BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Rovena Dilo: Martesa me Florin, një fole e ngrohtë!

16:00 - 04.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Rovena Dilo: Martesa me Florin, një fole e ngrohtë!





E gjejmë në lokalin e saj në zemër të ish-Bllokut, vendi ku kalon pjesën më të madhe të kohës me bashkëshortin e saj, futbollistin Florian Riza. Por, në këtë sezon Rovena Dilo, artistja duket e impenjuar më shumë se çdo periudhë tjetër, arsyeja: festivali në RTSH. Nuk e mohon se ky festival është një eveniment ku akomodohet me kënqësi çdo fundviti, madje nuk e fsheh se pjesëmarrja në këtë eveniment me destinacion Eurovizionin është një arsye më shumë për të garuar, duke mbajtur mbi supe edhe një përgjegjësi të madhe. Përsa i takon martesës, Rovena po përjeton momente të lumtura, aq sa në përkufizimin ideal që bën thekson se për të “martesa është një folezë e ngrohtë…!”
Ky është viti i tretë rradhazi që merrni pjesë në Festivalin e Dhjetorit, pse pikërisht këtu?
Po është e vërtetë. Por më tepër se një arsye e vërtetë ka qenë një akomodim me fundvitin. Festivali i RTSH-së është më i fundmi eveniment i madh. Pa lënë mënjanë faktin që këngët e mia kanë gjetur veten në këtë eveniment, pra kanë qenë më të përshtatshme për këtë lloj performance.
Me çfarë materiali do të prezantohesh sivjet dhe cilët janë autorët?
Kënga mban melodinë e Endri Sinës dhe vargjet e mia. Është një këngë e këndshme me temperament mesdhetar.
Ndryshe nga vitet e shkuara, çfarë mendoni se mund të konsiderohet risi në këngën tuaj?
Unë nuk përpiqem të sjell gjithmonë risi, përpiqem të sjell këngë të bukura, me përmbajtje të vërtetë që synojnë gjithmonë të mbeten gjatë. Do më pëlqente të thosha përgjithmonë. Por është shumë fjalë ambicioze dhe absolutiste.
Festivali për shumë artistë është një ambicie me synim Eurovizionin, po ju si e konceptoni pjesëmarrjen tuaj?
Eurovizioni është gjithmonë një arsye më tepër. Por, pjesëmarrja në Eurovizion nuk është vetëm “qejf”, nuk është diçka për të cilën një këngëtar duhet të këmbënguli qorrazi. Është një përpjekje e madhe dhe si e tillë, ajo duhet të mendohet dhe përcaktohet me kujdes, nga ata që marrin përsipër të bëjnë kompetentët e përzgjedhjes profesionale. Sepse, po të jetë për këngëtarët, ata të gjithë mendojnë se janë të aftë të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion me çdo lloj këngë që kanë. Është për të ardhur keq!
Videoklipet janë kthyer për artistët një promovimin ideal për këngën, ju keni në mend të sillni një material video për këngën e festivalit?
Po. Destinacioni i parë i këngës “Përtej Kohës”, ky është titulli i saj, ka qenë të promovohej thjesht nëpërmjet një videoklipi të bukur. Pastaj u vendos bashkë me autorin Sina pjesëmarrja në festivalin e Dhjetorit. Ajo do të ketë një klip. Do të jetë një suprizë realizimi i tij. Le ta zbulojmë në një intervistë tjetër.
Sa i rëndësishëm është për një artist imazhi në një eviniment të këtij kalibri dhe kush kujdeset për lookun tuaj?
I rëndësishëm është vërtet. Është një eveniment që i kalon kufijtë televizivë shqiptarë. Bashkëkombasit e ndjekin kudo që janë. Artistët për rrjedhim krahasohen me imazhet e përbotshme. Pra, kujdesi që duhet t’i kushtohet imazhit është total. Mund të them që nuk duhet gabuar, as në këtë pikë. Unë di që look-un tim do ta kuroj vetë. Sigurisht do të konsultohem me stilistët më të mirë (qesh). (Me rrobat e tyre).
Jeni ndier e zhgënjyer ndonjëherë nga festivalet dhe pse?
Festivalet edhe të zhgënjejnë. Por kjo është e natyrshme. Zhgënjimi është një ndjesi me përmasa të vogla. Por, ajo që vërtet të hidhëron është padrejtësia. Dhe për fat të keq në Festivalin tonë ndodhin shpesh edhe padrejtësi. Si ajo që më ndodhi mua në vitin 2007, ku qëllimisht më lanë jashtë natës finale me këngën “Rrëfimi”. Por artisti fiton, nga goditjet e këtij lloji vetëm lartësohet.


