Kryesore

Ndërkombëtarët sërish “kundër” Adriatik Llallës/ Ja dosjet e korrupsionit të zyrtarëve që sollën përplasjen

15:29 - 05.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Janë acaruar sërish marrëdhëniet ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Grupit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili pas hartimit të reformës në drejtësi, tani po merret me mbikqyrjen e vettingut. Shkak për këtë përplasje është bërë një ankimim i shoqatës që kontrollohet nga Kryeprokurori Adriatik Llalla në Kushtetuese, ku kërkohet shfuqizimi i disa neneve të Kodit të Procedurës Penale, i cili sapo ka hyrë në fuqi. Thelbi i kërkesës së Shoqatës së Prokurorëve drejtuar Gjykatës Kushtetuese është që të shfuqizohet ajo pjesë e ligjit, ku prokurorëve u ndalohet të mbyllin një dosje që është hapur nga një oficer i policisë gjyqësore, në një vend ngjarje apo pas një padie, apo thjesht në mënyrë spontane nga të dhënat që ka pasur media.

Sipas Kodit të ri, të drejtën për të mbyllur një dosje e ka vetëm gjykata dhe askush tjetër. Në 25 vitet e postkomunizmit në Shqipëri është bërë një rit që prokuroria mbyll jo vetëm dosjet e mëdha, por edhe dosjet e thjeshta me një urdhër administrativ të krerëve të prokurorive të rretheve dhe Kryeprokurorit. Ky aspekt është parë nga ndërkombëtarët si burim i pastër korrupsioni, ndaj i është lënë gjykatës, si një mundësi që mund të apelohet në të gjitha shkallët e gjyqësorit, por edhe ka brenda një normë kontrolli, pra e hap një institucion e mbyll një tjetër. Kurse deri tani është vetë prokuroria që i hap e i mbyll po vetë dosjet sidomos të korrupsionit.

Që nga viti 2013 Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur disa dosje, edhe pse ato kanë ardhur me firmë e vulë nga qeveria të shoqëruar  edhe me dokumente përkatëse. Mund të përmenden dosja ndaj Arben Imamit për reklamat e shpërndara me klientelizëm, çështjen e blerjes së përgjuesve nga SHIU, çështja ndaj Ridvan Bodes, por më e madhja dhe më e bujshme është çështja CEZ-DIA, e cila ka jo vetëm dokumente dhe fakte të bujshme, por ka si asnjëherë tjetër një dëshmitar që merr përsipër të tregojë të gjithë skemën e korrupsionit në gjykatë, siç është Romeo Kara.

Të gjitha dosjet janë mbyllur me urdhër administrativ përveç çështjes CEZ-DIA, e cila s’mbyllet dot pasi ka një person të akuzuar nga prokurori që arrestoi Fullanin,  siç është Kastriot Ismailaj. Ndërkohë Romeo Kara ka dërguar dosje të tjera për të plotësuar dhe pasuruar hetimin e kësaj çështjeje, por nuk i janë pranuar. Atëherë, Kara i ka dërguar të gjitha dosjet në ambasadën e SHBA, që janë në fakt një “policë sigurimi” për jetën e dëshmitarit që është e rrezikuar nga kërcënimet e vazhdueshme. Të vetmen dosje që Prokuroria çoi në gjykatë ndaj zyrtarëve të lartë ishte ajo ndaj Spiro Kserës, i cili u dënua në fund me një vit burg dhe doli. Por kjo dosje nuk mund të justifikojë pritshmërinë e publikut, pasi të gjithë e dinë, që edhe pse ministër Spiro Ksera ishte një “peshk i vogël”.

Në fakt, Kodi i Procedurës Penale që u miratua pa zhurmë në Parlament, i kapi në befasi prokurorët, pasi ata kurrë nuk e kundërshtuan më parë. Të intensifikuar tek mbështetja politike kundër reformës, ata nuk panë nenet për dosjet siç duket, ndaj dhe ankimimi bëhet tani.Një takim që është zhvilluar me përfaqësuesit e ndërkombëtarëve dhe prourorëve shqiptarë, mësohet se është përmendur dosja CEZ-DIA si subjekti që ka shkaktuar ngritjen e ankimimit në Kushtetuese. Kjo pasi nuk ka dosje që duhet të mbyllen aktualisht përveç asaj të energjisë, e cila u vu në lëvizje edhe nga Komisioni Parlamentar Hetimor i drejtuar nga Taulant Balla. Ç’ishte për t´u mbyllur u mbyll për katër vjet. Tani e gjithë dosja CEZ- DIA do i kalojë SPAK ose duhet të marrë vendim Gjykata e Lartë, nëse duhen mbyllur hetimet.

Pra, sinjalet janë se prokurorët po kërkojnë që Kushtetuesja të marrë sa më shpejt një vendim që ata të kenë kohë që të mbyllin dosjet e fundit të rëndësishme para se të ngrihet SPAK. Në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë ndodhet edhe një tjetër ankimim ardhur nga Unioni i Gjyqtarëve po për Kodin e Procedurës Penale.

Në ankimimin drejtuar Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët kërkojnë rrëzimin e neneve: 8, 16, 182, 183, 184, 185, 188 të projektligjit që ndryshoi Kodin e Procedurës Penale. Por duke qenë se dy nga këto nene kanë shumë nene të tjera brenda tyre, në total shkojnë rreth 22 nene që kërkohet të shfuqizohen. Neni 8 përcakton që një ndër kompetencat e gjykatave të jetë dhe marrja e vendimit për kërkesën e prokurorit për të mbyllur hetimet. Ndërkohë neni 16 përcaktohen të drejtat e prokurorëve, ku është sanksionuar pjesa që ata duhet t’i drejtohen gjykatës për rastet kur duhet të mbyllet çështja. Neni 182 ka të përcaktuara rastet se kur mund të mbyllet një çështje, ndërsa neni 183 përcakton të drejtën e ankimit për pushimin e hetimeve. “Kundër vendimit të pushimit të akuzës ose çështjes mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve nga marrja dijeni para gjyqtarit të seancës paraprake. Në rastet kur prokurori ka paraqitur kërkesë për dërgimin e çështjes në gjyq, por për njërën ose disa nga akuzat ka vendosur pushimin, ankimi ndaj vendimit të pushimit shqyrtohet bashkërisht me kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq”, thuhet aty.

Neni 184 është ndër më të rëndësishmit, pasi tregohet e gjithë rruga që duhet të ndjekë prokurori për pushimin e hetimeve. Përmes këtij neni u ndryshuan 4 nene në projektligj. “Në përfundim të hetimeve paraprake, kur procedohet për krime dhe kur është njëri nga rastet e parashikuara nga paragrafi 1, i nenit 328, të këtij Kodi, prokurori i kërkon gjyqtarit të seancës paraprake pushimin e akuzës ose çështjes. Në rastet kur prokurori ka paraqitur kërkesë për dërgimin e çështjes në gjyq, kërkesa për pushimin e akuzës ose çështjes shqyrtohet bashkërisht me kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq. Kërkesës së prokurorit i bashkëlidhen aktet dhe provat që përmban fashikulli i hetimeve, duke përfshirë edhe aktet e kryera para gjyqtarit të hetimeve paraprake, si dhe provat materiale, përveç rastit kur ato ruhen në vend tjetër”, thuhet aty. Ndërsa neni 188 i projektligjit ndryshon 11 nene në Kod dhe aty detajohet ajo se çfarë mund të ndodhë në seancë, ndërsa tregohet qartë se është gjyqtari ai që vendos mbi veprimet e prokurorit.(Tesheshi.com)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.