KULTURË

Tregimi i para 20 viteve i Zija Çelës, pse e ndau sot me publikun Luan Rama?

12:20 - 08.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama i rikthehet pasionit të tij, letërsisë. Duke shmangur qëndrimet e tij politike, Rama ka zgjedhur të publikojë për ndjekësit në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” një tregim të shkrimtarit të njohur Zija Çela. E duke iu rikthyer viteve të tij si student në Institutin e Shkodrës, në degën Gjuhë-Letërsi, Luan Rama preferon ta komentojë tregimin e Zija Çelës në shkodranishte.

POSTIMI I LUAN RAMES

Po e marr tregimin tand e po e publikoj në faqen time, pa t’marr leje mik i dashtun Zija!
E për me mujt me ardh me do fjal zemne aty n’shpirtin tand t’gjan e pa cak, po baj nji sprov me t’shkru n’shkodranisht.
Shpirtin tand bujar e qi dan veç dashni ndër na e ka bekue zoti, e ti e ke për detyr t’shejt me na dhan si ke ba tan jetën tane, veç mirsi si shenjt i fjales bukur, qi gjuha jon’ e bekume na shungullon, si ka than Dom Ndre Mjedja i madh!
E tuj e lexu tregimin tand, du me t’than se si me dhjet a me dhjetmij rreshta, Zija Çela ka met ai qi ka ken, e ka me ken ai qi asht, Zijai im i dashtun!

Nga Zija ÇELA

Miq të dashtun, ky tregim prej dhjetë rreshtash, është shkruar 20 vjet më parë. Njëherë, pasi e lexova në një sallë, një zonjë kërkoi t’ia dhuroja ate dorëshkrim. U habita nga ndjeshmëria e lartë, integriteti dhe formimi i saj kulturor. Meqë shkronja nistore e mbiemrave tanë përputhej (krahas mbiemrit të martesës, Zonja përdor edhe atë të atësisë), në vëllimin tim “Buza e kuqe dhe Gjaku i errët” ky tregim mban kushtimin: ZÇ për JÇ.

TROKITJE

Isha njëzet vjeç dhe pyeta: “Kur do ta njoh?” Në njëzet e pesë thashë: “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë.”
U bëra tridhjetë dhe ne ishim bashkë. Në tridhjetë e pesë ishim përsëri bashkë.
Po mbushja dyzet, kur bëmë udhëtimin e madh. Nuk mbaj mend se ku vajtëm, por kthimi ishte njëlloj si prej botës së përtejme: njëri prej nesh u tjetërsua aq shumë, sa e humbi toruan edhe tjetri.
Në dyzet e pesë u ndamë.
Pesëdhjetë vjeç i trokita në derë. Doli dikush dhe më tha:
“Ajo po fle. Ke ndonjë porosi?”
“Jo”, thashë, “vetëm desha të dija nëse është mirë.”
“Ajo është mirë”, tha.
Ende s’jam pesëdhjetë e pesë që ta di nëse është zgjuar nga gjumi dhe vazhdon të jetë mirë. Ndoshta kur të bëhem gjashtëdhjetë, do të pyes veten: “A do ta shoh përsëri?” Nëse në gjashtëdhjetë e pesë nuk do të jetë ajo që do të trokasë tek unë, shtatëdhjetë vjeç do të martohem me një tjetër.
Kam frikë të plakem, por sidomos kam frikë të vdes, pa pasur afër një dorë gruaje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.