opozitës. Në shtator, kur edhe do të fillojë punën parlamenti i ri, e opozita aksionin e saj, duhet që kreu demokrat t’i ketë vendosur tashmë emrat e drejtuesve. Ndërkohë, pritet që në shtator PD të përfshihet në një proces të thellë analize për zgjedhjet e 25 qershorit, së bashku me të cilën do të bëhet edhe ky strukturim i ri i opozitës. Nëntori i vitit 2018 është muaj ku i përfundon mandati pothuajse të gjithë kupolës drejtuese në qendër, duke nisur nga dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani apo sekretari organizativ, Enno Bozdo. Po në atë kohë u përfundon mandati edhe drejtuesve të departamenteve dhe sekretariateve. Por edhe pse ende nuk ka një vendim në qoftë se Partia Demokratike do të përfshihet në një proces zgjedhjesh për anëtarët dhe drejtuesit e strukturave në qendër, në selinë blu qarkullojnë emrat e parë të aspirantëve për këto poste, por edhe postet e tjera si shkak i konfigurimit të grupit të ri parlamentar. Për kryetar të grupit parlamentar në selinë blu flitet emri i Edi Palokës, Grida Dumës dhe Edmond Spahos. Por, Paloka shihet si emri më i mundshëm, duke u konfirmohet për një mandat të dytë si drejtues i deputetëve të Partisë Demokratike, citon “Ora News”. Edhe pse ka edhe 1 vit mandat në Partinë Demokratike, flitet edhe për emra që aspirojnë postin e Sekretarit të Përgjithshëm, një pozicion tejet i rëndësishëm për sa i përket organizimit të partisë dhe aksioneve të saj brenda apo jashtë Parlamentit. Ervin Salianji dhe Gent Strazimiri flitet se janë dy emrat që mund të kandidojnë për këtë pozicion. Si shkak riorganizimit dhe futjes në një proces zgjedhjesh në Partinë Demokratike, vakante  mbeten edhe vendi i dy nënkryetarëve, post të cilin aktualisht e mbajnë Edi Paloka dhe Edmond Spaho.

Emrat e përfolur si kandidat të mundshëm në postin e nënkryetarit është ai i ish-kryetarit Tritan Shehu, i cili u zgjodh deputet në zgjedhjet e 25 qershorit, por edhe emri i Aldo Bumçit. Po ashtu, në selinë blu po diskutohet mundësia që analiza për zgjedhjet e 25 qershorit të kalojë përmes një faze zgjedhjesh që lënë të kuptohet se edhe pse në bazë të statutit nuk e kanë konsumuar mandatin atyre do t’iu ndërpritet, e këtu mund të flitet edhe për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, por edhe drejtuesit e departamenteve dhe sekretariateve. Futja në një proces të mundshëm zgjedhor do të sillte edhe një konfigurim të ri në kryesinë e kësaj force politike, e cila me statutin aktual përbëhet nga 47 anëtarë. Por, edhe pse zyrtarët aktual kërkojnë ndryshime rrënjësore në statut, ende nuk dihet në qoftë se e gjithë kjo periudhë ristrukturimi në qendër, do të zhvillohet paralelisht edhe me ndryshimin në ligjin themelor mbi të cilin funksionon Partia Demokratike.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.