MILOSAO

“Elementi i fshehur” në letërsi

10:21 - 04.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Mario Vargas Llosa




Ernest Hemingway-i tregon diku se në fillimet e tij letrare, teksa hidhte në letër një rrëfenjë, papritmas i qëlloi që të shuante ngjarjen kryesore, atë ku protagonisti varte veten. Ai tha se zbuloi kësisoj një mënyrë rrëfimtare, që do ta përdorte gjithnjë e më dendur në të ardhmen për të mbrujtur romanet dhe novelat e veta.
Në të vërtetë, nuk teprohet aspak nëse thuhet se rrëfimet më të arrira të Hemingway-it janë të stërpikura me heshtje shumëçkathënëse, me grimca fshehatare të një rrëfimtari mendjehollë, i cili ia del mbanë që të dhënat e veshura prej tij me petkun e heshtjes, megjithatë të jenë sa më shprehëse dhe të shtien medoemos në ngasje përfytyrimin e lexuesit. Kështu, ky i fundit duhet t’i mbushë këto golle të historisë me hamendësime e përgjasime të mendjes së vet.

* * *
Le ta quajmë këtë mënyrë “elementi i fshehur” dhe të saktësojmë menjëherë që, paçka se Hemingway-i i ka bërë kësaj një lëvrim vetjak e të shumëfishtë (herë-herë mjeshtëror), nuk është ai që e ka shpikur, meqë kjo është një teknikë e moçme sa vetë romani.
Mirëpo është mëse e vërtetë që fare pak shkrimtarë modernë e kanë përdorur me guximin e autorit të Plaku dhe deti. A ju kujtohet ajo novela mjeshtërore, mbase më e famshmja e Hemingway-it me titull The killers (Vrasësit)? Gjëja më me rëndësi e rrëfenjës është kjo pikëpyetje e madhe: përse ata dy kaçakë, me çifte tytësharruara, hyjnë në restaurantin e vogël “Henry’s” të asaj krahine pa emër dhe duan të vrasin suedezin Ole Anderson? Dhe përse ky Ole Andersoni i fshehtë, ndërsa djaloshi Nick Adams e paralajmëron se dy vrasësit po e kërkojnë për ta qëruar, nuk pranon t’ia mbathë e ta vërë në dijeni policinë, por i bindet me verbëri fatit të vet?
Ne nuk kemi për ta marrë vesh kurrë.
Nëse na e ka ënda ndonjë përgjigje për këto dy pyetje bosht të rrëfenjës, ne duhet ta sajojmë vetë si lexues, duke u nisur nga grimcat vocërrake që rrëfimtari – në dijeni të gjithçkaje e jovetjak – na jep aty-këtu: para se të vinte në këtë qytezë, suedezi Ole Anderson ka qenë, me ç’duket, boksier në Çikago, ku ka bërë diçka( që s’i ndezi, thotë ai), e cila ka nënshkruar dënimin me vdekje.
Elementi i fshehur a rrëfimi i jashtëm nuk është për së koti apo arbitrar. Lypset që heshtja e rrëfimtarit të jetë domethënëse, që ajo të ushtrojë një ndikim të spikatur në pjesën e shprehur qartas të rrëfenjës, me qëllim që kjo mungesë të ndihet kthjelltas e të përndezë kërshërinë, pritjen me frymën pezull dhe përfytyrimin te lexuesi. Hemingway-i qe mjeshtër i pashoq në përdorimin e kësaj teknike rrëfimtare, siç bie haptas në sy te Vrasësit, shembull sqimëtar i kursimtarisë rrëfyese, tekst që është porsi maja e një ajsbergu, një buitje e mezidallueshme që mundëson ndërdukjen në mënyrë mahnitëse të të gjithë ngrehinës plotësore anekdotike, ku mbështet bëshëm, por që i është fshehur lexuesit. Të rrëfyerit duke heshtur, me anë të nënkuptimeve që e shndërrojnë brendastrukjen në pritje përcëllitëse, duke e nxitur lexuesin të ndërhyjë gjallërisht në rrjedhat e rrëfimit përmes përngjasimeve e hamendësimeve të veta, përbën një përdorim të shpeshtë te rrëfimtarët, për të ndërfutur lëndë të vetëjetuara në thurrimat e tyre, domethënë, i pajisin me fuqi bindshmërie.

* * *
A ju kujtohet elementi i madh i fshehur i romanit më të mirë (për mendimin tim) të Hemingway-it Dhe dielli lind përsëri? Po, atë vetë: pafuqinë e Jake Barnes-it, rrëfimtarit të romanit? Ajo nuk jepet kurrë haptas: ajo gëlon papritmas – thuajse e marr guximin të them që lexuesi, i cytur prej asaj çka lexon, ia mvesh personazhit – nga një heshtje kumtuese, kjo largësi e çuditshme fizike, lidhja e dëlirë mërshore që e bashkon me bukuroshen Brett, femra që ia bën zemrën zhur e që mbase e do edhe vetë a që mund ta kishte dashur, ishte pra vetëm një pengesë a ndalim, për të cilin ne nuk kemi qenë kurrë në dijeni me saktësi. Pafuqia e Jake Barnes-it është një heshtje jashtëzakonisht e shprehur qartë, një mungesë që vjen e bëhet gjithnjë e më shprehëse, sa më shumë që lexuesi të çuditet nga qëndrimi jo i zakontë e kundërshtues i Jake Barnes-it ndaj Brett-it, derisa i vetmi shpjegim i mundshëm të mbetet zbulimi i pafuqisë së tij. Paçka se i kaluar në heshtje a ndoshta pikërisht nga mënyra sesi është, ky element i fshehur e praron thurrimën e romanit Dhe dielli lind përsri me një vezullim shumë të veçantë.
Më së fundi, do të ma kishte fort ënda t’ju përsëris një krahasim, që e kam bërë hera-herës duke përsiatur për Faltoren e Faulkner-it. Le të themi që rrëfenja e “plotë” e një romani ( e përbërë nga elementë të përfshirë a të hequr) është një kub. Dhe që çdo roman i veçantë, me t’iu qëruar elementët e tepërt e ato të hequr shpengueshëm, për të përftuar një efekt të përcaktuar të nxjerrë nga ky kub, merr një trajtë të përcaktuar: ky objekt, kjo skulpturë, pasqyron origjinalitetin e romancierit. Trajta e tij është gdhendur me ndihmën e mjeteve të ndryshme, por pa as më të voglin dyshim, njëri nga më të përdorurit e tejet i vlefshëm për punën e tëharrjes së përbërësve, gjersa ravijëzohet profili i figurës së hijshme dhe bindëse që na bën për vete, është pikërisht elementi i fshehur (nëse nuk keni ndonjë emër tjetër më ngasës për t’i vënë këtij mjeti).

Përktheu Luan Camaj


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Eshte shija e kultivuar, edhe me shume ketyre viteve pa u takuar, e Luan Canaj, perkthyes nga frenfjiahtja i verejtur c’prej dukjes se tij, dhe sic pritej tashme edhe prej englishtes, qe eshte first lady per torontianet dhe tironasit aty!
    Ajo cfare bje ne sy tek prurjet e Canaj, eshte lloji i Letrave zgjedhur me finese, per t’i njohur, studiuar dhe, nese vlejne nde shqipe, ofruar atje.
    Mezi hyne ne oreksin e nje studuesi e perkthyesi si Luan Canaj, por po u hap porta e rende e konakut te miqve te letrave tek ai, natyrisht do provosh pasuri te letrave te botes reale te letrave, pa dallim kulture, gjuhe apo epoke.

    Përgjigju ↓