Sa i besoni vlerësimit të jurive dhe mendoni se janë 100 për qind të sakta?
Asgjë nuk është absolute. Nuk ka 100 për qind kur bëhet fjalë për gjykim njerëzor. Por, në përgjithësi juritë mundohen të jenë bindëse. Ajo që i pengon juritë dhe publikun janë ndërhyrjet që vijnë nga jashtë. Këtu është problemi. Megjithatë nuk bën dot karrierë vetëm duke fituar festivale apo duke pasur pjesëmarrje në Eurovizion. Në rradhë të parë duhet të krijosh bukur dhe të jesh i besueshem për publikun tënd.
Sa kohë u bënë që nga paraqitja e parë nëpër festivale dhe si e kujton atë moment?
Ka kaluar 16 vjet nga “Kënga e Stinës ’93″. Ka qenë një debutim magjik. Këngë e bukur dhe duartrokitje pafund.
A ndihesh e vlerësuar financiarisht në muzikë apo për ju nuk është një biznes?
Për mua kënga do të thotë shumë. Fakti që nuk ka të ardhura është për faj të kolapsit që ekziston këtu në lidhje me të drejtat e autorit. Në të vetmin vend në botë ku ti nuk përfiton asgjë nga shfrytëzimi i krijimit tënd. Ky do të ishte një lloj biznesi me këngën.
Cilat janë projektet tuaja në të ardhshmen, pas publikimit të albumit të fundit?
Nuk kam projekte konkrete për vitin 2010. Di tani për tani që kam një plan të shpejtë, klipi i këngës “Përtej Kohës”, që është edhe kënga më e re.
Gjatë këtij viti nuk jeni përfshirë shumë në koncerte, me se e mbush kohën Rovena, ku nuk ka muzikë afër saj?
S’besoj se ka kaq shumë koncerte, ku unë mund të gjej veten. Përndryshe unë do të isha pjesëmarrëse. Por cilësia e aktiviteteve më ka detyruar shpesh të tërhiqem. Unë e ruaj me fanatizëm imazhin që kam kam krijuar. Dhe në këtë vend, me besoni, nuk ështe e lehtë.
Ç’përshtypje ju ngjallin zakonisht festat e fundvitit?
Zakonisht më trishtojnë. Vërtet që nuk është se festat më gëzojnë pa masë. Nuk e di pse e kam në mendje ndjesinë e mbarimit kur fillojnë dhe mbushen rrugët dhe bredhat me drita.
Keni menduar të bëni dhurata dhe për kë?
E dini që s’para bëj dhuarata për fundvit (qesh). Ngaqë festat vetvetiu kanë shumë bollëk më duket sikur dhuratat s’janë dhe aq të nevojshme. Megjithatë ndoshta kjo është e gabuar dhe ndryshe nga çfarë pritet. Në 2010 do filloj të reflektoj në lidhje me dhuratat.
Në vigjilje të Vitit të Ri çfarë doni t’ju sjellë 2010-a?
Sa shumë dëshira ka njeriu dhe dëshiron t’i ketë të gjitha menjëherë. Por mund t’i përmbledh në dy fjalë: Shëndet dhe fat.
Keni planifikuar pushime dhe ku do do ta kaloni natën e ndërrimit të viteve?
Kam një plan për të shkuar këtë vit larg Tiranës. Por kam frikë se puna nuk do të na lërë prapë. Prandaj nuk po them se ku, pasi do ta vendos në momentin e fundit.
Dhe në fund, na jepni një përkufizim për martesën?
Martesa për mua është si një fole. Kur ajo është e mbarë, është e ngrohtë dhe e rehatshme. Dhe do të jesh gjithë kohën në këtë folezë.

Ky shkrim u botua më  19 dhjetor 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.