MILOSAO

A kishte dinjitet brenda sistemit të Realizmit Socialist?

08:26 - 07.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben ANDONI




Një sistem me një ideologji kulturologjike, si Sistemi i Realizimit Socialist, mund të gjykohet për korpusin e veprave të disiplinave të ndryshme që i ka dhënë publikut, mesazhet dhe impaktin në jetën e kombit. Të treja këto mund t’i ndajmë qartazi, kur vjen puna me trashëgiminë në Sistemin e Realizmit Socialist. Manualet kulturore e përcaktojnë Realizmin Socialist si një teori estetike marksiste, që bënte thirrje për përdorimin didaktik të letërsisë, artit dhe muzikës për të zhvilluar ndërgjegjen shoqërore në një shtet socialist në zhvillim. Sot, kjo utopi, ka mbaruar dhe Shqipëria si simotrat e saj në Lindje bëjnë një art që është larg këtij realiteti. Vetë Rusët, që e lindën, por që u mbështetën tek kolosët e tyre të artit të shekullit XIX, do ta modifikonin Realizmin Socialist në dekadat pas vdekjes së Stalinit, duke i futur shumë modernizëm, por duke përcjellë edhe një art, që në disa disiplina ishte shumë elitar. Këtu nuk është vendi për ta përshkruar këtë, por për të folur për Realizmin Socialist në Shqipëri dhe dogmën, që u ruajt aq e fortë tek artistët shqiptarë, madje edhe kur nuk u kërkohej. Paradoksalisht, edhe brenda Realizimit Socialist, Shqipëria mund të krenohet se prodhoi shkrimtarin më të madh të historisë së saj kulturologjike Ismail Kadarenë. Një sërë autorësh në letërsi, me më shumë kufizime, u munduan edhe në valën më të madhe të dogmës dhe represionit të bënin një art ndryshe. Interesant ishte qasja në artet pamore të Abdurrahim Buzës, Maks Velos, Edison Gjergos, ashtu si edhe arritjet në muzikë të Zadesë, Tish Daisë, Feim Ibrahimit…  
Ndikimi i artit të Realizmit Socialist ende mund të shihet tek ne dhe me sa duket do ndjehet edhe  për një kohë të gjatë, për fatin e keq në mënyrën sesi konceptohet veçanërisht letërsia e sotme, por edhe arti në përgjithësi dhe qasja ndaj tij. Të paktën nga forma. Nga ana tjetër, është e pakuptimtë, sesi Shqipëria nuk mundi të ndryshonte, kur vetë Rusia, atdheu i Realizimit Socialist, u krijoi mundësi artistëve të eksperimentonin me teknika të reja. Interesant është se artistët e mirë kudo në ish-Kampin socialist filluan të punonin me një sens ironie brenda sistemit dhe veprat e tyre janë krenari sot e kësaj dite për rrokjen e temave. Në Shqipëri duhet të jemi të ndërgjegjshëm se i gjithë komuniteti i artistëve u vendos në shërbim të këtij sistemi, duke i shërbyer regjimit dhe duke e fshehur shumë realitetin me të cilën përballej shqiptari i thjeshtë, përkundrejt dhe edukimit, ku ata kontribuuan, që ndikoi në shformimin e gjeneratave të tëra. Anipse, njerëzit që merren me studimet kulturologjike, duhet që të ndajnë mesveti natyrën e vërtetë të Realizimit Socialist, sa e ndihu artin shqiptar të kapërcente fuqinë e tij dhe impaktin e tij të mekët para luftës së Dytë Botërore, dhe çfarë mjedisi i la artit shqiptar të ditëve tona.
Kjo mbase kërkon vlerësime të thella, por edhe faktin nëse ky Sistem arti pati apo jo vlera për kulturën shqiptare! Me të drejtë, kulturat perëndimore e shikojnë me ironi të thellë Realizimin Socialist dhe si një mjet represioni, por edhe si një formë totalitarizmi që ngatërron shprehjen artistike dhe pengesë në thellësi për përparimin e kulturës. Por, a ishte në varfërinë e vet më shumë propagandë sesa art?! Pyetja ka një përgjigje të qartë që e lidh me propogandën, kurse impakti për shoqëri të pazhvilluara si shoqëria shqiptare, kërkon një studim mirëfilli.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.