KULTURË

Valdet Hamidi – miti brenda pikturës

17:54 - 26.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Luan Rama

 

Vitet e fundit, në një mori tablosh të piktorit Valdet Hamidi rigjen demin, buallin ashtu siç e kemi gjetur atë dhe në piktorë të tjerë, duke filluar me litografitë e famshme të Francisco Goya-s kur plak dhe shurdh, krijonte në Bordeaux në vitin 1825 një seri të «toromakisë», apo më pas Picasso, në gjurmë e mjeshtrit të tij, i frymëzuar dhe nga «corrida »-t  e torerot do të krijonte një seri të mrekullueshme litografish por dhe pikturë me figurat e demave dhe minotaurëve.

Një element mitik, nëse e shohim këtë figurë që në faqet shkëmbore të shpellës së Lascuax-së dhe që në vijim, në forma të ndryshme duke e parë si një saktificë njerëzore ndaj hyjnive, ku për egjiptianët demi ishte i shenjtë, ndërkohë që grekët e lashtë demat e zinj i sakrifikonin për Poseidonin apo Neptunin ndërsa demat me brirë të artë sakrifikoheshin për të madhin Apollon. Sidoqoftë, tek gjendesh para demave të Valdet Hamidit ndjesia nuk është thjesht kënaqësia për mjeshtërinë e kompozimit dhe ngjyrat e spikatura, por sëpari për energjinë që transmetojnë këto figura. Dhe kjo si duket Valdetit i rivjen nga koha e adoleshencës, kur tezja e tij në Prishtinë, siç më tregon ai, i thoshte se «kur bie termet, do të thotë se ka një buall nën tokë që shkundet e dridhet». Kjo lloj mitologjie popullore, kjo kujtesë adoleshence, kjo remineshencë e energjisë, e ngacmon atë gjithnjë në kompozimin e tablove të tij, në proçesin krijues, ku jo rrallë ndodh që demat mpleksen me njerëzit dhe botën njerëzore, ku një dem mbart mbi kurriz personazhe njerëzore, burra e gra dhe ku siç duket, përmes të cilës, ai kërkon që statizmit të personazheve tu japë lëvizje, energji të brendshme, dhe kjo ndihet kur gjendesh para tyre.

Valdet Hamidi ka hapur një ekspozitë që prej dy muajsh në Honfleur të Normandisë, ku 51 tablotë e tij janë ekspozuar në mjediset e mediatekës së qytetit, «Charles Baudelaire». Dema, kuaj, tema shqiptare e ekzilit, eksodit, shpërnguljes me dhunë nga trojet, çka padyshim është një nga notat më spikatëse të kësaj ekspozite, duke shpalosur origjinalitetin e këtij piktori. Brenda personazheve, në vizatimin e tyre, në vetë plastikën e ngjyrës së përdorur, kryesisht të zezë e okër (që ndonjëherë kanë një frymë bizantine) përjetohet drama, tragjedia, tronditja e madhe, shpërngulja që të kujton kohët biblike të shpërnguljes së një populli të prirë nga Moisiu. E pikërisht, tek këta personazhe spikasin qeleshet, plisat e veriut shqiptar. Dhe nuk habitesh që kur hyn në atelierin e piktorit, dy opinga të varura, të punuara me një mjeshtëri të rrallë, ta prezantojnë menjëherë zanafillën dhe prejardhjen e këtij piktori që kërkon të mbetet sa më origjinal në morinë e aq shumë piktorëve të vendosur në Francë nga e gjithë bota. Pra, kjo ngjyrë kombëtare në krijimtarinë e këtij piktori i jep veç forcë, origjinalitet, kureshtje, ashtu siç ndodh dhe kur je përballë një tabloje ku duket një bari, me një qeleshe dhe xhyben e zezë që e ndeshim si në veriun por edhe në jugun shqiptar. Brenda kësaj ekspozite, sigurisht nuk ka vetëm dema, kuaj, eksod, drama e tragjedie, tablo me peshën e rëndë të tokës, shpirtit e gjakut, por ka dhe një erotikë të bukur, një afërsi të këndshme trupash njerëzorë, një kërleshje, ku ngjyrat e ndezura, e kuqja dhe e verdha diellore, të flet për një lloj ngazëllimi human, natyror, për ngazëllimin e shpirtrave, të ripërtëritjes, të ekstazës, të vazhdimësisë së jetës, për çka dhe piktori e përfundon ekspozitën me një zog «feniks» që rilind nga hiri, nga zjarri. Eshtë përtëritja që triumfon mbi luftën dhe eksodin e popujve!

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.