Kryesore

Sherri që në ‘95-ën me dajën e të dyshuarve, ja pse kërkuan ta hiqnin qafe biznesmenin nga Shijaku

12:15 - 25.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Vetëm një ditë pas atentatit me kallashnikov që iu bë biznesmenit nga Shijaku Dashamir Gjoka, policia e Durrësit ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar. Ngjarja u shënua mesditën e së mërkurës, teksa biznesmeni 46-vjeçar ishte duke udhëtuar me bashkëshorten dhe fëmijët e tij me një mjet tip “Benz” të blinduar, çka bëri që të mos kishte persona të lënduar. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se janë shpallur në kërkim dy vëllezër, përkatësisht shtetasit me inicialet E.K. 32 vjeç dhe M.K. 36 vjeç, të dy banues në Shijak. Mësohet se identifikimi i tyre u bë në sajë të kamerave të sigurisë përgjatë zonës, si dhe në bazë të informacioneve që blutë morën në rrugë operative. Ndërkaq, burime pranë policisë bënë me dije se Gjoka ka deklaruar se nuk ka konflikte me këta dy persona. Por, sipas të njëjtave burime mësohet se shkak i ngjarjes së rëndë të ndodhur dy ditë më parë është bërë një konflikt i mëparshëm i ndodhur mes biznesmenit dhe dajës së dy autorëve të dyshuar. Për këtë gjë, burimet shtuan më tej se sherri mes tyre ka nisur në vitet ’95, ndërsa blutë e qytetit bregdetar kanë dyshime se konfliktet dhe përplasjet mes tyre mund të kenë vijuar deri kohët e fundit. Për të bërë të mundur kapjen e dy vëllezërve, policia ka kryer kontrolle të imtësishme në banesat e disa prej të afërmve të tyre, si dhe në disa vende e zona që ata frekuentonin shpesh. Mësohet se njëra prej banesave që ka rënë në ‘sitën’ e policisë ka qenë edhe ajo e dajës së dy vëllezërve, ku mësohet se është gjetur edhe mjeti tip “Benz” për të cilin ka dyshime se mund të jetë përdorur në ngjarje.

Ndaj dy vëllezërve policia ia ka kaluar materialet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

NGJARJA

Mjeti tip “Benz” me të cilin Gjoka ishte duke udhëtuar me familjen e tij u qëllua me breshëri plumbash, ku sipas 46-vjeçarit, mjeti me të cilin udhëtonin autorët ishte duke ecur paralelisht me makinën e tij. Ngjarja ndodhi të mërkurën, rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “4 Rrugët e Shijakut”, në afërsi të komunës Xhafzotaj. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të lënduar në njerëz, kjo edhe për faktin se mjeti i tyre ishte i blinduar. Me të dëgjuar të shtënat, Gjoka shtoi shpejtësinë e makinës dhe menjëherë shkoi në komisariat për të denoncuar atentatin që iu bë. Pas kësaj, grupi hetimor shkoi menjëherë në vendin ku ndodhi ngjarja dhe gjatë këqyrjes në vendin e ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 26 copë gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm. Në cilësinë e provës materiale është bllokuar dhe mjeti tip “Benz”, në të cilin dyshohet se kanë qenë shtetasit e më- sipërm, si autorë të dyshuar në momentin e goditjes me armë zjarri.

Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim nga Gjykata e Italisë, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Trafikim i personave”.Më 4 mars të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme të regjistruara në emër të Gjokës, hetimi për të cilin nisi në kuadër të ligjit “Antimafia”. Por, më 20 korrik 2017, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda hoqi sekuestron.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.